Sezoni i festave filloi në Shtëpinë e Bardhë me mbërritjen e bredhit tradicional të Krishtlindjeve, rreth 18 metra i lartë. Melania Trump e priti pemën, duke shënuar zyrtarisht fillimin e përgatitjeve festive.
Zonja e Parë u paraqit përpara rezidencës presidenciale në Uashington me një pallto-fustan me kuadrate të kuqe e të bardha dhe këpucë me taka bordo.
Udhëtimi i bredhit nga Wisconsin
Bredhi i llojit Concolor u soll nga ferma familjare “Silent Night Evergreens”, në Endeavor të Wisconsin-it, pasi udhëtoi qindra kilometra. Pema do të vendoset në Dhomën Blu, ku do të jetë pjesë qendrore e dekorimeve të këtij viti.
Kur u përzgjodh në fermë, në shtator, bredhi ishte rreth 30 metra i lartë dhe gati 20-vjeçar. Ai u pre më 17 nëntor dhe më pas u nis drejt kryeqytetit amerikan.
“Është një pemë e bukur. Jam mirënjohëse për familjen dhe shëndetin, dhe i uroj të gjithëve Krishtlindje të gëzuara”, u tha Melania gazetarëve, sipas grupit të gazetarëve të Shtëpisë së Bardhë.
Gjatë pritjes, ajo takoi edhe familjen Chapman, pronare të fermës ku u rrit pema. David dhe Leah Chapman udhëtuan në Uashington me vajzat e tyre, Madilyn dhe Reagan.
Tradita e familjes Chapman
Familja fitoi mundësinë për të furnizuar Shtëpinë e Bardhë pasi triumfoi në konkursin kombëtar të Shoqatës Kombëtare të Pemëve të Krishtlindjeve me një bredh Balsam. Kjo është hera e katërt që ferma e tyre siguron pemën zyrtare për rezidencën presidenciale, pas viteve 1998, 2003 dhe 2017.
Tradita familjare shtrihet në tri breza: gjyshërit e David Chapman kishin furnizuar Shtëpinë e Bardhë me një bredh edhe në vitin 1988. Transportin këtë vit e realizoi Chuck Jensen, veteran i ushtrisë amerikane dhe drejtues kamioni në FedEx Freight prej më shumë se 36 vitesh.
Jensen, i cili shërbeu 10 vjet në ushtrinë amerikane, e përshkroi detyrën si nder të veçantë. “Është nder të përfaqësoj veteranët dhe të sjell këtë pemë Krishtlindjesh në Uashington”, deklaroi ai për “Mid-West Farm Report” para nisjes.
Dekorimet e këtij viti
Mbërritja e bredhit nis shndërrimin festiv të Shtëpisë së Bardhë, që mbikëqyret nga Melania Trump. Tema e këtij viti është “America in Bloom” (Amerika në lulëzim), por hollësitë e dekorimeve ende nuk janë zbuluar.
Vullnetarët do të punojnë gjatë ditëve në vijim për zbukurimin e ambienteve. Dekorimet e përfunduara pritet t’u prezantohen gazetarëve më 30 nëntor.
Mes të përzgjedhurve për të marrë pjesë në këtë proces është Kaila Ramos, luleshitëse nga Luiziana. Ajo u zgjodh mes më shumë se 15 mijë aplikantëve.
“Do të doja që të kishte një Krishtlindje tradicionale”, tha Ramos muajin e kaluar për gazetën “The U.S. Sun”. “Mendoj se do të sjell edhe disa elemente të traditës së Jugut”, shtoi ajo.
Krishtlindjet e vitit të kaluar, të parat për familjen Trump pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, u organizuan me temën “Home Is Where the Heart Is” (Shtëpia është aty ku është zemra).
Veshja e Melania Trump
Përveç bredhit, vëmendje mori edhe veshja e Melania Trump. Ajo kishte zgjedhur një pallto me kuadrate të kuqe dhe të bardha, të dizajnuar nga Gabriela Hearst, që fillimisht ishte shitur për rreth 4,900 dollarë.
Melania e kishte veshur këtë pallto edhe më 5 dhjetor 2019, shtatë vite më parë, kur shoqëronte presidentin Donald Trump në ceremoninë e ndezjes së dritave të Pemës Kombëtare të Krishtlindjeve. Me ardhjen e bredhit 18-metërsh dhe nisjen e zbukurimeve, Shtëpia e Bardhë ka hyrë në atmosferën e festave të fundvitit.
Burimi: www.albeu.com









