Profesor Bledar Kurti thotë se protesta tregoi se opozita ishte forca e tretë apo e katërt në vend.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Kurti tha se kreu i opozitës nuk shkoi asnjë ditë në protestë, ndërsa thirrje nga protestuesit u drejtuan edhe ndaj tij.
Sipas Kurtit, brenda mazhorancës kishte deputetë që u treguan frikacakë dhe nuk reaguan në momente kritike për rendin kushtetues.
Vlerësimi për qeverinë dhe opozitën
“Ka një gabim: pati shumë elementë që menduan se Rama do rrëzohej. Nuk u rrëzua. Në raport me opozitën, pati qasje të gabuar, qasje amatoreske. Të pretendosh se ka pakënaqësi ndaj qeverisjes, kur qeverisja të takon ty, kjo nuk shkon dhe nuk është politikë profesionale. Pati një sërë problematikash me opozitën. Ajo që dëshmoi protesta është se opozita ishte e treta apo e katërta në këtë konfigurim protestash. Kreu i opozitës nuk shkoi asnjë ditë, ndërsa thirrjet në bulevard ishin drejtuar edhe te ai. Ka shumë problematika të tjera, që u vunë re gjatë 170 ditëve, por sidomos në dy javët kur iu vu flaka Tiranës, Durrësit dhe qyteteve të tjera.
Heshtja e deputetëve
Pati një frikacakëri brenda mazhorancës; askush nuk doli në mbrojtje të kryeministrit. Zakonisht, një deputet i PS, por edhe i partive të tjera, postonte nga mëngjesi në darkë perëndimin e diellit, vetëm për të tërhequr vëmendjen. Por në momente tejet kritike, që kanë të bëjnë me rendin kushtetues, roli kalon përtej të qenit deputet i një partie: je përfaqësues i popullit shqiptar dhe duhet ta japësh mesazhin tënd. Në këtë aspekt pati frikacakëri dhe u pa një heshtje. Ishte mësim i madh edhe për ta vetë, por edhe për kryeministrin, i cili, sipas tij, ka mbajtur shënimet e veta. Ka qenë moment i vështirë për rendin kushtetues, theksoi ai.
/abcnews.al
Burimi: abcnews.al









