Pas përfundimit të përvojës mes debateve në “Ferma VIP 3”, Akil Varfi ka vendosur të sprovojë sërish veten në një format televiziv, këtë herë në “Big Brother VIP Kosova 5”. Megjithatë, duket se e kaluara e tij televizive nuk ka mbetur plotësisht pas, pasi disa deklarata të bëra gjatë prezantimit kanë tërhequr vëmendjen e publikut.
Prezantimi i Akilit në Big Brother VIP Kosova
Aktori 28-vjeçar nga Shkodra u prezantua në mbrëmjen e 30 tetorit si një nga banorët e rinj të shtëpisë. Me humor, ai e nisi prezantimin duke thënë: “Unë jam Akili. Jam shkodran, jam 28 vjeç, beqar, pa punë, pa gjë, veç kam ardhur kot”.
Megjithatë, pas kësaj hyrjeje, Akili foli edhe për arsyen që e kishte shtyrë të bëhej pjesë e këtij edicioni, duke dhënë një përgjigje që riktheu në vëmendje pjesëmarrjen e tij në “Ferma VIP”.
“Pse vendosa me hy në Big Brother? E ndjeja shumë të nevojshme me e përfundu një sfidë, një lojë që unë tashmë e kisha nisur”, u shpreh ai, duke lënë të kuptohet se bëhej fjalë për eksperiencën e ndërprerë në formatin e mëparshëm.
Deklarata që riktheu në diskutim Ferma VIP
Por një tjetër deklaratë e tij ka shkaktuar më shumë diskutime. Teksa përshkruante situatat dhe njerëzit që mund ta nxjerrin nga vetja, Akili u shpreh: “Versionin më të keq të Akilit e nxjerr vetëm kur has kërmij që lepihen për me shku në majë”.
Edhe pse nuk përmendi askënd me emër, kjo fjali është interpretuar si një kunjë e mundshme për Arbana Osmanin, me të cilën ai pati disa përplasje gjatë qëndrimit në “Ferma VIP 3”.
Kujtojmë se raporti mes tyre u komentua gjerësisht, veçanërisht pas debateve në spektakël dhe vendimit të Akilit për të nominuar veten. Eliminimi i tij i hershëm u shoqërua me reagime në rrjet, ndërsa pas largimit ai bëri disa deklarata kritike për moderatoren dhe eksperiencën në format.
Tashmë, Akili nis një tjetër rrugëtim televiziv, por fjalët e tij të para kanë mjaftuar për të rikthyer në diskutim historinë e lënë pas në “Ferma VIP”.
Burimi: bordo.al









