TIRANË, 8 nëntor/ATSH/ Procesi i vaksinimit kundër gripit sezonal mbetet një nga masat më të rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit, veçanërisht për kategoritë më të rrezikuara nga ndërlikimet e gripit.
Në Vlorë, vaksinimi ka nisur më datë pesë tetor dhe do të vijojë të paktën deri në fund të muajit mars.
Sasia e dozave dhe fillimi i vaksinimit
Agron Bashllari, Shefi i Epidemiologjisë në Vlorë, thotë se këtë vit kanë mbërritur 18 mijë e 500 doza vaksine. Vaksinimi ka nisur fillimisht për personelin shëndetësor. Megjithatë, sasia e dozave mund të rritet në varësi të kërkesave.
“Konkretisht, rreth 4 mijë e 277 doza janë kryer te personat me sëmundje kardiovaskulare, ndërsa 1 mijë e 210 doza u përkasin personave me diabet. Vaksinimi ka përfshirë edhe individë me patologji të tjera, si dhe persona të shëndetshëm, për të cilët janë kryer rreth 1 mijë e 868 doza”, tha ai.
Progresi deri më tani
Deri më tani, në Vlorë janë kryer rreth 7 mijë e 922 doza vaksine, ose afërsisht 42% e sasisë totale të disponueshme. Pjesa më e madhe e vaksinimeve u përket personave që vuajnë nga sëmundjet kronike.
Rreziku gjatë dimrit dhe rëndësia e vaksinimit të hershëm
Muajt e dimrit konsiderohen periudha me rrezikun më të lartë për përhapjen e gripit sezonal. Sipas specialistëve, numri i rasteve pritet të arrijë kulmin gjatë muajve dhjetor dhe janar, për t’u ulur gradualisht në muajin mars. Për këtë arsye, ekspertët e shëndetit publik rekomandojnë që vaksinimi të kryhet sa më herët, pasi organizmit i nevojiten rreth dy javë për të krijuar mbrojtjen e nevojshme pas marrjes së vaksinës.
/m.m/a.f/
Burimi: ata.gov.al










