Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka deklaruar se shpërthimi i Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos mbetet emergjencë e shëndetit publik me rëndësi ndërkombëtare.
Vendimi vjen pas rekomandimeve të Komitetit të Emergjencave të OBSH-së, i cili u mblodh më herët gjatë ditës për të vlerësuar shpërthimin.
Thirrje për bashkëpunim ndërkombëtar
“U bëjmë thirrje të gjitha qeverive dhe partnerëve që të bashkëpunojnë për të zgjeruar më tej reagimin dhe për të siguruar burimet e nevojshme për mbrojtjen e komuniteteve gjatë muajve të ardhshëm”, shkroi Tedros në platformën sociale amerikane X.
Ai gjithashtu bëri thirrje për mbrojtjen e punonjësve shëndetësorë, objekteve mjekësore dhe ekipeve të reagimit emergjent në komunitetet e prekura, në kushtet e konfliktit të vazhdueshëm.
Numri i rasteve dhe viktimave
Tedros tha se rekomandimet e përditësuara për RD të Kongos dhe vendet e tjera do të publikohen gjatë ditëve në vijim.
Duke folur në një konferencë për media të OBSH-së, dje në Gjenevë, Tedros tha se nga shpërthimi janë regjistruar më shumë se 11.300 raste dhe 5.500 viktima, ndërsa çdo javë raportohen nga 400 deri në 500 infeksione të reja.
Vaksinat eksperimentale
Ndërkohë, sipas organizatës, dy vaksina eksperimentale të zhvilluara posaçërisht kundër virusit Ebola Bundibugyo pritet të hyjnë në fazën e dytë të provave klinike javën e ardhshme në Kongo.
Burimi: abcnews.al









