Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Shëndetësi

Ligji i ri kundër duhanit ndalon cigaret elektronike njëpërdorimshme dhe shitjen online

Ligji i ri kundër duhanit ndalon cigaret elektronike njëpërdorimshme dhe shitjen online
Man Holding Vape And Tobacco Cigarette Over Desk

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka hartuar projektligjin e ri “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit dhe produktet e lidhura me to”, i cili synon të zëvendësojë ligjin ekzistues të vitit 2006 dhe të përafrojë legjislacionin shqiptar me direktivat e Bashkimit Evropian në kuadër të Kapitullit 28 të negociatave. Nisma parashikon masa të rrepta për kufizimin e produkteve të reja të nikotinës, mbrojtjen e të miturve dhe luftën kundër tregtisë së paligjshme.

Sipas relacionit shpjegues që shoqëron dokumentin, ndërhyrja diktohet nga nevoja për të frenuar përhapjen e shpejtë të produkteve alternative te moshat e reja dhe për të ulur barrën e rëndë shëndetësore e sociale.

Të dhënat e cituara në dokument tregojnë se pirjes së duhanit i atribuohen mbi 4.000 vdekje në vit në Shqipëri (16% deri në 18% e vdekjeve totale), ndërsa shpenzimet e lidhura me të shtyjnë rreth 13.000 familje nën vijën kombëtare të varfërisë. Ndërkohë, studimet te nxënësit tregojnë se përdorimi i cigareve elektronike arrin në rreth 20% te 15-vjeçarët.

Ndalimi i cigareve njëpërdorimshme dhe shitjes online

Përtej kërkesave minimale të Direktivës Evropiane (TPD2), projektligji vendos disa masa kufizuese kombëtare me fokus parandalimin e varësisë te të rinjtë dhe mbrojtjen e mjedisit.

Ndalimi i produkteve njëpërdorimshme me avullim

Relacioni argumenton se ndalimi i drejtpërdrejtë i shitjes së këtyre pajisjeve (të njohura si vape njëpërdorimshme) u zgjodh si masa më efektive, pasi ato janë lehtësisht të aksesueshme nga të rinjtë dhe njëkohësisht gjenerojnë mbetje të rrezikshme elektronike, plastike dhe bateri të vështira për t’u ricikluar.

Kufizimi i qeskave me nikotinë

Për herë të parë rregullohet kjo kategori produktesh, duke ndaluar vendosjen në treg të qeskave që përmbajnë më shumë se 4 mg nikotinë, një prag i përcaktuar mbi bazën e parimit të kujdesit dhe praktikave evropiane.

Ndalimi i shitjes online

Ndalohet shitja në distancë brenda territorit të Shqipërisë, shitja nëpërmjet makinave automatike, vetëshërbimit, shitjes ambulante dhe shërbimit postar. Siç sqarohet në relacion, në kushtet aktuale “nuk ekziston një sistem i unifikuar dhe efektiv që të garantojë verifikimin e besueshëm të moshës së blerësit gjatë porosisë dhe dorëzimit”, çka do t’u hapte rrugë personave nën 18 vjeç të anashkalonin ndalimin ligjor.

Paketimi, etiketimi dhe gjurmueshmëria

Projektligji vendos standarde të reja për paraqitjen e produkteve dhe kontrollin e tregut.

Paralajmërime të kombinuara

Paketimet e cigareve dhe të duhanit për t’u dredhur duhet të mbajnë paralajmërime shëndetësore (tekst dhe fotografi) që mbulojnë 65% të sipërfaqeve kryesore, ndërsa ndalohen termat mashtrues si “e lehtë” apo “me përmbajtje të ulët katrani”.

Cigaret elektronike rimbushëse

Për produktet e lejuara me avullim vendoset kufiri maksimal i vëllimit të lëngut deri në 10 ml, përqendrimi maksimal i nikotinës në 20 mg/ml, mekanizma sigurie ndaj hapjes nga fëmijët dhe detyrimi për t’i njoftuar ministrinë 6 muaj përpara hedhjes në treg.

Mjediset pa tym dhe aerosol

Ndalimi i pirjes në mjediset e punës, institucionet arsimore e shëndetësore, transportin publik dhe mjediset e mbyllura tregtare shtrihet tashmë edhe për produktet që emetojnë aerosol, si dhe në një rreze prej 10 metrash jashtë shkollave dhe spitaleve.

Sistemi i gjurmueshmërisë

Në zbatim të Protokollit të OBSH-së kundër tregtisë së paligjshme (të hyrë në fuqi për Shqipërinë në gusht 2026), çdo njësi paketimi do të pajiset me identifikues unik dhe element sigurie kundër falsifikimit, të cilët do të verifikohen nga doganat.

Sanksionet, afatet dhe kostoja buxhetore

Për shkelësit e ligjit parashikohen kundërvajtje administrative të shkallëzuara, duke nisur nga 5.000 lekë gjobë për duhanpirësin individual në mjedise të ndaluara, deri në 5.000.000 lekë për prodhuesit ose importuesit që shkelin rregullat e etiketimit, paketimit dhe gjurmueshmërisë, shoqëruar me konfiskim dhe asgjësim të mallit.

Ligji parashikohet të hyjë në fuqi 6 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare, duke u lënë prodhuesve dhe importuesve një periudhë tranzitore prej 12 muajsh për përshtatjen dhe shitjen e stokut ekzistues. Zbatimi i tij në 3 vitet e para pritet t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 324 milionë lekë (208 milionë lekë në vitin e parë), fonde që do të shkojnë kryesisht për ngritjen e kapaciteteve laboratorike të testimit, sistemet e gjurmueshmërisë dhe mbikëqyrjen e tregut.

/rtsh.al/

Burimi: rtsh.al

Të fundit Të gjitha