Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Shëndetësi

Duhanpirësit kanë 40% më shumë rrezik infertiliteti, sipas OBSH-së

Duhanpirësit kanë 40% më shumë rrezik infertiliteti, sipas OBSH-së
Foto: rtsh.al

Duhani dëmton drejtpërdrejt edhe aftësinë riprodhuese të grave dhe burrave. Faktet e reja shkencore të publikuara së fundmi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë treguan se gratë që pinë duhan kanë rreth 50% më shumë rrezik për infertilitet krahasuar me ato që nuk pinë.

Efektet te gratë dhe te burrat

“Ndikon si në infertilitetin femëror, ashtu edhe në atë mashkullor, dhe është parë se vonon mundësinë për të ngelur shtatzënë rreth 50% tek çiftet nëse janë duhanpirës”, deklaroi Blerti Çami, gjinekolog në Maternitetin “Koço Gliozheni”.

Pasojat nuk kufizohen vetëm te gratë. Një rishikim shkencor që përfshin më shumë se 60 mijë meshkuj evidenton lidhjen mes duhanpirjes dhe uljes së lëvizshmërisë së spermatozoideve, si dhe ndryshimeve në morfologjinë e tyre. OBSH thekson fuqimisht se ndërprerja e duhanit rrit shanset për t’u bërë prindër.

Ndërprerja e duhanit dhe rezultatet

“Ndërprerja e duhanit ndikon në përmirësimin me 25% të mundësisë për të ngelur shtatzënë. Procesi i spermatogjenezës, pra i prodhimit të qelizave seksuale mashkullore, rigjenerohet çdo tre muaj. Kështu, një periudhë të paktën tremujore pa duhan është parë se sjell ndryshime domethënëse në rezultatet, qoftë për mundësinë për të ngelur shtatzënë natyrshëm, qoftë nëse çiftet i nënshtrohen teknikave të riprodhimit mjekësor të asistuar”, deklaroi Çami.

Edhe duhanpirja pasive është dokumentuar si rrezik për infertilitetin.

“Duhanpirja pasive ka efektet e veta dhe gjithashtu ndikon në uljen e mundësisë për të ngelur shtatzënë”, shtoi gjinekologu.

Sfida e infertilitetit dhe këshillat e mjekëve

Sot 1 në 6 çifte nuk arrijnë të riprodhohen. Shkaqet qëndrojnë si te femrat ashtu edhe te meshkujt, ndërsa një përqindje e vogël janë shkaqe të panjohura. Mjekët apelojnë për një jetë larg veseve si duhani dhe alkooli, pasi ato që i drejtohen fertilizimit in vitro kanë rezultate më të dobëta për një lindje të suksesshme.

Gazetare: Sonila Mlloja

Burimi: rtsh.al

Të fundit Të gjitha