Ekipi i mjekëve kardiokirurgë në QSUT ka kryer 100 operacione me zemër të hapur vetëm gjatë muajit tetor.
Shifrën e bëri publike shefi i Shërbimit të Kardiokirurgjisë, Altin Veshti, përmes një postimi në rrjetet sociale. Ai theksoi se disa prej ndërhyrjeve ishin raste të vështira, të cilat u realizuan me sukses falë teknikave të reja.
Gjatë javës së fundit të tetorit
Sipas Veshtit, nga 100 operacionet e kryera, 10 ishin te fëmijë të lindur me defekte në zemër. Kryekardiokirurgu e konsideron javën e fundit të tetorit si rekord, pasi gjatë saj u kryen 22 operacione me zemër të hapur, duke përfshirë të gjithë spektrin e kardiokirurgjisë.
“17 ndërhyrje të planifikuara; 5 raste urgjente, të realizuara edhe gjatë orëve të natës; mes rasteve urgjente: një pacient me infeksion të rëndë të zemrës dhe katër raste me çarje të aortës”.
Teknika të reja për pacientët e rinj
Veshti veçoi edhe rastet e dy pacientëve në moshë të re, të cilët iu nënshtruan ndërhyrjeve në zemër përmes teknikave që përdoren në pak qendra të Evropës dhe që përbëjnë një risi për Shqipërinë.
Sipas tij, të gjithë këta pacientë konsiderohen tashmë të shëruar.
Burimi: euronews.al










