Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Shëndetësi

Diabeti zbulohet herët: kontrolli i rregullt parandalon komplikacionet

Diabeti zbulohet herët: kontrolli i rregullt parandalon komplikacionet
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 13 nëntor /ATSH/ Zbulimi i hershëm i diabetit dhe kontrollet periodike janë thelbësore për parandalimin e komplikacioneve dhe ruajtjen e një jete të shëndetshme.

Etja e shtuar, urinimi i shpeshtë dhe rënia në peshë, pavarësisht oreksit të ruajtur, janë ndër shenjat që duhet të nxisin kryerjen e kontrolleve mjekësore.

Në Ditën Botërore të Diabetit, Prof. Dr. Florian Toti, shef i Shërbimit të Endokrinologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në një intervistë për ATSH-në, theksoi rëndësinë e identifikimit sa më të hershëm të sëmundjes dhe të ndërgjegjësimit për faktorët e rrezikut.

Sipas Totit, motoja për vitet 2026-2027 është të veprohet sa më herët ndaj diabetit, duke mos neglizhuar shenjat paralajmëruese.

Shenjat paralajmëruese dhe shkaku i tyre

“Etja e shtuar, urinimi i shtuar dhe një rënie graduale në peshë, pavarësisht se oreksi mund të jetë i ruajtur, janë të gjitha të lidhura me njëra-tjetrën dhe kanë në bazë glicemnë e lartë”, shpjegoi Toti.

Toti bëri të ditur se niveli i lartë i glukozës në gjak rrit sasinë e sheqerit që eliminohet përmes urinës, duke shtuar urinimin, veçanërisht gjatë natës. Humbja e peshës lidhet me pamundësinë e organizmit për ta përdorur glukozën siç duhet, e cila në vend që të shfrytëzohet nga trupi, largohet përmes urinës.

Kategoritë me rrezik më të lartë

Duke u ndalur te diabeti i tipit 2, Toti renditi disa kategori që paraqesin rrezik më të lartë për zhvillimin e sëmundjes.

“Në këtë grup përfshihen personat mbi 40 vjeç, ata me mbipeshë ose obezitet, veçanërisht me shtim të masës dhjamore, si dhe personat që kanë një stil jetese sedentare. Faktorë të tjerë risku janë historia familjare e diabetit, gratë që kanë lindur fëmijë me peshë mbi 4 kilogramë ose kanë pasur diabet gjatë shtatzënisë, si dhe personat me dislipidemi, hipertension apo të diagnostikuar më parë me prediabet”, tha ai.

Sipas Totit, këto kategori duhet t’i kushtojnë rëndësi të veçantë ekzaminimeve dhe kontrolleve periodike, për të identifikuar në kohë prediabetin dhe për të parandaluar kalimin e tij në diabet.

Monitorimi i komplikacioneve kronike

Një tjetër aspekt i rëndësishëm, sipas Totit, është monitorimi i komplikacioneve kronike, pasi diabeti mund të prekë disa organe edhe në mungesë të shenjave të dukshme.

“Diabeti nuk prek vetëm zemrën, nuk prek vetëm enët e gjakut dhe këmbët. Mund të dëmtojë sytë dhe nuk do të thotë që ju shikoni mirë dhe nuk keni dëmtim të syve nga diabeti. Mund të dëmtojë veshkat dhe nuk do të thotë që ju keni dhimbje apo vuani nga prekje të veshkave prej diabetit”, u shpreh ai.

Toti nënvizoi se dëmtimet mund të fillojnë që në fazat e hershme dhe të jenë të lehta, ndaj identifikimi dhe trajtimi në kohë mund të ndihmojnë në parandalimin e përparimit të tyre.

“Nëse trajtohen që në këtë fazë, ato mund të tërhiqen dhe pacientët të fitojnë vite të tëra me jetë të shëndetshme dhe jetëgjatësi më të madhe”, theksoi shefi i Shërbimit të Endokrinologjisë në QSUT.

Thirrja për kontrolle parandaluese

Toti apeloi për më shumë vëmendje ndaj kontrolleve parandaluese, informimit mbi faktorët e rrezikut dhe ndjekjes së vazhdueshme mjekësore, si hapa të rëndësishëm në menaxhimin e diabetit dhe shmangien e ndërlikimeve të tij.

/e.i/j.p/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha