TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale synon të forcojë ndjeshëm masat për kontrollin e duhanit dhe produkteve të lidhura me të, përmes një projektligji të ri që parashikon ndalimin e shitjes online të produkteve të duhanit dhe nikotinës, ndalimin e cigareve elektronike njëpërdorimëshe dhe kufizimin e përmbajtjes së nikotinës në qeskat me nikotinë deri në 4 miligramë për qese.
Projektligji “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit dhe produktet e lidhura me to” i nxjerrë për konsultim publik, synon të zëvendësojë ligjin ekzistues të vitit 2006, duke përafruar legjislacionin shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian dhe duke zgjeruar mbrojtjen e shëndetit publik, veçanërisht për fëmijët, të rinjtë dhe grupet vulnerabël.
Ndalimi i cigareve elektronike njëpërdorimëshe
Një nga ndryshimet kryesore është ndalimi i vendosjes në treg të cigareve elektronike njëpërdorimëshe, për shkak të rrezikut të përdorimit të tyre nga të rinjtë, krijimit të varësisë ndaj nikotinës dhe ndikimit mjedisor nga mbetjet elektronike.
“Në nivel sektorial, projektligji kontribuon në zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030, e cila orienton politikat kombëtare drejt përmirësimit të shëndetit dhe mirëqenies së popullatës, parandalimit të sëmundjeve dhe reduktimit të faktorëve të rrezikut për sëmundjet jo të transmetueshme. Kontrolli i duhanit, parandalimi i fillimit të përdorimit të produkteve të duhanit dhe nikotinës, veçanërisht nga fëmijët dhe të rinjtë, si dhe mbrojtja nga ekspozimi ndaj tymit dhe aerosoleve, janë në përputhje me këtë orientim të politikës shëndetësore. Projektligji lidhet gjithashtu me dokumentet e planifikimit të integrimit evropian dhe me masat e parashikuara në kuadër të Kapitullit 28 “Mbrojtja e konsumatorit dhe e shëndetit”, ku përafrimi i plotë i legjislacionit kombëtar me acquis-në e Bashkimit Evropian në fushën e kontrollit të duhanit përbën një detyrim të procesit të negociatave”, thuhet në projektligj.
Kufizimi i nikotinës në qeskat
Projektligji parashikon gjithashtu që qeskat me nikotinë të mos përmbajnë më shumë se 4 mg nikotinë për qese. Ky kufizim synon të reduktojë ekspozimin ndaj dozave të larta të nikotinës dhe rrezikun e varësisë, duke ndjekur praktika rregullatore të zbatuara edhe në disa vende europiane.
Shitja në distancë dhe mbrojtja e të miturve
Një tjetër risi është ndalimi i shitjes në distancë, përfshirë shitjet online brenda territorit të Shqipërisë, si dhe kufizimi i shitjes përmes makinave automatike, vetëshërbimit, shitjes ambulante dhe shërbimit postar. Sipas relacionit, këto masa “synojnë të garantojnë më mirë zbatimin e kufirit minimal të moshës 18 vjeç dhe të parandalojnë aksesin e të miturve në këto produkte”.
Referuar relacionit, projektligji zgjeron gjithashtu mbrojtjen nga ekspozimi i pavullnetshëm, duke përfshirë jo vetëm tymin e duhanit, por edhe aerosolët që çlirohen nga produktet e reja.
Reklamimi dhe promovimi
Paralelisht, forcohen kufizimet për reklamimin, promovimin dhe sponsorizimin, duke përfshirë reklamat në pikat e shitjes, posterat, kinematë, mostrat falas, zbritjet promocionale, kuponët, dhuratat dhe programet e besnikërisë. Nevoja për ndërhyrje të re ligjore argumentohet edhe me të dhënat mbi përdorimin e produkteve të duhanit në vend.
Sipas relacionit, “prevalenca e duhanpirjes së përditshme në popullatën e rritur ka rënë nga rreth 25% në vitin 2000 në më pak se 21% në vitin 2019. Megjithatë, përdorimi i cigareve elektronike nga të rinjtë mbetet një shqetësim në rritje”.
Të dhënat mbi përdorimin nga të rinjtë
Anketa Globale e Duhanit te të Rinjtë (GYTS 2020) tregon se 9,3% e nxënësve të moshës 13-15 vjeç përdornin cigare elektronike, ndërsa të dhënat e studimit HBSC 2021-2022 evidentojnë se kjo përqindje arrin rreth 20% te 15-vjeçarët. Relacioni evidenton gjithashtu se pirjes së duhanit “i atribuohen mbi 4 mijë vdekje në vit në Shqipëri, ose rreth 16% e vdekjeve totale, sipas vlerësimeve të Institutit të Shëndetit Publik”, të referuara në dokument.
Integrimi evropian
Nisma synon edhe përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, pasi përafrimi me legjislacionin e BE-së për kontrollin e duhanit është një nga piketat përmbyllëse të Kapitullit 28 “Mbrojtja e konsumatorit dhe e shëndetit”.
Gjithashtu projektligji parashikon ndalimin e cigareve elektronike njëpërdorimëshe, një masë që shkon përtej kërkesave të Direktivës Evropiane 2014/40/BE. Sipas relacionit, “ky vendim synon të mbrojë shëndetin publik, veçanërisht të rinjtë, duke kufizuar aksesin në produktet e nikotinës dhe rrezikun e krijimit të varësisë në moshë të hershme”.
Ndalimi lidhet edhe me ndikimin mjedisor, pasi këto pajisje krijojnë mbetje që përmbajnë plastikë, komponentë elektronikë dhe bateri, të cilat janë të vështira për t’u grumbulluar dhe ricikluar.
Gjithashtu projektligji ndalon shitjen online të produkteve të duhanit dhe atyre të lidhura me to, për shkak të mungesës së një sistemi të besueshëm për verifikimin e moshës së blerësve dhe rrezikut të shitjes te personat nën 18 vjeç.
Prodhimi dhe periudha tranzitore
Ndërkohë, rregullimi i prodhimit të duhanit do të trajtohet përmes një ligji të posaçëm, që po hartohet nga ministria përgjegjëse për bujqësinë.
Projektligji parashikon një periudhë të përgjithshme gjashtëmujore nga botimi deri në hyrjen në fuqi, si dhe afate të mëtejshme tranzitore për operatorët ekonomikë dhe produktet e vendosura tashmë në treg, me qëllim përshtatjen graduale me kërkesat e reja ligjore.
/e.xh/r.e/
Burimi: ata.gov.al










