Bashkimi Europian i kërkon qeverisë shqiptare të shfuqizojë ndryshimet ligjore në ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat i hapën rrugën projektit të ndërtimit në zonën e Zvërnecit. Këto ndryshime u bënë shkak për shpërthimin e protestave qytetare kundër qeverisë që nga maji i këtij viti.
Po ashtu, BE kërkon që projekti i lidhur me dhëndrin e Presidentit Trump të rivlerësohet sipas standardeve europiane.
Të dy kërkesat u artikuluan të enjten në Tiranë nga ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa, gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin Edi Rama. Konferenca u zhvillua me rastin e dorëzimit të “Progresraportit 2026” të Komisionit Europian për ecurinë e Shqipërisë në rrugën e integrimit.
Raporti për mjedisin dhe ligjet e reja
Raporti i Komisionit Europian thekson se përparimi në fushën e mjedisit ka qenë i kufizuar dhe se ndryshimet ligjore kanë dobësuar garancitë për mbrojtjen e natyrës.
“Raporti konstaton se ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe zgjatjet e përsëritura të ligjit për investime strategjike kanë sjellë përkeqësim të mbrojtjes së natyrës. Dispozitat që bien ndesh me njëra-tjetrën duhet të shfuqizohen, ndërsa projektet madhore, përfshirë atë të planifikuar në Zvërnec, do të vlerësohen përkundrejt standardeve të BE-së,” tha De Sousa.
Shfuqizimi i dispozitave që i hapin rrugë betonizimit të zonave natyrore të mbrojtura u kërkua edhe nga një rezolutë e Parlamentit Europian në verë. Megjithatë, qeveria deri tani nuk ka dhënë asnjë shenjë se kjo do të ndodhë, ndërsa Rama këmbëngul se projekti i Zvërnecit do të realizohet pavarësisht kundërshtimeve.
Ndërkohë, një projektligj i ri i qeverisë “Për Investimet”, që shfuqizon ligjin kontrovers të Investimeve Strategjike, kritikohet se ruan në thelb të njëjtat mekanizma privilegjuese për përfitimet publike.
Sipas ambasadores, Komisioni Europian dhe autoritetet shqiptare janë duke zhvilluar konsultime lidhur me këto çështje.
Protestat në Zvërnec
Qëndrimi i Brukselit vjen në një kohë kur projekti turistik në zonën e Zvërnecit dhe Nartës, një hapësirë natyrore e paprekur prej shekujsh, është kthyer në një nga çështjet kryesore të debatit mjedisor dhe politik në vend.
Rrethimi i plazhit me tela me gjemba nga një kompani private në maj shkaktoi kundërshti tek banorët dhe organizatat mjedisore. Më pas ky shqetësim nxiti protesta qytetare masive me sloganin “Shqipëria nuk është në shitje”.
Duke cituar formulimet e raportit të Komisionit, De Sousa tha se mobilizimi qytetar lidhej fillimisht me shqetësimet mjedisore.
“Protestat më pas u shndërruan në një lëvizje më të gjerë që kërkonte transparencë, llogaridhënie, luftë kundër korrupsionit dhe qeverisje të mirë”, shtoi ajo.
Nga ana tjetër, ambasadorja dënoi dhunën në protestat e fundit, por kërkoi që reagimi i autoriteteve ndaj akteve të dhunës të jetë proporcional dhe në përputhje me ligjin. Ajo theksoi se pakënaqësitë qytetare duhet trajtuar përmes dialogut dhe se institucionet demokratike kanë përgjegjësinë të krijojnë hapësirën e nevojshme për këtë.
Reagimi i Kryeministrit
Kryeministri Edi Rama pranoi se, përveç përparimit, raporti ngrinte “shqetësime serioze” për funksionimin e institucioneve demokratike, mbikëqyrjen parlamentare, lirinë e medias, mbrojtjen e mjedisit dhe cilësinë e konsultimit publik. Megjithatë, ai nuk i përmendi në fjalën e tij ligjet kontroverse për të cilat BE kërkon një hap prapa.
Në lidhje me protestat, Rama pranoi se kërkesat duhet dëgjuar dhe se qeveria ka detyrimin të adresojë shkaqet e pakënaqësive. Ai përsëriti gjithashtu pretendimet për ndërhyrje të Iranit. Po ashtu, bëri paralajmërime për gjoba dhe ndjekje penale për protestuesit, të cilët, sipas tij, bllokonin rrugët dhe kundërshtonin policinë me dhunë.
Burimi: gazetadita.al










