Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kosova

Përjetësia e përditshmërisë i shpërfaqur në lajmet më të fundit

Përjetësia e përditshmërisë i shpërfaqur në lajmet më të fundit
Foto: reporteri.al

Nga Virion GRAÇI

(Nasi Lera: “Fati i njeriut”, roman, 2026, botimet DITURIA.)

Romanin e Nasi Lerës pata nderin ta lexoja që në dorëshkrim. Kur lexoj N. Lerën, mbetem brenda tekstit të tij; teksti i tij është bota e tij, njerëzimi i tij, planeti i tij i ndriçuar. Po. N. Lera është tërheqës për shkak të qartësisë dhe autenticitetit: njerëzit dhe viset që sjell në jetë me penën e tij janë të pangatërrueshëm, të paharrueshëm. Si çdo shkrimtar i madh, ai nuk fut në letërsi aludime, shartesa artificiale apo insinuata provokuese, por bën zbulime të mprehta, evidenton ligjësi të pashkruara të jetës shoqërore, rrethon imtësitë me forcë përgjithësuese universale, përshkruan trajta të natyrës njerëzore, të sjelljes dhe të reagimit sipas rrethanave.

N. Lera lëvron me sukses tregimin dhe romanin. Te proza e shkurtër, fabulat e tregimeve të tij mund të ishin skeleti i një romani epik. Në fakt, N. Lera është çehovian i lindur; për një “Iliadë” i mjaftojnë disa faqe. Epikën, historinë e madhe, freskun social e kalon nëpër filtra lirikë; shkruan, letrarizon atë lëndë që përjetohet nga njeriu. Bota njerëzore dhe universi për N. Lerën është ai spektër drite që arrin ta prekë shpirtin njerëzor dhe ta bëjë atë të tejdukshëm. Dinamika e rrëfimeve të tij është pasojë, jo pikënisje e paramenduar; intensiteti nuk matet me numrin e ngjarjeve apo me figura heronjsh të rëndësisë së veçantë, por me horizontin që ofron për të parë, për të ndjerë e kuptuar dukuri dhe marrëdhënie në dukje të thjeshta, por me brendësi komplekse, domethënëse dhe simbolike në modestinë e tyre. Ndjeshmëri e lartë dhe artikulim i përkorë artistik.

Mjeshtër i minimalizmit, me dhuntinë krijuese që e lejon proza e shkurtër, Nasi Lera është në të njëjtin nivel edhe si romancier, duke dëshmuar zotësi jo vetëm në zotërimin e çastit, të gjendjes kalimtare, fluturake, por edhe në zhvillimin e karaktereve: marrëdhëniet e tyre gjatë periudhave të gjata kohore, etapat, pikat e kthesave pasuruese, përvojat, trajektoret jetësore.

Romanet e tij, një duzinë titujsh të njohur, tematizojnë gjendje kyçe të shoqërisë sonë duke i parë krizat e përgjithshme të përthyera te njerëz të rastit: pushtimin fashist të vendit, ngritjen e autoritetit të ri shtetëror dhe demokratik me mbetjet dhe modelet e së shkuarës; te romane të tjerë janë vizatuar deformimet morale dhe emocionale të tranzicionit politik, përballja individuale me fatalitete si vdekja e paralajmëruar e para kohe të një të riu, komercializimi kriminal i marrëdhënieve familjare apo dashurore, trafikimi, varfërimi deri në shkretim të jetës kulturore-letrare, zhdukja e personaliteteve dhe modeleve frymëzuese. Pra, një enciklopedi artistike e jetës sonë, deri te libri i tanishëm.

“Fati i njeriut”, roman autobiografik, ka të bëjë, si gjithë krijimtaria e autorit, me zbulime nga përditshmëria: humanizmi i përditshmërisë, drama e saj, heroika e saj, lirizmi i saj, konfliktet, kontrastet dhe gjurma historike. Në qendër të romanit janë familjarët e autorit: nëna, babai, autori-fëmijë. Deri këtu nuk dallon nga rrëfimet e këtij lloji. Mbi rrëfimet e autorëve të tjerë, N. Lera, te “Fati i njeriut”, ngrihet nëpërmjet binomit njeri-peizazh. Rrëfimet e tij kanë në qendër njeriun në ambientin e tij. Për të kuptuar personazhin, duhet t’i afrohemi peizazhit të subjektivizuar, dhe anasjelltas.

Nëpërmjet simbiozës organike mes peizazhit të jashtëm dhe botës së brendshme të personazheve përshkruhet qartë fati njerëzor, jo i paracaktuar nga fuqi të mbinatyrshme, sigurisht. Peizazhi, edhe në këtë libër të N. Lerës, është piktoresk, por jo idilik; është i animizuar, psikologjik, emocional; funksionon si jehonë e gjendjes shpirtërore.

Një tjetër risi e romanit: “Fati i njeriut” paraqet konceptimin origjinal të prindërores, të nënës dhe të babait, si gjenezë, si prani të përhershme, si masë dhe kulm të vlerave. Për N. Lerën, nëna dhe babai janë më shumë se kategori biologjike. Prindërorja, për të, nuk është ngjizja dhe mbarështimi i pasardhësit, i fëmijës, nuk është vetëm fazë e foshnjërisë, por rrugë e gjatë që zgjerohet, përsoset, pasurohet dhe kristalizohet gjatë jetës, për aq kohë sa prindërit janë gjallë, por edhe përtej pranisë së tyre tokësore; ata nuk zbehen, nuk zvogëlohen, mbeten të tillë edhe pas vdekjes.

*****

Proza e N. Lerës të merr pranë vetes, të mundëson ta shohësh botën nga e njëjta dritare me të. Lexohet duke zgjedhur të mos marrësh frymë, sepse frymëmarrja jote mund ta mjegullojë sadopak xhamin e hollë që të ndan nga pamjet përjashta, dhe atëherë humbasin nuancat, hollësitë, përgjigjet e përjetshme të pyetjeve të tua; humbet magjia dhe simbolika. Një tipar i shquar i tij, karakteristikë e gjithë krijimtarisë, është dashuria për jetën, për njeriun si i tillë. E sjell në qendër të vëmendjes njeriun e rastit, por nuk e qesh, nuk e zvogëlon, nuk e karikaturizon, siç ka ndodhur shpesh në letërsi me njeriun e tepërt, të margjinalizuar. Ai e gjen diku, të humbur në fatin e tij, dhe na e paraqet, na e ekspozon, që të ndihemi solidarë, të njëjtë. Edhe autobiografia e tij e romanizuar, “Fati i njeriut”, nuk mbetet vetëm e tij; biografitë e shkruara janë mes tyre të ndryshme dhe të ngjashme njëkohësisht, ashtu siç janë edhe fatet njerëzore.

Sikur të isha i vetëm në pëlqimet e mia për letërsinë e N. Lerës, nuk do të guxoja t’i hidhja këto radhë. Fatmirësisht, jam vetëm njëri prej shumë të tjerëve. Nasi Lera, prej 5-6 dekadash, ka qenë dhe mbetet shkrimtar i dashur dhe i vlerësuar. “Fati i njeriut” do të jetë stacioni i radhës: një oaz i bukur për lexuesin e etur për rrëfime të ndjera, të hijshme, esenciale.

Burimi: gazetadita.al

Të fundit Të gjitha