Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Rama-Spiropali: Pasqyra e indianëve, përjashtimi si Berisha

Rama-Spiropali: Pasqyra e indianëve, përjashtimi si Berisha
Foto: shqiptarja.com

Edi Rama u sollë krejt ndryshe me Erion Veliajn. Ai zgjodhi ta kursejë kryetarin e bashkisë, i cili tashmë po kërkon hapur largimin e tij, me një arsyetim gjysmë sentimental: Erioni i ka duart e lidhura! Domethënë, ka edhe arsyetimin e mjegulluar, edhe është në fatkeqësi. Çdo veprim kundër tij do të kishte efekt të kundërt, dëmi i pasojës do të tejkalonte përmasat që dikton shkaku. Reagimi i parë do të ishte viktimizimi i mëtejshëm i të paraburgosurit të Fierit, “emërimi” i tij si sfidues i autoritetit të tij dhe mund të krijonte kosto të paparashikuara nga beteja me dikë që tashmë nuk ka asgjë më për të humbur. Fantazma zvicerane e Arben Ahmetajt ndodhej gjithashtu në atë mbledhje.

Përjashtimi i Elisa Spiropalit

Përjashtimi i Elisa Spiropalit ishte një akt politik. Kërkesa e kryeministrit Edi Rama për të nxjerrë jashtë institucioneve partiake njeriun që dikur e quante Motër u pasua nga paqartësia totale dhe anarkia e lajmeve. Spiropalit i u kërkua të ikë, por largimi nuk u vu në votim. Fillimisht u tha se e kishin hequr, por më pas pranuan se është sërish në PS. Është ende e paverifikuar nëse socialistja e hershme vazhdon të jetë pjesë e grupit parlamentar të PS-së apo edhe e asamblesë së kësaj partie. Por pikërisht krijimi i kësaj dileme duket se ishte qëllimi kryesor i aktit politik të papritur. As brenda, as jashtë, por diku ndërmjet, në pezull, në Limbo. Rama përcaktoi një lloj të ri “ndëshkimi”: vendosjen në atë hapësirë dënimi ku vendosen shpirtrat e atyre që nuk e njohin Zotin.

Kjo ishte përgjigja e parë që Zoti i PS-së, Edi Rama, i dha sfidimit të autoritetit të tij nga Mamica. Por nuk e vuri në votim këtë vendimmarrje të njëanshme, edhe pse padyshim do ta kishte fituar shumicën kundër targetit të luftës së brendshme. Nuk e bëri sepse u trembi jo nga numrat absolutë që do të siguronte, por nga disa pak duar që do të ngriheshin kundër vullnetit të tij. Tre, katër apo edhe dhjetë të tillë në sallën e asamblesë do të ishin shenja e kristalizimit të një bërthame të parë, që nesër, në rrethana të tjera, mund të rritej më tej. Kjo ishte një lëvizje që synonte të paralajmëronte efektin, por pa shkaktuar pasojën direkte. Dhe kryeministri e di mirë që magjia e dikurshme me të cilën i imponohej partisë është helmuar me pëshpërima, është mbarsur me vrer parandjenjash, është përzier me llogari të ndryshme nga llogaritë e tij dhe ka lindur ideja se abdikimi i Mbretit nuk është domosdoshmërisht as qamet dhe as humbja e pushtetit.

Akte të tjera politike të Ramës

Akti i parë politik i Ramës pas qershorit të nxehtë të Flamingove ishte paketa fiskale. Më herët, në fund të verës, ai shpiku Pasqyrat. Një “tregti” politike e ngjashme me pazarin e dikurshëm të kolonizatorëve evropianë me indigjenët e Amerikës: pasqyra dhe rruaza shumëngjyrëshe në këmbim të arit. Rama dhuroi pasqyrat e tij për t’i këmbyer sërish me minierën e arit, që në Shqipëri quhet pushtet. Por ky ishte vetëm make-up. Më pas erdhi paketa fiskale, tentativa më serioze për të treguar vullnet ideologjik dhe për t’u zhvendosur në të majtën e spektrit, duke premtuar të rilindë nën petkun e Robin Hudit, që merrte paratë e të pasurve dhe ua ndante të varfërve. Në dukje ishte pikërisht kështu; në thelb mbetet të verifikohet.

Përjashtimi i Spiropalit është akti i dytë politik i tij. Me gjasë, në mos i kërkuar, i dëshiruar nga shemra e saj, Belinda Balluku, që tashmë është nën bela serioze, edhe pse pretendon se zotëron dhe komandon edhe një duzinë e ca kartona deputetësh në Kuvend.

Në asamblenë socialiste Rama mori hua mjetet e paraardhësit të tij. Berisha ka shkëlqyer si askush tjetër në zanatin tipik shqiptar të përjashtimit. Doktorit i ka dalë mbarë mekanizmi i përjashtimit të kundërshtarëve. Ato vërtet e kanë bërë më të vogël partinë gjatë viteve, por kanë përqendruar dhe forcuar kontrollin e liderit veteran mbi të. Për paradoks, fitorja më domethënëse e Berishës ka qenë pikërisht kur bëri të kundërtën: në vend të përjashtimit, afroi bashkimin në diversitet. Ky është mësimi që ndoshta Rama duhet ta nxjerrë nga historia. Kohët ndryshojnë, por zakonet zënë rrënjë dhe njehsohen. Dhe tashmë Rama ka gjithmonë e më pak kohë, ka gjithmonë e më pak hapësira për të kryer akte politike. Me partitë në lëngatë dhe qeverisjen e topitur, me zemërimin që del në rrugë dhe rrugët që hapen e mbyllen njëra pas tjetrës, nga vetmia e tij gjithnjë e më e thellë, Rama sheh se anonimët e rinj që ka përreth kanë nisur të sillen si pleqtë në dimër: “Bli ditë e rro!” Dhe kupton që nuk i hyjnë më në punë për asgjë. Janë vetëm tatuazhe që nuk mbulojnë dot rrudhat.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha