Koha fluturon dhe këtë e dëshmon më së miri edhe Milan Piqué! Djali 13-vjeçar i Shakirës dhe Gerard Piqué ka tërhequr vëmendjen gjatë një daljeje të rrallë me të ëmën në Miami, ku ajo që ra menjëherë në sy ishte gjatësia e tij dhe ngjashmëria e dukshme me ish-futbollistin spanjoll.
Një mbrëmje në Miami
Nënë e bir kaluan një mbrëmje ndryshe në tribunat e Kaseya Center, ku ndoqën ndeshjen e basketbollit mes Miami Heat dhe Detroit Pistons, më 14 nëntor. I veshur me një bluzë të bardhë, xhinse të gjera dhe një kapuç jeshil me yje të bardhë, Milani dukej tashmë si një adoleshent i rritur, madje edhe më i gjatë se vetë Shakira, edhe pse këngëtarja kishte zgjedhur çizmet e saj karakteristike me platformë.


Nga ana tjetër, ylli kolumbian tërhoqi vëmendjen me një kombinim tërësisht xhins, flokët e lëshuar me ondet e saj karakteristike dhe syzet e zeza të diellit. Por momenti më i këndshëm i mbrëmjes erdhi kur Shakira u shfaq në ekranin gjigant të arenës, ndërsa Milani reagoi me shumë përzemërsi ndaj së ëmës.
Përveç vëmendjes që morën në tribuna, ndeshja rezultoi e suksesshme edhe për skuadrën vendase, Miami Heat, e cila triumfoi ndaj Detroit Pistons me rezultatin 137-117.
Familja dhe jeta pas ndarjes
Milan është fëmija i parë i Shakirës dhe Gerard Piqué, të cilët kanë edhe një djalë tjetër, Sasha, 11 vjeç. Ish-çifti, që i dha fund lidhjes 11-vjeçare në vitin 2022, vazhdon të ndajë përgjegjësitë prindërore, ndërsa jeta e tyre familjare mbetet shpesh në qendër të vëmendjes mediatike.
Shakira, nga ana e saj, nuk e ka fshehur asnjëherë se djemtë janë bota e saj. Në një intervistë për El País, këngëtarja tregoi se ambicia e saj më e madhe është t’i shohë Milanin dhe Sashën të rriten si njerëz të mirë.
Burimi: bordo.al










