Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Rama: Shqipëria lufton korrupsionin më shumë se askush tjetër, presim dritën jeshile

Rama: Shqipëria lufton korrupsionin më shumë se askush tjetër, presim dritën jeshile
Foto: kohajone.com

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar përpjekjet në luftën kundër korrupsionit. Në një deklaratë për mediat nga Brukseli, Rama tha se Shqipëria duhet të konsiderohet një vend kandidat shumë serioz për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, pasi sipas tij, vendi po dëshmon se askush nuk është mbi ligjin. ”Shqipëria duhet të konsiderohet një vend kandidat shumë, shumë serioz. Nëse deri jo shumë kohë më parë Shqipëria portretizohej gjithmonë si një vend ku ishte ngulitur kultura e pandëshkueshmërisë dhe ku korrupsioni ishte vetë sistemi, sot Shqipëria është një vend ku sistemi po lufton fuqishëm korrupsionin”, tha Rama.

Pritjet nga Samiti

-Çfarë prisni nga ky Samit? A mendoni që Bashkimi Evropian do t’i përmbushë premtimet kundrejt Ballkanit Perëndimor?

Kryeministri Edi Rama: Sigurisht që ky Samit vjetor është momenti kulmor i vitit për të gjitha vendet kandidate. Ka rëndësinë e vet për shtetet anëtare sepse është momenti i një bashkëbisedimi të hapur dhe shumë konstruktiv, po kështu edhe i ballafaqimit të ndjesive të ndryshme gjatë vitit dhe ideve për të ardhmen. Për ne është absolutisht e rëndësishme që jemi këtu në këtë ngjarje vjetore. Në këtë Samit besoj se ka një arsye mjaft të mirë për të nxitur më shumë integrim dhe mbetem me bindjen që Bashkimi Evropian duhet të marrë kurajën për të hedhur një hap shumë të guximshëm përpara, duke i ulur të gjitha vendet kandidate përreth tryezës, pa ndryshuar procesin e bazuar në meritë për secilin prej vendeve, por duke përçuar një sinjal shumë të fortë. Nga njëra anë për ne dhe nga ana tjetër për të gjithë botën. Kjo është, pak a shumë, fryma në të cilën jam këtu sot.

-U përmend propozimi gjerman, a do të diskutoni për këtë?

Kryeministri Edi Rama: Ai është pjesë e kësaj, por besoj që kjo ide apo të tjera kanë nevojë për një kornizë më të gjerë, që është saktësisht ajo për të cilën kam folur. Kam avokuar për të gjithë Bashkimin Evropian dhe për të gjitha vendet kandidate rreth tryezës gjatë gjithë kohës.

Kapitujt e negociatave

-Zoti Kryeministër, sa kapituj ka planifikuar Shqipëria të përmbyllë deri në fund të këtij viti?

Kryeministri Edi Rama: Ne po punojmë çdo ditë shumë fort me Komisionin. Le të shohim aritmetikën, por me sa di unë, jemi në rrugën e duhur sipas planit. Nga ana tjetër, nuk është punë vetëm me një kah, është punë me dy kahe. Për një pjesë të punës presim ende që Komisioni të japë dritën jeshile, pasi siç e dinë të gjithë ata të përfshirë në këtë proces, Komisioni duhet gjithmonë të miratojë më parë tekstin që kemi përgatitur tashmë.

Korrupsioni dhe procesi i integrimit

-Zoti Rama, si mund të pretendojë Shqipëria për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian kur zyrtarë të lartë si zonja Balluku janë nën hetim nga SPAK dhe janë ndoshta deskriptivë për Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit?

Kryeministri Edi Rama: Ajo që Shqipëria po bën në luftën kundër korrupsionit është e pashembullt në rajon, dhe kjo është arsyeja precize pse Shqipëria duhet konsideruar një vend shumë serioz kandidat. Deri jo shumë kohë më parë Shqipëria shihej gjithmonë si një vend ku kultura e pandëshkueshmërisë ishte ngritur si e tillë dhe ku korrupsioni ishte sistem. Sot Shqipëria është një vend ku sistemi po e lufton me forcë korrupsionin. Kështu që, korrupsion apo jo, gjithçka duhet të kalojë përmes procesit të rregullt ligjor, por është shumë e qartë që nuk ka më askënd që qëndron mbi ligjin në Shqipëri, dhe kjo është saktësisht arsyeja pse Shqipëria duhet parë me një sy mjaft pozitiv.

Tregtia dhe Donald Trump

-Ndonjë mendim për pjesën e Donald Trump, të tregtisë?

Kryeministri Edi Rama: Nuk di gjë për të. Di për tregun e përbashkët këtu dhe kjo është ajo që pres me padurim.

Burimi: kohajone.com

Të fundit Të gjitha