Në mbledhjen e Asamblesë së PS, kryeministri Edi Rama prezantoi edhe një herë mundësitë e reja që ofron buxheti historik i vitit 2027, nga mbështetja për kujdestarët e fëmijëve me aftësi të kufizuara te mundësitë e reja të strehimit për një sërë kategorish.
Mbështetja për familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara
“Dyfishimi i mbështetjes për fëmijët me aftësi të kufizuara është një tjetër shenjë se po shkojmë në drejtimin e duhur. Larg syve të botës qëndrojnë nënat, të mbyllura, që i qëndrojnë mbi kokë një fëmije të mrekullueshëm që ka nevojë për kujdes orë e çast. Me buxhetin 2027 u themi atyre: ju nuk jeni vetëm, nuk mund të mbeteni pa pension, pa kujdes mjekësor sepse nuk paguani dot sigurime. Këto do t’i mbulojmë ne për ju.”
Strehimi i përballueshëm për shtresën e mesme
Sipas Ramës, shtegu i vetëm për fuqizimin shoqëror të Shqipërisë është të adresohet çështja e mprehtë që ka krijuar zhvillimi dhe rritja e shpejtë: kosto e lartë e strehimit. Në një vend si Shqipëria, strehimi nuk është më vetëm halli i familjes së varfër, por edhe i mësueses, infermieres, ushtarakut, policit, i të riut apo të resë që shërben në administratë. Dy të rinj që dashurohen dhe martohen, edhe kur paguajnë çdo detyrim, nuk mund të kenë shtëpinë e tyre. Pra, nuk është vetëm një nevojë për më të varfërit, por për një shtresë të mesme që nuk e përballon dot rritjen e çmimeve të apartamenteve.
Instrumentet e ligjit të ri
Me ligjin e ri, sipas tij, adresohet diçka që deri dje ishte jashtë planeve të vendit dhe është problem i vendeve më të zhvilluara: nevoja për strehim të përballueshëm. Kredi pa interes për shtëpinë e parë, garanci për ata që nuk kanë kolateral, mbështetje për qiranë, janë pjesë e këtij projekti. Me buxhetin e ri dhe sistemin e ri të strehimit, 10 mijë familjet e para të reja do të kenë shansin të marrin çelësin që nga viti i ardhshëm. Qeveria synon që deri në 2030 të dorëzojë 55 mijë çelësa, ku shteti do t’u qëndrojë pranë të gjithë atyre që meritojnë një mbështetje për të pasur çatinë e tyre, tha Rama.
Burimi: abcnews.al










