Gjuha që Sali Berisha përdori në seancën e sotme në Kuvend nuk ishte aspak befasi për Flutura Açkën. Në një bisedë në “Studio Live” në Report Tv, ajo thotë se pikërisht “gjuha kriminale” e bënte atë të distancohej nga debatet e Kuvendit, kur ishte ende deputete.
“Berisha, ndoshta ky është fjalori i tij. Kështu ka vepruar në mënyrë sistematike. Nuk është se ka ndonjë ndryshim shumë të madh. Megjithatë kjo më duket pak e tepruar. Nuk mendoj se e ka pasur me qëllimin për të ndikuar te njerëzit, por është ndoshta fjalori”, tha Açka.
Duke u ndalur te protestat, shkrimtarja e shikon me dyshim ‘ndarjen’ që ka shënuar protesta e flamingove me atë të dy javëve të fundit në Tiranë, e cila është dominuar nga aktet e dhunshme. Protestën e dytë e shikon si të ndikuar politikisht nga forca të ndryshme, secila për qëllimet e veta.
“Këtë ndarje në fakt e kam parë pak me dyshim, është bërë enkas sepse ka një qëllim për ta dobësuar pak, për ta shuar atë pjesën e flamingos, sepse flamingo ndoshta na çoi në këtë protestën e dytë, dhe për të bërë këtë ndarje të këtyre dy protestave vetëm sepse duke shkuar vetëm te protesta e dytë ti në fakt e zvogëlon të gjithën dhe nuk e pranon të dyja pjesët, si anën paqësore të saj ashtu edhe anën e dhunshme të saj, sepse s’ke dëshirë t’i vësh një baraspeshë dhe ke qejf vetëm të shohësh anën e vogël të gjësë, dhe kjo më duket pak edhe e qëllimtë dhe e shoh që vjen nga të dyja palët”, tha Açka.
Reagimi ndaj deklaratave të Berishës
E pyetur për deklaratën e Sali Berishës se janë të rinjtë demokratë ata që kanë iniciuar dhunën në protesta, shkrimtarja tha se lideri i PD duhet ta pranojë këtë.
“Në qoftë se është PD, duhet të marrë përsipër edhe pjesën e dhunshme të kësaj, nëse është kështu”, u shpreh ajo.
Në analizën e saj, reagimi i protestës vjen nga një lodhje e qytetarëve me detyrat e papërmbushura të PD si opozitë dhe mosripërtëritja e saj. Açka thotë se kjo ka qenë “pika e vlimit” dhe i ka detyruar që në njëfarë mënyre të zëvendësojnë opozitën.
“Pika e vlimit mbërriti kur shqiptarët pritën që Partia Demokratike do të merrte përsipër detyrën e opozitës. Por kur panë që në fakt ajo kishte hyrë vetëm në një proces riciklimi dhe s’kishte ndërmend të ndryshonte, u kthye nga Partia Demokratike e tyre, u kthye në një SHPK në njëfarë mënyre, atëherë aty si duket u humb dhe shpresa. A thanë, po qe puna për një opozitë të tillë që nuk ka dëshirë të jetë demokratike, që nuk ka dëshirë të marrë përsipër fatet e atdheut, s’ka dëshirë që të jetë në pushtet, atëherë më mirë po bëhemi ne opozitë. Si mund ta bëjë Partia Demokratike këtë, duke nisur që nga largimi i kryedemokratit? E ka pasur shumë të lehtë Berisha, e ka pasur shumë të lehtë. Berisha ka vendin e tij në Partinë Demokratike. Nuk e diskuton njeri fare këtë gjë. Mund ta fuste Partinë Demokratike në një proces, por duke menduar që vetëm unë jam dhe s’ka njeri tjetër, sepse ky është problemi i pushteteve shqiptare”, tha Açka.
Çështja e transferimit të Erion Veliajt
Lidhur me çështjen e transferimit të Erion Veliajt nga burgu i Durrësit në atë të Fierit gjatë ditës së djeshme, shkrimtarja thotë se është veçse një shpërqendrim vëmendjeje. Ajo nuk i jep shpjegim as reagimit të PD në mbrojtje të tij, pas gjithë përpjekjeve për ta hequr kryebashkiakun.
“Kam përshtypjen sikur është më shumë për të bërë një shashkë në kushtet që jemi ne, dhe kur është në fakt pushteti pothuajse i shkundur mirë, kam përshtypjen se të bëjnë shashka. Janë shashka që i kemi parë gjatë gjithë kësaj kohe. Mua më është dukur shumë e çuditshme përfshirja e PD-së me kaq zell të madh në këtë gjë, s’e kam kuptuar dot. Nuk e di, pse? Sepse po kjo PD ishte që bëri 100 e ca protesta për ta hequr Veliajn. S’kuptoj tani, ka një gjë që nuk shkon, po s’e kuptoj”, tha Açka.
Burimi: shqiptarja.com










