Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Protesta e 28 Nëntorit: shqiptarët në shesh kundër Ramës, policia në terren

Protesta e 28 Nëntorit: shqiptarët në shesh kundër Ramës, policia në terren
Foto: gazetadita.al

Në Ditën e Pavarësisë, studentë, qytetarë dhe shqiptarë nga brenda dhe jashtë vendit pritet të mblidhen sot në Tiranë për të protestuar kundër qeverisë.

Tubimi është paralajmëruar të zhvillohet përpara Ministrisë së Arsimit, nga ku pjesëmarrësit pritet të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë. Në disa prej njoftimeve të publikuara në rrjetet sociale është bërë thirrje për nisjen e protestës në orën 10:00, ndërsa në të tjera në orën 12:00.

Prej disa ditësh, organizatorët dhe protestuesit kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive në tubim, ndërsa ndër kërkesat e tyre është edhe dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

Masat e shtuara të Policisë së Shtetit

Në kuadër të zhvillimit të protestës, Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa të shtuara për garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Sipas raportimeve të fundit, mbi 2500 efektivë policie, përfshirë edhe punonjës policie me veshje civile, pritet të angazhohen në terren.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar një takim me drejtuesit e strukturave përkatëse, gjatë të cilit janë dhënë udhëzimet për mbarëvajtjen e tubimit dhe është hartuar plani i masave.

Efektivëve mësohet se u është kërkuar të ruajnë qetësinë, të mos bien pre e provokimeve të mundshme dhe të veprojnë në përputhje me ligjin.

RENEA dhe FNSH në gatishmëri

Në planin e masave janë përfshirë efektivët e gjashtë komisariateve të kryeqytetit, të cilët do të mbështeten edhe nga strukturat policore të Vorës dhe Krujës.

Në gatishmëri do të jenë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), reparti special RENEA, njësitë “Shqiponja” dhe Policia Rrugore. Gjithashtu, janë parashikuar edhe automjetet ujëhedhëse, të cilat mund të përdoren në rast të përshkallëzimit të situatës dhe akteve të dhunshme.

Nën masa të shtuara sigurie do të jenë institucionet kryesore, përfshirë Ministrinë e Arsimit, Kryeministrinë, Kuvendin dhe selinë e Partisë Socialiste.

Kontrolle të shtuara në kufi, angazhohet edhe Antiterrori

Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet edhe pikave të kalimit kufitar me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, pas informacioneve për pjesëmarrjen e mundshme në protestë të grupeve të organizuara nga këto vende.

Në kontrollet kufitare mësohet se do të angazhohen edhe strukturat e Antiterrorit, në bashkëpunim me Policinë Kufitare.

Sipas burimeve policore të cituara në raportime, kontrollet synojnë identifikimin e personave që kanë bërë thirrje për dhunë apo për të cilët disponohen informacione se mund të përbëjnë rrezik për rendin dhe sigurinë publike.

Angazhimi i forcave policore në terren është parashikuar të nisë që prej orës 07:00 të mëngjesit.

Vëmendja e Policisë Rrugore do të përqendrohet kryesisht në Rrugën e Durrësit dhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa kufizimet dhe devijimet e qarkullimit të automjeteve do të përcaktohen në varësi të itinerarit që do të ndjekin protestuesit.

Masat e shtuara të sigurisë vijnë pas incidenteve të regjistruara gjatë protestave të mëparshme studentore, të cilat në disa raste janë shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.

j.l./ dita

Burimi: gazetadita.al

Të fundit Të gjitha