Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Ministri Hoxha: Buxheti 2027 mbështet Shqipërinë evropiane dhe diplomacinë moderne

Ministri Hoxha: Buxheti 2027 mbështet Shqipërinë evropiane dhe diplomacinë moderne
Foto: shqiptarja.com

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, theksoi se buxheti i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë është një investim në përparësitë themelore të vendit, si rendi dhe siguria, shëndetësia, arsimi dhe politika e jashtme.

Ai e shprehu këtë përmes një videomesazhi në rrjetin social X: “Buxheti që Kuvendi i Shqipërisë miratoi nuk është thjesht një tabelë shifrash. Është një investim në Shqipërinë që duam të ndërtojmë”.

Buxheti i politikës së jashtme për 2027

Hoxha sqaroi se buxheti i politikës së jashtme për vitin 2027 arrin në rreth 40 milionë euro. Pjesa e konsiderueshme e tij, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i shërben objektivit kryesor kombëtar: integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Sipas tij, në një moment vendimtar të rrugëtimit drejt BE-së, vendi ka nevojë për një diplomaci më të fortë, më profesionale dhe më moderne. Kjo diplomaci duhet të jetë e lidhur ngushtë me zhvillimin e vendit dhe të ndihmojë në promovimin e ekonomisë dhe të eksporteve.

Buxheti 2027, shtoi ai, sjell më shumë mundësi dhe instrumente për ta bërë diplomacinë një forcë edhe më të madhe në shërbim të vendit: më shumë Shqipëri në Evropë dhe më shumë mundësi për Shqipërinë në botë.

“Na duhet një diplomaci që nuk mjaftohet vetëm me përfaqësimin e Shqipërisë, por punon çdo ditë për të mbrojtur dhe çuar përpara interesat e saj. Kjo nënkupton kapacitete më të mëdha për të përballuar sfidën e anëtarësimit në BE, një shërbim diplomatik modern dhe konkurrues, shërbime konsullore më cilësore dhe më pranë qytetarëve tanë jashtë vendit, si dhe një diplomaci ekonomike, jo si slogan i bukur por si nje realitet i prekshëm, që nxit e sjell investime, që promovon eksportet shqiptare dhe hap mundësi të reja për ekonominë dhe biznesin shqiptar”, tha ai.

Diplomacia si investim strategjik

Për Shqipërinë e sotme dhe projektimin e saj për të ardhmen, nënvizoi ministri, diplomacia nuk është shpenzim, por investim strategjik në sigurinë, zhvillimin, ndikimin dhe të ardhmen evropiane të vendit.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha