Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Rama: Kryeqyteti ka 2 vjet pa drejtim, kush nuk punon nuk ka vend në PS

Rama: Kryeqyteti ka 2 vjet pa drejtim, kush nuk punon nuk ka vend në PS
Foto: top-channel.tv

Kryetari i PS, njëkohësisht kryeministri Rama, po mban fjalën e tij në Asamblenë e PS Tiranë. Mes të tjerash ai u shpreh:

“Ky organizim i ri do ta marrë forcën e vet te arritjet e mëdha të PS për Shqipërinë dhe shqiptarët; ky pasqyrim kuptimplotë për këtë është buxheti. Por forcë bindëse do të fitojmë edhe duke kthyer deficitin që ka krijuar për Tiranën humbja e drejtësisë së re. Nga njëra anë, paraburgimi që i është bërë, e nga ana tjetër vendimi absurd i Gjykatës Kushtetuese për ta lënë në detyrë.

Ky absurditet antidemokratik, që e ka 2 vjet kryeqytetin e Shqipërisë me kokë të prerë, është i pashoq në historinë e Evropës demokratike. Nuk ishte në dorën tonë ta ndalonim dhe ta zhbënim, pavarësisht se haraçin e këtij absurdi e paguajnë çdo ditë qytetarët e Tiranës. Në dorën tonë është t’u tregojmë qytetarëve si do ta rifitojmë kohën që humbi Tirana në këto 2 vite.

Rindërtimi, strehimi dhe shërbimet për familjet

Si do ta mbyllim plagën e rindërtimit, si do ta rrisim volumin e apartamenteve sociale dhe si do ta krijojmë shtresën e re zhvillimore të strehimit të përballueshëm. Si do ta rrisim numrin e kopshteve, çerdheve dhe shkollave, që janë kusht për mbarëvajtjen e punës së prindërve në familjet e reja. Si do ta rrisim rrjetin me shtëpi-muze, pasi i kemi shpëtuar nga shembja? Po sistemin e ujit dhe të mbetjeve, si do t’i çojmë në nivel tjetër përmes partneritetit që po lidh qeveria me kompani ndërkombëtare.

Taksat dhe biznesi i vogël

Nuk ka kuptim që shteti ta ketë zero taksën për biznesin e vogël, ndërsa bashkitë ta ngarkojnë me lloj-lloj taksash të ndryshme. Në këtë kontekst, ku ne nisim sot organizimin e ri, mbani parasysh faktin se në Tiranën që e kemi fituar 6 herë në 7 gjithsej në 26 vitet e fundit, kemi qenë gjithnjë një ofertë e nivelit tjetër.

Kur nuk e mbajtëm dot fitoren, na mundi vjedhja me vulë gjykate dhe na la në baltë organizimi i bërë me mendjelehtësinë e skuadrës që hyn në fushë me idenë se e ka fitoren në xhep. Nuk shkojmë me këtë mendjelehtësi këtë herë. Dua ta bëj të qartë për të gjithë se kush do të sillet si e ëma e Zeqos në majë të thanës, nuk do të ketë më vend në këtë shtëpi të madhe politike, ku të gjithë janë të nevojshëm, por askush nuk është i domosdoshëm”, u shpreh Rama mes të tjerash.

Burimi: top-channel.tv

Të fundit Të gjitha