Nënkryetarja e Kuvendit dhe deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi, ka folur në emisionin “Frontline” për kryebashkiakun Erion Veliajn, i cili ka kërkuar të marrë pjesë në Asamblenë e PS-së të shtunën, edhe përmes një lidhjeje online.
Vendimi i takon SPAK-ut dhe drejtësisë
Kushi tha se kjo çështje nuk është në kompetencën e Partisë Socialiste, por të SPAK-ut dhe drejtësisë. Sipas saj, PS-ja nuk mund të ndërhyjë në vendimmarrjen e drejtësisë, ndërsa theksoi se të gjithë anëtarët e Asamblesë janë të ftuar të marrin pjesë, në përputhje me statutin dhe rregulloren e partisë.
Ajo shtoi se bëhet fjalë për një rast të veçantë dhe të paprecedentë. Sipas Kushit, fillimisht duhet pritur vendimi i SPAK-ut, pas të cilit forumet drejtuese të PS-së do të përcaktojnë mënyrën e procedimit.
“Kjo nuk është vendimmarrje e jona, kjo është çështje e SPAK-ut dhe e drejtësisë, kështu që nuk na mbetet ne të vendosim se si do të jetë. Partia Socialiste nuk mund të ndërhyjë te SPAK-u. Unë mendoj se të gjithë anëtarët duhet të jenë të pranishëm. Në dijeninë time, nuk është Partia Socialiste ajo që vendos për këtë çështje, për vetë kushtet në të cilat ndodhet Erion Veliaj. Por, përtej kësaj, sigurisht që ne kemi një statut dhe një rregullore. Dihet se cilët janë anëtarët. Të gjithë anëtarët e Asamblesë janë të ftuar për të qenë pjesë. Në këto kushte, jemi në një rast të veçantë, të paprecedentë, për të cilin nuk mund të flas. Nuk e kemi hasur më parë një rast të tillë, por presim vendimmarrjen e SPAK-ut dhe më pas do të vendosin Kryesia apo forumet drejtuese të PS-së se si do të procedohet.”, tha Kushi.
Fokusi i Asamblesë: zgjedhjet e 9 majit
Kushi bëri me dije se në qendër të diskutimeve në Asamblenë e PS-së do të jenë përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme të 9 majit.
“Në asamblenë e së shtunës ka disa çështje që do të diskutohen. Kemi përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme të 9 majit. Ky është momenti që të fillojmë të angazhohemi me të gjitha strukturat, që nga organizatat e Partisë Socialiste, kudo në të gjithë territorin, por edhe me forumet e tjera drejtuese. Gjithmonë ka vend për ndryshime, për përmirësime, në funksion të objektivave, të qëllimit.
Emrat e kandidatëve për kryetarë bashkie
Kur u pyet nëse emrat e kandidatëve për kryetarë bashkie do të bëhen publikë në mbledhje, Kushi nuk e konfirmoi një gjë të tillë. Ajo tha se vendimi do të merret pas diskutimeve dhe votimit të përbashkët në Asamble. Sipas saj, mbledhja do të përcaktojë më shumë kriteret dhe procesin për përzgjedhjen e kandidaturave deri në fushatën e ardhshme.
“Nuk mund ta them, sepse kjo do të jetë sigurisht pas diskutimeve dhe pas vendimmarrjes së përbashkët të Asamblesë. Nuk besoj se do të gjeni të gjithë emrat. Mund të kemi më shumë kriteret dhe procesin. Ne do të përcaktojmë procesin se si do të shkojmë te emrat. Unë besoj se më shumë sesa për emrat specifikë, në Asamble ne do të diskutojmë për procesin, hapat dhe çfarë do të ndodhë deri në fushatën e ardhshme.”, tha Nënkryetarja e Kuvendit.
Burimi: shqiptarja.com










