TIRANË, 12 nëntor /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot rregullat, procedurat dhe llojet e pushimeve me ose pa pagesë, si dhe kushtet për përfitimin e lejes pa të drejtë page për punonjësit operacionalë të Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (AMSEVP).
Sipas vendimit, çdo punonjës operacional do të ketë të drejtën e 30 ditëve kalendarike pushim vjetor të paguar. Periudha e pushimeve do të planifikohet pas konsultimit me punonjësin dhe duke garantuar vijimësinë e punës së Agjencisë. Gjithashtu, pushimet mund të ndahen në periudha të ndryshme gjatë vitit, me miratimin e autoritetit kompetent.
Pushime të paguara për ngjarje familjare
Vendimi parashikon edhe pushime të tjera të paguara për ngjarje të rëndësishme familjare. Konkretisht, punonjësit do të përfitojnë: 5 ditë pushim me pagesë për lidhjen e martesës; 3 ditë për lindjen e fëmijës, kur punonjësi është bashkëshorti ose bashkëjetuesi i nënës; 5 ditë për vdekjen e bashkëshortit, bashkëjetuesit, fëmijës, prindit, gjyshit ose gjyshes. Këto ditë janë kalendarike dhe nuk zbriten nga pushimet vjetore. Ato duhet të merren pa ndërprerje dhe në lidhje të drejtpërdrejtë me ngjarjen përkatëse.
Një tjetër parashikim lidhet me rastet e sëmundjeve të rënda në familje. Punonjësit operacionalë mund të përfitojnë deri në 30 ditë pushim pa pagesë, në rast sëmundjeje të rëndë të anëtarëve të familjes, bashkëjetuesit, paraardhësve ose pasardhësve të drejtpërdrejtë. Për këtë duhet të paraqitet raporti mjekësor dhe, sipas rastit, dokumentacioni që vërteton lidhjen familjare.
Lejet pa të drejtë page
Vendimi përcakton gjithashtu mundësinë e përfitimit të lejes afatshkurtër pa të drejtë page, deri në 2 muaj. Kërkesa duhet të paraqitet pranë strukturës së burimeve njerëzore, si rregull, të paktën 30 ditë përpara fillimit të lejes. Në raste të veçanta, kur shkaku nuk mund të parashikohej, punonjësi mund të kërkojë që leja të fillojë brenda 5 ditëve nga paraqitja e kërkesës. Autoriteti kompetent duhet të marrë vendim brenda 48 orëve nga paraqitja e dokumentacionit të plotë.
Përveç kësaj, parashikohet edhe leja afatgjatë pa të drejtë page, nga mbi 2 muaj deri në 6 muaj, për qëllime studimi ose kualifikimi brenda apo jashtë vendit. Kjo e drejtë u njihet punonjësve operacionalë, me përjashtim të drejtorit të përgjithshëm dhe drejtuesve të degëve territoriale. Miratimi i kësaj lejeje bëhet nga ministri i Drejtësisë.
Një element i rëndësishëm i vendimit është se periudhat e pushimit pa pagesë dhe të lejeve afatshkurtra e afatgjata pa të drejtë page nuk llogariten në vjetërsinë në punë dhe as për efekt të ecurisë në karrierë.
Procedura e kërkesave
Sa i përket procedurave, kërkesat paraqiten me shkrim pranë strukturës përgjegjëse për burimet njerëzore, së bashku me dokumentacionin përkatës. Miratimi ose refuzimi bëhet me akt të shkruar nga autoriteti kompetent, në varësi të pozicionit të punonjësit.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe ngarkon Ministrinë e Drejtësisë dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale për zbatimin e tij.
/m.q/r.e/a.f/
Burimi: ata.gov.al










