12 nëntor 2026, 21:55

Edicioni i gjashtë i “Nëntorit Shqiptar” solli në New York një mbrëmje me muzikë, bukuri, traditë, çmime speciale dhe surpriza emocionuese.
Në ambientet e Capital Ballroom, spektakli “Nëntori Shqiptar 2026” bashkoi artistë të njohur, personalitete të suksesshme dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nën drejtimin e Teni Vllaçajt, Ina Dajçit, Miss Universe Albania 2021, dhe Soli Simakut, Miss Globe NY 2026, mbrëmja solli një program të pasur artistik me kulturën, identitetin dhe vlerat shqiptare në qendër.
Xhensila Pere prezantoi Red Carpet-in e përvitshëm
Red Carpet-i, një traditë e përvitshme e “Nëntorit Shqiptar”, mirëpriti edhe në këtë edicion artistët, personalitetet dhe të ftuarit specialë. Edhe këtë vit, prezantimi i tij iu besua Xhensila Peres, e cila solli atmosferën festive të mbrëmjes që në momentet e para.

Adelina Ismaili, Valbona Mema dhe Gëzim Nika, yjet e spektaklit
Diva e muzikës shqiptare, Adelina Ismaili, ishte një nga emrat kryesorë të këtij edicioni. Artistja u nderua me një çmim special për kontributin e saj në muzikën shqiptare dhe dhuroi një performancë live.

Valbona Mema, e vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, mori një çmim mirënjohjeje për karrierën dhe kontributin e saj artistik, duke sjellë edhe një performancë muzikore.

Në skenë u ngjit edhe Gëzim Nika, bilbili i Tropojës, i cili u vlerësua për kontributin në muzikën shqiptare dhe interpretoi për publikun.
Ilsi Ademi mbylli spektaklin me performancën e fundit muzikore
Finalja e mbrëmjes iu besua këngëtarit shkodran Ilsi Ademi, i cili performoi i fundit në skenën e “Nëntorit Shqiptar 2026”. Me interpretimin e tij live, ai i dha ritëm dhe energji mbylljes së spektaklit, duke përmbyllur programin artistik të edicionit të gjashtë.
Albulena Alijaj shpallet Miss Albania New York 2026
Një nga momentet më të bukura të spektaklit ishte kurorëzimi i Albulena Alijajt si Miss Albania New York 2026. Vajzat konkurrente u prezantuan në dy sfilata, me kostume tradicionale shqiptare dhe veshje glamour, duke sjellë në skenë elegancën dhe identitetin shqiptar.
Mes emocioneve dhe duartrokitjeve, Albulena Alijaj mori kurorën e Miss Albania New York 2026. Sipas formatit të konkursit, tri vendet e para kualifikohen për Miss Universe Albania 2027.
Ilva Tare, Marko Kepi, Mani Gashi dhe emra të tjerë marrin vlerësime speciale
Spektakli i kushtoi hapësirë personaliteteve që kanë kontribuar në fusha të ndryshme. Mes të nderuarve ishin gazetarja Ilva Tare, Marko Kepi dhe Mani Gashi.
Vlerësime speciale u parashikuan gjithashtu për Argjendari Pirro dhe artistin Erik, pjesë e showbizit ndërkombëtar.
Produksioni surprizon Teni Vllaçajn me një çmim mirënjohjeje për kontributin e tij
Një nga momentet më emocionuese të spektaklit ishte surpriza e përgatitur nga produksioni për Teni Vllaçajn, prezantuesin dhe bashkëthemeluesin e “Nëntorit Shqiptar”.
Pas gjashtë edicionesh në drejtimin e këtij eventi, produksioni e vendosi Tenin në qendër të vëmendjes, duke e nderuar me një çmim special mirënjohjeje për kontributin, përkushtimin dhe angazhimin e tij ndër vite.
Surpriza u realizua nga dy bashkëprezantueset, Ina Dajçi dhe Soli Simaku, të cilat i dorëzuan çmimin në skenë. Ky vlerësim shënoi një falënderim për rolin e tij në vazhdimësinë e gjashtë edicioneve të spektaklit.
Tradita shqiptare merr jetë në skenë
Grupi i Valleve “Rrënjët Shqiptare” (Albanian Roots) solli një performancë me valle tradicionale, duke përcjellë bukurinë e folklorit shqiptar. Pjesë e programit ishte edhe projekti “Etnografia Shqiptare”.
Lorna Hysa shoqëroi me performancë live sfilatën e etnografisë kombëtare
Një tjetër moment i veçantë i “Nëntorit Shqiptar 2026” ishte sfilata e etnografisë kombëtare, e cila promovoi pasurinë e veshjeve tradicionale dhe trashëgiminë kulturore shqiptare. Sfilata u shoqërua nga performanca live e këngëtares Lorna Hysa, duke ndërthurur muzikën me prezantimin e etnografisë shqiptare në skenën e New York-ut.
Blerti Talelli, përgjegjës për produksionin video, rikthehet pas 10 vitesh
Produksioni video i këtij edicioni iu besua Blerti Talellit. Pas 10 vitesh, ai bashkëpunoi sërish me stafin me të cilin kishte nisur rrugëtimin në Shqipëri në vitin 2016. Ribashkimi në New York solli një lidhje të veçantë mes fillimeve profesionale dhe këtij edicioni të spektaklit.
Një mision për kulturën, lidhjet me Shqipërinë dhe turizmin
Përtej spektaklit artistik, “Nëntori Shqiptar” organizohet për të promovuar kulturën dhe traditat shqiptare, për të forcuar lidhjet e diasporës me vendin e origjinës, Shqipërinë, si dhe për të promovuar turizmin shqiptar. Eventi synon të ruajë identitetin kombëtar dhe të afrojë brezat e rinj me rrënjët e tyre.
Mbështetje e rëndësishme për Daman Inc. nga Fotini Kokeri
Një mbështetje e madhe për shoqatën Daman Inc. u dha nga zonja Fotini Kokeri, përmes fondacionit të saj “Fotini Altezi Kokeri”. Ky kontribut ndihmoi në mbështetjen e misionit kulturor dhe promovues të eventit.
Eduart Deda, producenti pas gjashtë edicioneve të “Nëntorit Shqiptar”
Pas spektaklit qëndron producenti Eduart Deda, i cili vazhdon traditën e organizimit të një mbrëmjeje që bashkon artin, bukurinë dhe personalitetet shqiptare në New York.
Me gjashtë edicione, “Nëntori Shqiptar” është kthyer në një platformë promovimi për artistët, talentet dhe historitë e suksesit të shqiptarëve. Mes mbështetësve të këtij edicioni janë edhe projektet Green Coast dhe Vlora Marina.
“Nëntori Shqiptar 2026” dëshmoi edhe një herë se arti, muzika, bukuria dhe tradita janë ura që bashkojnë shqiptarët kudo në botë.
Burimi: bordo.al










