Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Sport

Historia përsëritet: nga Reja te Maran ndryshon vetëm një detaj

Historia përsëritet: nga Reja te Maran ndryshon vetëm një detaj
Foto: top-channel.tv

Fitorja 2-0 ndaj Finlandës e ngjiti Shqipërinë në 12 pikë dhe në krye të grupit C1. Tani skuadra e Maranit ka gjithçka në dorë: një barazim ndaj Bjellorusisë në ndeshjen e fundit siguron vendin e parë dhe ngjitjen direkte në Ligën B.

Shqipëria është vetëm 90 minuta larg një objektivi të rëndësishëm. Fitorja 2-0 ndaj Finlandës e konfirmoi kuqezinjtë në krye të grupit C1 të Nations League, me 12 pikë pas pesë ndeshjesh. Gjithçka do të vendoset në përballjen e fundit me Bjellorusinë, më 15 nëntor.

Forma e kuqezinjve deri tani

Shqipëria ka regjistruar katër fitore dhe vetëm një humbje, atë në transfertën finlandeze. Përveç suksesit të fundit në Tiranë, kuqezinjtë kanë mposhtur Bjellorusinë 2-0, San Marinon 3-0 në transfertë dhe 2-1 në shtëpi. Bilanci i golave është gjithashtu pozitiv: 10 të shënuar dhe vetëm 3 të pësuar.

Pas fitores së sotme, Shqipëria kryeson me 12 pikë, e ndjekur nga Bjellorusia me 10, Finlanda me 7 dhe San Marino pa pikë. Bjellorusët fituan 2-0 në transfertë ndaj San Marinos dhe mbeten kërcënimi i vetëm për kreun.

Skenarët për ndeshjen e fundit

Përballja e fundit, Bjellorusi–Shqipëri, do të luhet më 15 nëntor, në orën 18:00, në një stadium neutral dhe pa tifozë. Fitorja e siguron vendin e parë, ndërsa edhe barazimi do t’i mjaftonte Shqipërisë për të mbyllur grupin me 13 pikë, dy më shumë se Bjellorusia. Vetëm humbja do t’ia kalonte kreun kundërshtarit.

Rëndësia e këtij objektivi është e madhe. Fituesi i grupit siguron promovimin direkt në Ligën B për edicionin 2028-2029, ndërsa skuadra që renditet e dyta duhet të kalojë përmes një faze play-off-i në mars 2027, përballë një përfaqësuesjeje që përfundon e katërta në Ligën B.

Një skenar ndryshe nga ai i vitit 2020

Edhe në edicionin 2020-2021, Shqipëria e mbylli grupin e Nations League në vendin e parë, nën drejtimin e Edi Rejës. Atëherë, kuqezinjtë grumbulluan 11 pikë në gjashtë ndeshje, me tri fitore, dy barazime dhe një humbje, duke lënë pas pikërisht Bjellorusinë.

Edhe atëherë, ndeshja vendimtare ishte kundër bjellorusëve, por situata ishte më e vështirë: Shqipërisë i duhej patjetër fitorja. Kuqezinjtë triumfuan 3-2 në Tiranë, me dy gola të Sokol Cikalleshit dhe një të Rey Manajt.

Këtë herë, situata është më e favorshme. Shqipëria ka grumbulluar 12 pikë në vetëm pesë ndeshje, ka shënuar më shumë dhe ka pësuar më pak gola se në të gjithë edicionin e vitit 2020. Mbi të gjitha, nuk ka më nevojë për një fitore me çdo kusht.

Pas zhgënjimit të edicionit 2022-2023, kur në Ligën B Shqipëria përfundoi e fundit në grup me vetëm dy pikë, rikthimi në këtë nivel është një mundësi që kuqezinjtë nuk duan ta humbasin.

Maran dhe skuadra e tij kanë bërë pjesën më të madhe të punës. Tani mbetet vetëm hapi i fundit: të shmangin humbjen ndaj Bjellorusisë dhe të sigurojnë kreun e grupit C1.

Burimi: top-channel.tv

Të fundit Të gjitha