Blendi Klosi, i ftuar këtë mbrëmje në Top Story, foli për mbledhjen e së shtunës të Asamblesë së PS-së dhe, si çështja kryesore, largimin e Elisa Spiropalit nga forumet e partisë.
Shkarkimi nga forumet, jo nga partia
Klosi tha se Elisa Spiropali nuk është shkarkuar nga partia, por nga të gjitha forumet e PS-së. Kur Grida Duma e pyeti drejtpërdrejt nëse ai kishte votuar për këtë shkarkim, ai nuk u përgjigj.
Sipas tij, forumet vendosën të përjashtojnë Spiropalin nga të gjitha strukturat pas kërkesës së Asamblesë.
Mbledhja dhe vendimi për Plarent Ndrecën
“Ishte një mbledhje rutinë për fushatën dhe organizimin tonë, mbledhje pune. Sigurisht, një pjesë e mbledhjes ishte me dyer të mbyllura. Pas mbledhjes jemi shpërndarë dhe kemi nisur punën për fushatën. E prisnim të kishte diskutim të gjerë për ku duhet të fokusohemi në fushatë, që të mos prodhojmë lajm në 6 muajt që vijnë, kush do jetë fokusi ynë.
U mor vendimi për t’i përjashtuar nga të gjitha forumet e PS-së, edhe Plarent Ndrecën. Ne nuk jemi parti që shkarkojmë njerëz, këtë filozofi ka pasur edhe në dekadat e fundit, që të jetë e hapur. E kemi edhe në statut që mund të regjistrohet edhe online. Kjo është mënyra si formohet Asambleja, dhe si shkarkohet bazohet në statusin e Asamblesë, që ua jep forumeve të partisë… Kjo është përbërja si krijohet forumi i lartë i PS-së. Neni 22 i jep të drejtë forumeve që, për arsye që i gjykon vetë Asambleja, të kërkojë shkarkimin.
Ishin tre kolegë që patën diskutime dhe e gjithë Asambleja mori këtë vendim. Sipas mënyrës si funksionon, u shkarkuan të dy anëtarët nga forumet e Asamblesë së PS-së. Asambleja e mbajti këtë qëndrim dhe të dy kolegët janë shkarkuar nga forumet e PS-së, por jo nga PS-ja. Nga partia nuk kemi shkarkuar askënd”, tha ai.
Arsyet e largimit
Kur u pyet cila ishte “vija e kuqe” që kaloi Spiropali dhe që solli këtë largim, Klosi u përgjigj: “Këto janë të gjitha problemet tona të brendshme. Publiku duhet të dijë se ku fokusohet PS-ja, dhe biseda është thjesht dhe shumë e qartë. Janë organizimet tona të brendshme.”
Burimi: lajmifundit.al










