Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Pse hoqën semaforët? Shpjegimi që nuk e prisje

Pse hoqën semaforët? Shpjegimi që nuk e prisje
Foto: tirananews.al

Nga Ilir Yzeiri

Përse i shkulëm semaforët?

Dhuna ndaj institucioneve publike dhe private, gjuajtjet me gurë dhe molotovë, zjarret në dyert dhe dritaret e godinave shtetërore kanë lënë gjurmë të thella në vetëdijen tonë. Sot, nëse del në Tiranë, përveç trishtimit të ndjen edhe një ndjenjë pesimizmi.

Pesimizmi dhe trishtimi nuk vijnë aq nga xhamat e thyera apo nga dritaret e disa ministrive, të cilat tani janë mbuluar me llamarina. Këto dëme mund të riparohen shpejt dhe janë, në një farë mënyre, më të kufizuara.

Ajo që të brengos është shkatërrimi i semaforëve. Nga kurioziteti, këto ditë kërkova në internet dhe u informova për dëmet e protestave në Francë dhe Itali. Atje dëmtimet ishin edhe më të mëdha se te ne.

Në Francë, në një nga protestat e dhunshme, u dogj edhe godina historike e bashkisë së Limozhit, e shekullit XVII. Por nuk kam gjetur asnjë rast ku të jenë shkulur semaforët. Këtu te ne, ndërkohë, semaforët u sulmuan dhe u shkulën.

Nga vjen ky instinkt shkatërrues? Semaforët janë pjesë e kodit të shenjave jo verbale dhe janë mjete komunikimi. Semiotika i studion shenjat e qarkullimit rrugor, ashtu si studion shenjat gjuhësore.

Këto shenja dhe shenjat e tjera joverbale ndihmojnë një shoqëri të komunikojë. Janë po aq të domosdoshme sa edhe gjuha. Nëse shenjat gjuhësore jetojnë në gjuhën që flasim, shenjat e qarkullimit rrugor jetojnë te semaforët. Në këtë kuptim, semaforët janë si një libër, si një tekst. Janë gjithashtu universalë dhe të pranuar nga të gjithë.

Pas alfabetit dhe gjuhës, fëmijëve u mësojmë në shkollë shenjat e qarkullimit rrugor, pra këtë libër dhe këtë tekst, sepse pa i njohur ato fëmijët nuk kanë jetë të sigurt.

Nga kjo pikëpamje, të sulmosh semaforët dhe të shkatërrosh sistemin e shenjave që rregullojnë komunikimin në hapësirën qytetare do të thotë t’i bësh atentat gjuhës dhe komunikimit. Është njëlloj si të djegësh trupin e gjuhës. Kush mund të më thotë çfarë kuptimi ka ky akt? Çfarë lidhjeje kanë semaforët me qeverinë, me korrupsionin, me gjithë të këqijat që mund t’i atribuohen një qeverie, për të cilën protestuesit e dhunshëm duan ta rrëzojnë?

Nëse ky instinkt për të shkatërruar gjuhën dhe komunikimin mes nesh në hapësirën urbane na vjen nga brenda, atëherë nuk kemi të drejtë të ankohemi për atentatet që mund t’i jenë bërë gjuhës sonë nga ata që nuk e duan këtë vend. Ne vetë kemi një instinkt vrasës ndaj hapësirës sonë të përbashkët. Semaforët dhe sistemi i shenjave që rregullon qarkullimin janë pjesa më e rëndësishme e menaxhimit të përbashkët të hapësirës ku jetojmë.

Nuk jemi të vetmit që kemi nevojë për një kod shenjash për t’u orientuar kur lëvizim. E gjithë bota e gjallë ka një kod të tillë dhe e konsideron të shenjtë. Në historinë e asnjë vendi nuk ka njerëz që të sulmojnë gjuhën e tyre, kodin e tyre të qarkullimit.

Këtu nuk hyn asnjë lloj politike, sepse komunikimi është themel i jetës. Është kushti dhe arsyeja pse zgjohemi në mëngjes dhe pse dalim nga shtëpia. Imagjinoni për një çast sikur një ditë të zgjoheshim pa gojë, pa mundësinë për të folur e për të shkruar, pa mundësinë për të komunikuar.

Në atë moment jeta nuk do të mund të vazhdonte më. Askujt deri tani nuk i ka shkuar ndërmend të sulmojë gjuhën, mjetin e komunikimit dhe sistemin e shenjave. Edhe inteligjenca artificiale dhe sulmet hibride kibernetike kanë arritur deri te frigoriferët apo të dhënat e tjera, por askush nuk ka shkuar deri te sulmi ndaj semaforëve.

Këtë e kanë bërë vetëm shqiptarët që u derdhën në rrugët e Tiranës dhe i shkatërruan semaforët, duke shkatërruar gjuhën e komunikimit.

Dhe ironia është se ata shqiptarë dhe shqiptare që ishin të zjarrtë nga një dhunë e tillë mbanin në kokë qeleshe, mbanin në krahë një flamur shqiptar, ndërsa parullë kryesore ishte se Shqipëria nuk shitet. Në fakt, një Shqipëri pa gojë, pa gjuhë, pa shenja, jo vetëm që nuk do ta blinte askush, por edhe ata që prej kohësh pretendojnë se ky popull ka në përbërjen e vet shqiptarë që duan ta shkatërrojnë këtë vend, kanë rastin të na tregojnë përsëri me gisht.

Burimi: tirananews.al

Të fundit Të gjitha