Gazetari i Euronews Albania, Thimi Samarxhiu, këtë të shtunë e nisi transmetimin live me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë dhe Festës së Flamurit, duke vënë theksin te arritjet historike.
Rrugëtimi i vendit
Në fjalën e tij, Samarxhiu kujtoi rrugëtimin e vështirë të vendit që nga shpallja e pavarësisë në Vlorë, përmes luftërave, diktaturës dhe tranzicionit, deri te pavarësia e Kosovës, anëtarësimi në NATO dhe rruga drejt Bashkimit Evropian.
“28 Nëntori është më shumë se një festë. Është historia e një kombi që 114 vjet më parë shpalli se meritonte të ishte i lirë, të kishte shtetin dhe flamurin e vet.
Që nga Vlora e Ismail Qemalit, Shqipëria ka kaluar luftëra, pushtime, diktaturë, izolim, tranzicion të vështirë dhe demokraci. Kemi fituar pavarësinë, kemi përjetuar ndarjen e trojeve shqiptare, kemi parë Kosovën të bëhet e pavarur dhe kemi hyrë në NATO, duke nisur rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Sfidat e sotme
Kemi ndryshuar shumë, por jo gjithçka. Pas 114 vitesh, ende përballemi me korrupsionin, padrejtësinë, varfërinë dhe largimin e shqiptarëve. Ende kemi një shtet që duhet të fitojë besimin e qytetarëve të tij.
Në vitin 1912, sfida ishte të kishim Shqipërinë. Sot, sfida është të ndërtojmë një Shqipëri ku njerëzit të duan të jetojnë, ku drejtësia të jetë e barabartë për të gjithë dhe ku e ardhmja të mos kërkohet vetëm jashtë kufijve.
Sepse patriotizmi nuk matet me fjalimet për flamurin, por me atë që bëjmë çdo ditë për vendin tonë. Flamuri është i të gjithëve. Shqipëria është përgjegjësi e të gjithëve. Gëzuar 28 Nëntorin! Gëzuar Ditën e Pavarësisë dhe të Flamurit”, u shpreh gazetari Samarxhiu.
Burimi: euronews.al










