PRISHTINË, 28 nëntor/ATSH/ Marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë, pavarësisht trendeve pozitive në tregti, konsiderohen ende të pakënaqshme.
Bizneset nga të dyja anët kanë shprehur gatishmëri për thellimin e bashkëpunimit, por lidhjet ekonomike vazhdojnë të kufizohen kryesisht në shkëmbimin e mallrave, pa u shndërruar në një partneritet më të fortë ekonomik.
Rritje e eksporteve drejt Shqipërisë
Kosova ka eksportuar drejt Shqipërisë mallra në vlerë prej 182 milionë eurosh gjatë 10 muajve të parë të vitit 2026, duke shënuar rritje prej 39.3% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, pa përfshirë shërbimet, raporton KosovaPress.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, importet nga Shqipëria gjatë periudhës janar–tetor 2026 kanë arritur në 225.2 milionë euro, krahasuar me 243 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit 2025 dhe 281.3 milionë euro në janar–tetor 2024.
Eksportet e Kosovës drejt Shqipërisë kanë arritur në 182 milionë euro, nga 130.7 milionë euro sa ishin në 2025 dhe 136 milionë euro në 2024, krahasuar me muajt përkatës.
Vëllimi i përgjithshëm i shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve gjatë 10-mujorit të këtij viti ka arritur në 407.3 milionë euro, krahasuar me 373.7 milionë euro në 2025 dhe 417.3 milionë euro në 2024 (periudha janar–tetor).
Ngushtim i ndjeshëm i deficitit tregtar
Rritja e eksporteve dhe rënia e importeve kanë ndikuar në përmirësimin e bilancit tregtar të Kosovës me Shqipërinë.
Deficiti tregtar gjatë periudhës janar–tetor ka zbritur nga 145.3 milionë euro në 2024 dhe 112.3 milionë euro në 2025, në 43.2 milionë euro në 2026.
Mbulueshmëria e importeve me eksporte ka arritur në 80.8%, krahasuar me 53.8% në 2025 dhe 48.3% në 2024.
Produktet kryesore të importit nga Shqipëria
Energjia elektrike kryeson listën e produkteve të importuara nga Shqipëria gjatë 10 muajve të parë të këtij viti, me një vlerë prej 69.5 milionë eurosh.
Pas saj renditen çimentoja Portland me 40.9 milionë euro, panelet izoluese me 8.8 milionë euro, bitumi i naftës me 5.7 milionë euro, uji mineral me 5.7 milionë euro dhe profilet e aluminit me 4.9 milionë euro.
Ndër produktet më të importuara janë gjithashtu produktet e furrtarisë, domatet, shalqinjtë dhe preparatet për fasada e mure.
Produktet kryesore të eksportit drejt Shqipërisë
Edhe në eksportet kosovare drejt Shqipërisë dominon energjia elektrike, me një vlerë prej 59.5 milionë eurosh, krahasuar me 25.3 milionë euro në 2025 dhe 26.3 milionë euro në 2024.
Pas energjisë elektrike renditen pijet freskuese me 11.3 milionë euro, skrapi i aluminit me 8.9 milionë euro, birra me 7.1 milionë euro, gjedhët me 5.6 milionë euro dhe dyshekët me rreth 3 milionë euro.
Në mesin e mallrave më të eksportuara janë edhe produktet plastike, tubat metalikë, panelet izoluese dhe mielli i grurit.
Krahasimi i të dhënave për 10-mujorin e tri viteve tregon se Kosova ka zvogëluar deficitin tregtar me Shqipërinë me mbi 70% krahasuar me 2024, ndërsa eksportet kanë shënuar rritje prej rreth 34%.
Varësia nga importet e përgjithshme
Ndërkohë, Kosova po vazhdon të thellojë varësinë nga mallrat e importuara nga rajoni, Evropa dhe bota, duke e çuar deficitin tregtar në nivel të lartë. Kosova ka importuar mallra nga bota dhe rajoni në vlerë prej mbi 6.3 miliardë eurosh gjatë periudhës janar–tetor 2026, ndërsa eksportet arritën në 960 milionë euro.
Sipas të dhënave zyrtare të Doganës së Kosovës, importi shënoi rritje prej 8.5% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025, kur vlera e mallrave të importuara ishte 5.81 miliardë euro. /Kosovapress/
Burimi: ata.gov.al









