Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Ditën në zemër, natën në ëndërr: titulli origjinal është një shprehje poetike, por për një lajm mund të shkruhet kështu:

Ditën në zemër, natën në ëndërr: titulli origjinal është një shprehje poetike, por për një lajm mund të shkruhet kështu:
Foto: gazetaexpress.com

Shkruan: Arian Zeka

Mund të ketë qenë e enjte, 26 nëntor 1992, kur mësuesja Sadije, ajo e shkollës fillore, na caktoi për detyrë të shkruanim një poezi për Ditën e Flamurit. Nga droja se si do t’ia dilja, e mora për të madhe këtë kërkesë. Mund ta kenë bërë edhe shokët e shoqet e klasës. “Sikur nuk mjafton ‘Hymni i Flamurit’ i Nolit”, mund të jem ankuar atëherë. “Sikur bota paska nevojë për një poezi më shumë”, mund të kem shtuar më tej.

Sidoqoftë, babai më mësoi diçka për krijimin e rimave, e deri të hënën krijova një poezi me tri strofa. Nuk doli keq.

Flamuri si detyrë dhe si ndjenjë

Bota, në të vërtetë, nuk kishte nevojë për një poezi më shumë për flamurin e shqiptarëve, por ne, që jetonim nën okupimin klasik dhe segregacionin, po. Duhej ngulitur në zemër dhe në palcë se ishim shqiptarë, se kishim gjuhën dhe kulturën tonë, simbolet tona, festat tona dhe aspiratat tona.

Më lehtë se të shkruanim një poezi ishte kur na kërkohej ta vizatonim flamurin, edhe pse edhe këtu kishte rëndësi teknika e punimit. Nëse na kërkohej ta bënim me ngjyra tempera, duhej vrapuar në shtëpi për të parë nëse tubat kishin ngjyrë të mjaftueshme. S’ishte koha më e mirë për t’u shkaktuar prindërve shpenzime shtesë. E zeza nuk harxhohej aq shumë, meqë e përdornim rrallë, por e kuqja rëndom mungonte, dhe duhej të improvizonim.

Krejt ndryshe ishte kur na kërkohej ta bënim me ngjyra druri. Vështirësia ishte në vizatimin e shqiponjës, sepse, dorën në zemër, s’është flamuri më i lehtë për t’u vizatuar. Jo si ata trengjyrëshit e rëndomtë! Ishim me fat nëse kishim ndonjë nga ata kalendarët që gazetat dhe revistat e kohës zakonisht i jepnin si dhuratë në numrat festivë. E vendosnim në xhamin e dritares, dhe sipër tij fletën e vizatimit, për ta kopjuar, edhe pse na thuhej që s’ishte ide e mirë.

Por hej, edhe këtu përgjegjësia ishte e madhe! Duhej të dilte bukur. Ishte flamuri ynë.

Kënga e arsimtarit Vehbi

E kam gati të gjallë pamjen kur mësuesja solli në klasë arsimtarin Vehbi, të Kulturës Muzikore. Na thanë se do të mësonim një këngë të re. Mori pak kohë derisa u shkrua, varg për varg dhe strofë për strofë, në tabelë. Por bukuria e saj i tejkalonte fjalët e shkruara kur arsimtari po e këndonte për herë të parë, para se ne ta përsërisnim bashkë me të, më vonë.

“Ty flamur të duam shumë,
ti për ne je nënë dhe babë.
Për ty gjakun derdhim lum,
o flamuri i kuq me shkabë”,

fillonte kënga.

Nuk mbaj mend të na kenë treguar se kush e shkroi tekstin apo kush e kishte bërë kompozimin. Ndoshta s’kishte as shumë rëndësi. Ajo që mbaj në mend është melodia e veçantë dhe sa bukur e këndonim, e tërë klasa. Më dukej se ai kabineti i vogël, në të cilin mbanim mësim në kushte jo shumë të përshtatshme, në katin e parë të Shkollës Fillore “Dardania” në Prishtinë, buçiste më fuqishëm se Opera Shtetërore e Vjenës.

Në kokë, figurën e arsimtarit Vehbi e krahasoja me mësuesin Luan Sina nga filmi “Lulëkuqet mbi mure”, të interpretuar nga Timo Flloko, teksa recitonte poezinë “Anës lumenjve” të Nolit. E kisha parë më shumë se njëzet herë në videokasetat e kohës, të cilat i shkëmbenim me familjarë dhe të afërm të tjerë, meqë Televizioni i Prishtinës kishte vite që ishte mbyllur, dhe programi satelitor i Televizionit Shqiptar do të fillonte vetëm në vitin 1993.

Dita që duhej ndjerë, jo vetëm festuar

Pavarësisht aktiviteteve që bënim për Ditën e Flamurit, ajo që kishte rëndësi ishte çfarë ndjenim për të. Për ne në Kosovë, Dita e Flamurit nuk ishte thjesht festë. Ishte përgjegjësi që kërkonte angazhim. S’na lejohej ta përdornim të lirë, dhe prandaj e ruanim aty ku dora e milicisë okupatore s’e prekte dot.

Ditën e ndjenim në zemër, e natën e ëndërronim!

Më 28 nëntor 1997, Festa do të merrte një dimension krejt tjetër. Flamurin e kishin qëndisur në krahët e luftëtarëve tanë të lirisë. Ishte bërë edhe më i bukur.

Nuk e di nëse edhe atyre, si fëmijë, u ishte kërkuar të shkruanin poezi për Flamurin. Di vetëm se kënga dhe pushka buçisnin fort.

Kurrë më shumë se më 12 qershor 1999 nuk e kisha kuptuar peshën e poezisë që na u kërkua ta shkruanim në klasën e katërt. Festa të tjera të mëdha lindën ndërkohë, por asnjëra s’e zbehu rëndësinë e Ditës së Flamurit.

Flamuri e solli 12 Qershorin, dhe poezitë për Ditën e Flamurit mbajtën gjallë ëndrrën deri në 17 Shkurtin e vitit 2008!

Burimi: www.gazetaexpress.com

Të fundit Të gjitha