Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Elbasani nderon Flamurin dhe heronjtë e Pavarësisë

Elbasani nderon Flamurin dhe heronjtë e Pavarësisë
Foto: kohajone.com

Në një atmosferë festive dhe me pjesëmarrjen e shumë qytetarëve, familjeve dhe përfaqësuesve të institucioneve, Elbasani ka kremtuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, bashkë me deputetët e Elbasanit, përfaqësuesit e pushtetit vendor dhe prefektin e Qarkut, Ilir Bejtja, morën pjesë në aktivitetet përkujtimore dhe festive të organizuara në qytet.

Për nder të kësaj dite të rëndësishme kombëtare, homazhe u zhvilluan pranë bustit të Aqif Pashë Elbasanit, ku të pranishmit nderuan figurën e tij dhe kontributin e patriotëve elbasanas në rrugëtimin drejt Pavarësisë.

Lidhja historike me Elbasanin

Historia e kësaj date është e lidhur ngushtë edhe me Elbasanin. Më 25 nëntor 1912, tri ditë para shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, qyteti ngriti flamurin kombëtar nën udhëheqjen e Aqif Pashë Elbasanit. Me këtë akt historik, Elbasani u bë një nga qytetet e para që shpalli shkëputjen nga Perandoria Osmane, duke dëshmuar vendosmërinë e patriotëve të tij për një Shqipëri të lirë dhe të pavarur.

Më 28 Nëntor 1912, në Vlorë, Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, duke hedhur themelet e shtetit të ri shqiptar. Elbasani u përfaqësua në Kuvendin e Vlorës nga figura të njohura të lëvizjes kombëtare, mes tyre Lef Nosi, Shefqet Daiu dhe Qemal Karaosmani.

Festimet në qytet

Festimet vazhduan në Sheshin Gensher, ku kryetari i Bashkisë, deputetët dhe qytetarët u bashkuan në atmosferën festive të ditës. Nën ngjyrat kuqezi, aktiviteti u kthye në një moment bashkimi, krenarie dhe gëzimi, ku prindër, fëmijë dhe familje festuan së bashku një nga datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.

28 Nëntori mbetet simbol i lirisë, identitetit dhe sakrificës së brezave, një ditë që na bashkon rreth vlerave kombëtare dhe na kujton përgjegjësinë për t’ua përcjellë historinë dhe dashurinë për atdheun brezave të rinj.

Burimi: kohajone.com

Të fundit Të gjitha