Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntori, do të shënohet zyrtarisht edhe në kalendarin e qytetit të New York-ut, pas miratimit të një rezolute nga Këshilli Bashkiak më 19 nëntor 2026.
Nisma u ndërmor nga këshilltarja Amanda C. Farías, me mbështetjen e Shirley Aldebol, Farah N. Louis dhe Frank Morano. Rezoluta nderon shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë, si dhe kontributin e komunitetit shqiptaro-amerikan në jetën e qytetit.
Komuniteti shqiptaro-amerikan në New York
Sipas Fondacionit të Shoqërisë Shqiptaro-Amerikane, mbi 100 mijë qytetarë me origjinë shqiptare jetojnë në pesë distriktet e New York-ut, me përqendrim të veçantë në Bronx dhe Staten Island.
Marrëdhëniet historike me Shtetet e Bashkuara
Dokumenti rikujton gjithashtu marrëdhëniet historike shqiptaro-amerikane, mbështetjen e presidentit Woodrow Wilson për Shqipërinë pas Luftës së Parë Botërore dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve në korrik të vitit 1922.
Miratimi i rezolutës në 114-vjetorin e Pavarësisë përbën një njohje simbolike për historinë shqiptare dhe për brezat e shqiptarëve që kanë ndërtuar jetën e tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Burimi: kultplus.com










