Te FloralPharma, kolagjeni sjell gjithmonë këtë dyshim te shumica e klientëve tanë: si mund të ndihmojë lëkurën diçka që tretet në stomak? Dyshimi ka bazë, por edhe një shpjegim.
Kolagjeni është proteina kryesore e lëkurës. Aty formon një rrjet fijesh që i jep qëndrueshmëri, ndërsa në kocka dhe nyje mban strukturën. Pas mesit të të njëzetave, ky rrjet fillon të rinovohet më ngadalë sesa konsumohet.
Ndryshimi është i heshtur. Për vite me radhë nuk jep asnjë shenjë dhe kur më në fund duket, në një lëkurë më të hollë ose më pak elastike, ka nisur prej kohe. Prandaj ideja për ta marrë si suplement duket e natyrshme: nëse lëkura humbet kolagjen, i japim kolagjen.
Por, kolagjeni që pimë ndjek fatin e çdo proteine tjetër, si ajo e mishit apo e vezës. Stomaku dhe zorrët e shpërbëjnë, dhe si kolagjen ai nuk arrin kurrë te lëkura. Atëherë, pse merret pikërisht për të?

Çfarë ndodh në një lugë kolagjen
Kolagjeni në suplemente është “i hidrolizuar”. Kjo do të thotë se është prerë që në prodhim në copa të vogla, që quhen peptide. Në zorrë, një pjesë e tyre zbërthehet deri në aminoacide të veçuara. Një pjesë tjetër, copa prej dy ose tre aminoacidesh, kalon në gjak ashtu siç është.
Studiues japonezë i kanë matur këto copa në gjakun e njeriut, një deri në dy orë pas marrjes së kolagjenit. Më e njohura quhet prolil-hidroksiprolinë. Përmban hidroksiprolinën, një aminoacid që trupi e përdor pothuajse vetëm për kolagjenin. Prandaj kur shfaqet në gjak, dihet me siguri se vjen nga kolagjeni i pirë.
Por ku shkon më pas? Jo te lëkura, të paktën jo si kolagjen. Ajo që qarkullon në gjak nuk është më lënda që pimë, por një copë e vogël që trupi e njeh.
Jo ndërtues, por sinjal
Në laborator, kur qelizat e lëkurës që prodhojnë kolagjen vihen në kontakt me këto peptide, ato shumohen më shpejt dhe prodhojnë më shumë. Peptidet nuk shkojnë të zënë vendin e kolagjenit që mungon. Sillen si një sinjal, dhe kolagjenin e ri e ndërton vetë trupi.
Studimet klinike, zakonisht tetë deri në dymbëdhjetë javë me 2,5 deri në 10 gram në ditë, kanë matur ndryshime në lagështinë dhe elasticitetin e lëkurës. Kërkimi vazhdon, por drejtimi është i qartë: kolagjeni nuk punon duke arritur te lëkura, por duke lënë pas një mesazh që trupi e lexon.
Që mesazhi të dëgjohet
Nëse kolagjeni punon si mesazh, trupi duhet të jetë në gjendje ta dëgjojë. Disa gjëra e ndihmojnë këtë, disa të tjera e mbysin.
Së pari, dielli. Rrezet UV e shkatërrojnë kolagjenin e lëkurës më shpejt nga sa trupi arrin ta ndërtojë. Pa kremin mbrojtës, asnjë sinjal nuk e kompenson këtë humbje.
Së dyti, ushqimi. Sinjali i thotë trupit të ndërtojë, por lëndën e parë ia jep ushqimi: proteinat dhe vitamina C. Vitamina C kontribuon në formimin normal të kolagjenit për funksionin normal të lëkurës.
Së treti, durimi. Mesazhi duhet përsëritur çdo ditë, ashtu siç është dhënë edhe në studime.
Së katërti, etiketa. Mesazhi mbërrin vetëm nëse kolagjeni është prerë tashmë në copa të vogla. Kërkoni fjalën “i hidrolizuar” ose “peptide”, burimin dhe dozën ditore në gram. Kolagjeni marin është kryesisht tip I, i njëjti tip që mbizotëron në lëkurë, por vjen nga peshku, prandaj kush ka alergji ndaj tij duhet ta dijë.

Çfarë duhet ditur para se të merrni kolagjen?
Te FloralPharma mbajmë kolagjen nga DoNotAge dhe Augment Life. Të dy janë të hidrolizuar dhe e deklarojnë burimin dhe dozën ditore në etiketë. I zgjodhëm sepse etiketa dhe certifikata e analizës tregojnë qartë atë që ky artikull shpjegon: çfarë lloj kolagjeni është, nga vjen dhe sa merret.
Duhet folur edhe për kohën, sepse lëkura nuk ndërrohet lehtë. Ajo që shihet sot në pasqyrë është ndërtuar më parë dhe ajo që do të shihet nesër po ndërtohet tani. Prandaj kolagjeni kërkon vazhdimësi, jo pritje të shpejta.
Para se ta filloni, flisni me mjekun tuaj, sidomos gjatë shtatzënisë dhe ushqyerjes me gji, ose nëse merrni ilaçe apo keni një gjendje shëndetësore.
Burimi: bordo.al










