Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Dokumentet e vizitës së Ramiz Alisë në OKB, 1990, zbulohen

Dokumentet e vizitës së Ramiz Alisë në OKB, 1990, zbulohen
Foto: gazetashqiptare.al

Nga DASHNOR KALOÇI

Pjesa e parë

Memorie.al / Plot 36 vite më parë, në javën e fundit të shtatorit 1990, kreu i Shqipërisë komuniste të asaj kohe, Ramiz Alia, i cili mbante funksionet e kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSh-së dhe gjithashtu të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, në krye të një delegacioni të madh, u nis për të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York. Pjesëmarrja e Ramiz Alisë në sesionin e 45-të të OKB-së pati një jehonë të madhe asokohe, jo vetëm brenda vendit, por edhe në arenën ndërkombëtare, pasi ishte hera e parë që një nga udhëheqësit kryesor të Shqipërisë komuniste merrte pjesë në punimet e Asamblesë së OKB-së, gjë që nuk kishte ndodhur që nga viti 1961, kur Tirana zyrtare u përfaqësua në atë forum të lartë të politikës dhe diplomacisë botërore nga kryeministri i asaj kohe, Mehmet Shehu.

Edhe pse kanë kaluar 36 vite nga ajo kohë, vizita ende mbetet e mbuluar me mister. Me përjashtim të disa dëshmive të pjesëtarëve të atij delegacioni (kujtimet e Reiz Mailes apo Lisen Bashkurtit) dhe pak dokumenteve arkivore të publikuara në shtyp, pak gjë dihet për vizitën e kreut të shtetit shqiptar të asaj kohe në sesionin e 45-të të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York, punimet e të cilit zgjatën rreth tre javë rresht, deri në mesin e muajit tetor 1990.

Si p.sh.: Kur filloi përgatitja dhe përpilimi i protokollit përkatës për pjesëmarrjen e delegacionit shqiptar në atë forum të lartë të politikës botërore? Kush ishin pjesëtarët e tjerë të delegacionit që shoqëruan Ramiz Alinë në atë udhëtim të gjatë përtej Atlantikut dhe çfarë funksionesh mbanin ata? Prej sa personash përbëhej stafi ndihmës që shoqëroi delegacionin shqiptar, dhe cilët ishin ata? Kur filloi përgatitja dhe çfarë përmbante programi i vizitave dhe takimeve të Ramiz Alisë gjatë gjithë periudhës që do të qëndronin në SHBA? A u realizua i gjithë ai program sipas protokollit përkatës, dhe cilët ishin krerët e delegacioneve të huaja që takoi Ramiz Alia gjatë ditëve të qëndrimit në SHBA, dhe çfarë bisedoi ai me ta? Kush ishin shqiptarët e “mërgatës së vjetër” me të cilët u takua kreu i Shqipërisë komuniste gjatë asaj vizite, çfarë u bisedua në ato takime, dhe a pati incidente me “mërgatën reaksionare shqiptare”, të arratisur nga Shqipëria pas vitit 1945? Kush e organizoi pritjen që dha Ramiz Alia për bashkatdhetarët në Boston, cilët ishin disa nga eksponentët e mërgatës shqiptare që asistuan aty, dhe si shkoi ai takim?

Cili ishte itinerari i udhëtimit të delegacionit shqiptar nga Tirana drejt SHBA-së, përse u ndanë ata në disa grupe, dhe cilat ishin arsyet e qëndrimit një natë në Zvicër? Përse ishte pjesë e delegacionit shqiptar edhe Arben Alia, i biri i kreut të shtetit, dhe si u “justifikua” pjesëmarrja e tij në përbërje të delegacionit në fjalë? Sa dhe cilat ishin dhuratat që mori me vete delegacioni shqiptar me në krye Ramiz Alinë, dhe kujt iu dhuruan ato në Zvicër e SHBA? Përse u caktua Hotel “Plaza” (hoteli në pronësi të presidentit të sotëm të SHBA, Donald Trump) për akomodimin e Ramiz Alisë dhe disa pjesëtarëve të tjerë të atij delegacioni? Sa kushtoi nga ana financiare e gjithë ajo vizitë, përse u shtuan fonde të tjera gjatë periudhës që delegacioni ndodhej në SHBA, dhe si u justifikuan ato shpenzime?

Përse stafi i diplomatëve shqiptarë që shërbenin në Misionin e OKB-së u kujdesën që t’i jepnin Ramiz Alisë një planimetri të saktë të sallës ku do mbahej sesioni i 45-të i OKB-së, duke i përcaktuar edhe vendin ku do ulej përfaqësuesi kryesor i delegacionit të Republikës Federative të Jugosllavisë? Kush ishin dy truprojat (mjeku dhe shoferi) që shoqëruan Ramiz Alinë gjatë gjithë asaj vizite, dhe si u bë e mundur që ata të udhëtonin në avion me armatim dhe municion me vete? Cilët ishin pjesëtarët e grupit të xhirimit të Radio-Televizionit Shqiptar që shoqëruan delegacionin, dhe çfarë detyrash iu dhanë atyre? Lidhur me këto e të tjera na përgjigjen dokumentet arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat publikohen për herë të parë me faksimilet përkatëse nga Memorie.al.

Dokumenti arkivor me përbërjen e delegacionit shqiptar

DOKUMENTI ARKIVOR ME PËRBËRJEN E DELEGACIONIT SHQIPTARË QË DO MERRNIN PJESË NË MBLEDHJEN E ORGANIZATËS SË KOMBEVE TË BASHKUARA NË NEW YORK

PËRBËRJA E DELEGACIONIT TONË NË SESIONIN E 45-të TË OKB-së

ANËTARË
1. Ramiz Alia – Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Kryetar;
2. Reis Malile – Ministër i Punëve të Jashtme, Zëvendëskryetar;
3. Sofokli Lazri – Këshilltar i Posaçëm, Anëtar;
4. Muhamet Kapllani – Zëvendësministër i Punëve të Jashtme, Anëtar;
5. Bashkim Pitarka – Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë pranë OKB-së, Anëtar.

ANËTARË PLOTËSUES
6. Petrit Bushati – Ambasador;
7. Vahid Boriçi – Kryetar Dege në Presidiumin e Kuvendit Popullor;
8. Genc Mlloja – Këshilltar i Misionit të Përhershëm të Shqipërisë pranë OKB-së;
9. Eqerem Gaxholli – Sekretar i Parë i Misionit të Përhershëm të Shqipërisë pranë OKB-së;
10. Kadri Cenko – Funksionar në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

EKSPERTË
11. Arben Alia
12. Mikel Gjika
13. Viktor Kalemi
14. Zef Mazi
15. Roland Llupo

SHOQËRUES
1. Behar Zhurda
2. Sinan Hoxha
3. Arben Fino

GAZETARË
1. Alfons Gurashi
2. Gazmir Shtino

SHOFER
1. Vladimir Beci

Tiranë, më 7 shtator 1990

Burimi: gazetashqiptare.al

Të fundit Të gjitha