Autoritetet greke kanë goditur një organizatë kriminale të dyshuar për zhvatje, kërcënime dhe sulme me granata në Athinë.
Drejtuesi i grupit nga burgu
Në krye të grupit dyshohet se qëndronte një 49-vjeçar shqiptar, i dënuar për krime të rënda. Edhe pse ndodhej në burgun e Trikalës, ai vijonte të drejtonte aktivitetin kriminal nga qelia.
Sipas hetimeve, ai kishte rol drejtues dhe ruante kontrollin mbi veprimtarinë e organizatës edhe gjatë qëndrimit në burg. Ai dyshohet se përcaktonte objektivat e sulmeve, analizonte informacionet e mbledhura nga bashkëpunëtorët, jepte udhëzime dhe mbikëqyrte zbatimin e veprimeve kriminale.
Në organizatë dyshohet se ishin përfshirë edhe disa të burgosur të tjerë, mes tyre një shtetas rom në burgun e Malandrinos dhe dy shtetas egjiptianë në burgjet e Avlonës dhe Malandrinos. Sipas autoriteteve, ata shërbenin si ndërmjetës komunikimi mes drejtuesit dhe bashkëpunëtorëve që vepronin jashtë burgjeve.
Sulmet në qendër të Athinës
Media greke Protothema ka publikuar pamje filmike nga disa prej sulmeve. Në to shihen persona që sulmojnë biznese në qendër të Athinës dhe përdorin granata për të frikësuar pronarët dhe personat e pranishëm.
Një nga pamjet tregon momentin kur dy persona dalin nga një dyqan dhe hedhin një granatë në drejtim të ambientit ku ndodheshin klientë. Më pas, ata largohen me shpejtësi. Fatmirësisht, granata nuk shpërtheu.
Struktura e organizatës
Hetimet kanë zbuluar se grupi kishte një strukturë të organizuar dhe ndarje të qartë të detyrave. Anëtarët jashtë burgut merreshin me identifikimin e bizneseve dhe personave që përzgjidheshin si objektiva, mbikëqyrjen e tyre, mbledhjen e informacioneve dhe realizimin e sulmeve.
Ata dyshohet se siguronin gjithashtu mjetet e nevojshme për veprimet kriminale dhe organizonin largimin nga vendngjarjet. Sipas hetuesve, kjo strukturë i mundësonte organizatës të vazhdonte aktivitetin edhe pse disa prej drejtuesve dhe bashkëpunëtorëve kryesorë ndodheshin pas hekurave.
Operacioni i policisë
Gjatë kontrolleve në katër biznese në qendër të Athinës, u verifikuan 50 persona, nga të cilët 27 u arrestuan.
Burimi: top-channel.tv










