Berisha pas dëshmisë në SPAK
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku u paraqit për t’u pyetur në cilësinë e kallëzuesit në lidhje me çështjen e gjyqtares Irena Gjoka.
Në një deklaratë për mediat pas daljes nga SPAK, Berisha tha se ishte thirrur në zbatim të një kërkese të prokurorisë, pas një urdhri të gjykatës, pasi më parë nuk ishte pyetur për kallëzimin e tij.
Ai theksoi se ky është kallëzimi i parë që ka bërë ndaj një personi dhe se, sipas tij, çështja nuk ka motive personale, por synon ndëshkimin ligjor të gjyqtares.
Akuzat ndaj gjyqtares Irena Gjoka
Berisha përsëriti akuzat ndaj Irena Gjokës, duke pretenduar se ajo ka pasur dy dëbime nga Greqia, një dënim penal dhe ka kryer falsifikime në dokumentacionin e paraqitur për dekriminalizimin, procesin e vetingut dhe emërimin në detyrë.
Kreu i PD-së akuzoi gjithashtu institucionet e drejtësisë, përfshirë Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe ILDKPKI-në, për mënyrën se si kanë trajtuar çështjen.
Shkarkimi i pretenduar dhe pasaportat
Gjatë deklaratës, Berisha foli edhe për shkarkimin e pretenduar të Gjokës në vitin 1996, si dhe për përdorimin e disa pasaportave dhe ndryshimin e mbiemrit të saj.
Pretendimet e ngritura nga Berisha janë pjesë e deklaratës së tij pas paraqitjes në SPAK, ndërsa hetimet për çështjen e gjyqtares Irena Gjoka vijojnë.
Sali Berisha: Busti i Lubi Ballukut, inaugurohet busti i Irena Gjokes. Pra aty kisha pas, kisha parë, por si kësaj here nuk kisha konstatuar ndonjë nga këto që pashë tani. Kjo për vajtjen tuaj të mëngjesit. Tani kalojmë tek materia, tek lënda. Erdha me thirrjen, me kërkesën e SPAK-ut i cili bazuar në urdhrin e gjykatës së çështjes së Irena Gjokes, kallëzuesit i cili s’ja mund, kishte kërkuar të pyetem mbasi s’isha pyetur asnjëherë si kallëzues nga SPAK-u i partisë. Së pari, deklaroj se në të gjithë jetën time ky është kallëzimi i parë që unë kam bërë ndaj një personi. Ky kallëzim nuk ka asgjë personale. Por ky kallëzim synon ndëshkimin ligjor të një personi që përbën turpin e njeriut, që përbën turpin e zyrtarit, që përbën turpin e juristit, turpin e gjykatësit. Ndëshkimin e njeriut që arriti të bëjë në qafë kukumalen të gjitha institucioneve të drejtësisë të këtij vendi, të cilat ju garantoj se njëlloj si Irena do të paditen për papërgjegjshmërinë e tyre në rastin e Irenës me pesë mbiemra.
Po pse Irena përbën turpin e njeriut, turpin e zyrtarit dhe punonjësit, turpin e juristit, të gjyqtarit e me radhë? Sepse Irena me katër mbiemra është person i cili ka të vërtetuara dy dëbime nga vendi fqinj, ka të vërtetuara dy falsifikime, ka të vërtetuar një dënim penal. Ka të vërtetuar falsifikimet e të gjithë formularëve që kjo… në të cilët kjo nuk i ka pasqyruar këto dënime. Formularit të dekriminalizimit, formularit të vetingut dhe formularit të emërimit si kryetare e gjykatës. Pse Irena është turpi i turpeve? Sepse Irena arrin të burgosë në mënyrën më kriminale, të burgosë KLGJ-në, të burgosë KLP-në, jo mafia e SPAK-ut, Duman Manekun e këta me radhë, por të burgosë KLGJ-në, të burgosë ILDKPI-në, të burgosë KLP-në.
Institucionet të cilat me Kushtetutë janë të ngarkuara të garantojnë zbatimin e ligjit mbi sistemin e drejtësisë. Historiku… historiku i saj është histori turpi dhe kriminale. Irena Maneku është shkarkuar nga Sali Berisha në vitin 1996. U kërkua të japë dorëheqjen për konflikt interesi. Nuk dha dorëheqjen. Arriti në atë shkallë sa t’u thotë avokatëve të mi provojeni se jam shkarkuar. Dhe KLGJ-ja, që u kishte dhënë vërtetimin e shkarkimit avokatëve të mi, ua mohonte këtë vërtetim Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Pse ja u mohonte? Nëse ja u mohoi me urdhër politik apo ja u mohoi se i pagoi Irena, kjo është… por, të njëjtin dokument që ua kishte dorëzuar avokatëve, nuk ia dha Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Irena është historia më e turpshme që mund të ekzistojë, sepse çfarë ka bërë? Ka shfrytëzuar pozitën, ka nxjerrë tre pasaporta. Tre pasaporta! Ka ndryshuar mbiemrin dhe nuk ka dorëzuar… dhe nuk ka njoftuar, nuk ka dorëzuar asnjë pasaportë në komisariat. Nuk ka njoftuar asnjë humbje pasaportash. Irena është një shëmbëlltyrë e turpit njerëzor, e zyrtarit dhe gjyqtarit, sepse ka një dënim penal në Gjykatën e Janinës për çfarë? Për falsifikim vize.
Burimi: lajmifundit.al










