Autori i dyshuar dhe lidhjet kriminale
Policia greke ka zbardhur vrasjen e 52-vjeçarit Nikos Gavanozis, i njohur me pseudonimin “Papagalli”, i cili u ekzekutua më 11 tetor të këtij viti.
Si autor i dyshuar i vrasjes është identifikuar 48-vjeçari nga Saranda, Eduart Qendrothanasi, alias Stamatis Qendrothanasi, i cili është shpallur në kërkim, shkruajnë mediat.
Sipas autoriteteve greke, ai dyshohet se ishte drejtuesi i motoçikletës nga e cila u krye atentati, ndërsa personi i dytë që ndodhej me të dyshohet gjithashtu se është shtetas shqiptar. Në lidhje me ngjarjen, policia ka arrestuar në zonën e Agrinios një 48-vjeçar grek, i cili dyshohet se ka ndihmuar autorët pas vrasjes, duke i transportuar dhe duke u krijuar mundësinë të largoheshin nga vendi i atentatit.
Sipas mediave, Qendrothanasi rezulton një emër i njohur për autoritetet greke për precedentë të shumtë kriminalë. Ai ishte shpallur më herët në kërkim për një grabitje me armë në vitin 2013 në Mesenia, ku nga një pikë e shërbimit postar ELTA u vodhën 130 mijë euro.
Në vitin 2025, ai rezulton të jetë dënuar me 9 vite e 3 muaj burg për tre grabitje dhe armëmbajtje pa leje. Dosja e tij përfshin edhe akuza të tjera për pjesëmarrje në grup kriminal, gjobëvënie, vjedhje, plagosje të rëndë, kërcënime dhe falsifikim.
Mediat greke shkruajnë gjithashtu për lidhjet e tij të mëparshme me persona të njohur të botës së krimit në Greqi, mes tyre Vasilis Grivas, i njohur si “Bill”, dhe Manoli Karagiani, me nofkën “Karafla”, të dy të ekzekutuar në vitet e fundit.
Si u krye atentati dhe si u identifikuan autorët
Sipas hetimeve të Njësisë së Vrasjeve, dy autorët lëviznin me një motoçikletë kur iu afruan 52-vjeçarit, i cili po udhëtonte drejt klubit të natës ku punonte si roje sigurie. Ata hapën zjarr ndaj tij, duke bërë që të humbiste kontrollin e motoçikletës dhe të rrëzohej në rrugë. Pasi viktima ra përtokë, autorët e qëlluan për vdekje.
Një rol vendimtar në identifikimin e tyre ka luajtur analiza e pamjeve filmike nga kamerat e sigurisë, jo vetëm në vendin e ngjarjes, por edhe përgjatë itinerarit të ndjekur para dhe pas atentatit. Pas vrasjes, dy autorët u drejtuan drejt zonës së Kerateas, ku braktisën motoçikletën në oborrin e një banese të izoluar. Aty i priste 48-vjeçari grek, i cili dyshohet se i transportoi me një automjet ngjyrë argjendi drejt banesave të punëtorëve në Karea, për të shmangur përdorimin e mëtejshëm të motorit të atentatit.
Gjatë marrjes në pyetje, greku pranoi se kishte ndihmuar dy personat, por pretendoi se nuk e dinte se ata ishin përfshirë në një vrasje. Ai deklaroi se kishte menduar se motoçikleta ishte e vjedhur dhe se autorët i kishin kërkuar ta çmontonte. Hetimet zbuluan se ai kishte hequr pjesë të motorit, ndërsa një prej helmetave ia kishte dorëzuar një personi të tretë, identitetin e të cilit pretendon se nuk e di. Një nga pistat kryesore që po shqyrtojnë hetuesit lidhet me konfliktet që viktima dyshohet se kishte krijuar për shkak të aktivitetit të tij në tregtinë e drogës në periferitë jugore të Athinës.
Precedentët e viktimës
Viktima ishte një person me precedentë të mëparshëm kriminalë dhe i njohur për autoritetet greke. Ai ishte arrestuar në vitin 2015 si pjesë e një prej grupeve kriminale që shantazhonin pronarët e bizneseve dhe u kërkonin para në këmbim të të ashtuquajturës “mbrojtje”.
Emri i tij ishte përmendur edhe në disa episode të dhunshme mes tifozëve të organizuar të Panathinaikos. Në shtator 2021, ai u arrestua pas të shtënave me armë jashtë një shoqate tifozësh në zonën e Aleksandrasit, ku mbeti i plagosur një person.
Në korrik 2024, Gavanozi u arrestua sërish për përfshirjen e dyshuar në përplasjet e dhunshme jashtë stadiumit “Alexandras”, ku dy persona u plagosën me armë zjarri. Ndërkohë, hetuesit po vijojnë punën për identifikimin e personit të dytë që dyshohet se mori pjesë në atentat dhe për zbardhjen e plotë të motivit të ekzekutimit.
Burimi: shqiptarja.com










