Gazetari Eni Ferhati ka zbardhur detaje të reja nga atentati i dyfishtë i ndodhur ditën e sotme në Fier, ku mbetën të vrarë Selami Hasani dhe nipi i tij.
Sipas Ferhatit, të dhënat paraprake të hetimit tregojnë se bëhet fjalë për një ngjarje të mirëorganizuar dhe të sofistikuar, ku autorët dyshohet se kanë vepruar në bashkëpunim me persona të tjerë. Ai ka zbuluar detaje mbi automjetin e përdorur në atentat, i cili rezulton i vjedhur në Suedi në vitin 2020.
Automjeti dhe targat e dubluara
“Të dhënat që janë administruar deri më tani tregojnë për një ngjarje jo vetëm të organizuar, por do të thoja deri diku të sofistikuar. Po e nis në fakt nga automjeti Volvo, nga pamjet e automjetit që u publikuan ditën e sotme. Bëhet fjalë për një automjet të vjedhur në Suedi disa vite më parë, në vitin 2020, që më pas është trafikuar në Shqipëri. E veçanta për grupin hetimor është vënë re se targat e automjetit janë të dubluara dhe përkojnë në fakt me një automjet identik në Tiranë, si sa i takon modelit, ngjyrës, fuqisë motorike e të tjera me radhë.
Është një automjet deri diku i kushtueshëm, që tregon se është një atentat apo një ngjarje e organizuar, ku janë investuar para. Nga ana tjetër, nga hetimet e grupit hetimor deri më tani ka dyshime që në automjet në lagjen “1 Maj” të kenë lëvizur katër persona, tre prej të cilëve kanë qenë qitës dhe një ka qenë shofer”, tha Ferhati.
Armët dhe pista e hakmarrjes
Gazetari Ferhati thekson se edhe armët e gjetura në makinën e djegur në Dërmenas, katër prej tyre dyshohet se ishin të pajisura me silenciator. Ai bën të ditur se grupi hetimor dyshon për përfshirjen e katër personave në atentat, ndërsa pista kryesore që po hetohet është ajo e hakmarrjes.
“Gjatë gjetjes së automjetit, i cili u shkrumbua në Dërmenas, janë gjetur brenda tij të djegura pesë armë, katër prej të cilave me silenciator. Tre prej armëve janë dhe armë të gjata. Sipas hetuesve, dyshimet janë që dy prej atentatorëve të kenë zbritur nga automjeti dhe të kenë qëlluar në drejtim të banesës ku ndodheshin dy shënjestrat e atentatit, të cilat kanë qenë duke rregulluar ambientet e jashtme të banesës. Deri më tani janë shoqëruar 16 persona, të cilët janë marrë në pyetje në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni, por që më pas janë liruar pasi nuk kanë rezultuar të përfshirë.
Shënjestrat dhe bashkëpunëtorët
Po ashtu janë kontrolluar disa ambiente dhe mjedise që për grupin hetimor mund të jenë dyshuar të përfshira, duke patur parasysh edhe konfliktet në të kaluarën që datojnë që në vitin 2002. Shënjestra e atentatit qëndroi për disa vite në arrati. Më pas ai u arrestua në vitin 2009, kreu disa vite burg një masë të caktuar dënimi. Sipas të dhënave, drejtësia i kishte ulur atij në fakt dënimin.
Gjatë kohës së qëndrimit në burg, pista kryesore që po heton policia është hakmarrja. Një veçanti që po dyshohet nga grupi hetimor dhe po verifikohet është fakti që lagjja “1 Maji”, atje ku ka ndodhur ngjarja, është e mbuluar me kamera sigurie, pra autorët nuk kanë vepruar vetëm, por kanë patur edhe bashkëpunëtorë të tjerë. Po ashtu ka dyshime që zona mund të jetë mbajtur në monitorim me dron nga ana e personave që kanë organizuar këtë atentat të dyfishtë. Ndërkohë po bëhen edhe disa veprime të tjera hetimore lidhur me dyshimet që ka grupi hetimor. Pista kryesore është ajo e hakmarrjes, megjithatë po verifikohen edhe informacione të tjera, të cilat grupi hetimor ka ngritur disa dyshime”, tha Ferhati.
Burimi: euronews.al










