Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Opinion

Spanja përballet me krizë sociale pas protestave masive

Spanja përballet me krizë sociale pas protestave masive
Foto: ata.gov.al

MADRID, 12 nëntor /ATSH-AFP/- Spanja u përfshi nga protesta të mëdha dhe përplasje mes demonstruesve dhe policisë gjatë grevës së parë të përgjithshme në vend që nga viti 2012.

Qindra mijëra qytetarë dolën në rrugë për të kërkuar strehim më të përballueshëm, uljen e çmimeve të qirave dhe përmirësimin e fuqisë blerëse.

Greva 24-orëshe u zhvillua të enjten, më 11 nëntor, në një kohë kur vendi po përgatitet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 29 nëntorit.

Ajo u mbështet nga sindikatat kryesore dhe organizatat e qiramarrësve, të cilat kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve për të frenuar rritjen e kostos së banesave.

Mijëra protestues në Madrid dhe Barcelonë

Sipas vlerësimeve të autoriteteve, rreth 120 mijë persona protestuan në Madrid dhe 55 mijë të tjerë në Barcelonë, ndërsa tubime u zhvilluan edhe në qytete të tjera të vendit.

Pas përfundimit të marshimeve, në Madrid dhe Barcelonë shpërthyen përplasjet mes grupeve të demonstruesve dhe policisë.

Persona të maskuar hodhën objekte drejt forcave të rendit dhe i vunë zjarrin koshave të mbeturinave dhe sendeve të tjera në rrugë.

Policia përdori gaz lotsjellës dhe armë që qëllojnë plumba gome për të shpërndarë grupet e dhunshme.

Në Barcelonë u arrestuan 18 persona, ndërsa raportime të tjera për arrestime u regjistruan edhe në Madrid dhe qytete të tjera.

Sipas agjencisë “Reuters”, në total u raportuan 115 arrestime në të gjithë vendin gjatë zhvillimeve të lidhura me grevën dhe protestat.

Greva prek transportin dhe industrinë

Sindikatat UGT dhe CCOO e cilësuan grevën një sukses, duke raportuar pjesëmarrje të lartë në disa sektorë, veçanërisht në industrinë e automobilave, portet, transportin, petrokiminë dhe përpunimin e mishit.

Sipas organizatorëve, më shumë se tre milionë punonjës iu bashkuan grevës, ndërsa sindikatat raportuan pjesëmarrje të konsiderueshme edhe në disa prej fabrikave dhe porteve kryesore të vendit.

Greva shkaktoi ndërprerje të transportit publik, anulime të trenave dhe bllokime të rrugëve.

Operacionet u pezulluan në disa porte dhe fabrika, ndërsa shërbimet hekurudhore dhe ato ajrore u prekën nga protestat.

Kompania shtetërore hekurudhore “Renfe” njoftoi anulimin e 24% të trenave të planifikuar për distanca të gjata dhe shërbime me shpejtësi të lartë.

Ndërkohë, në Madrid, përdorimi i autobusëve publikë ra ndjeshëm gjatë orëve të para të ditës.

Megjithatë, organizata e punëdhënësve CEOE e cilësoi grevën një dështim, duke deklaruar se pjesa më e madhe e sektorëve ekonomikë vijoi aktivitetin normal.

Sipas saj, pjesëmarrja ishte e ulët në shumë zona dhe ndikimi ekonomik më i kufizuar se në grevat e mëparshme.

Kriza e strehimit në qendër të protestave

Protestat janë nxitur nga rritja e vazhdueshme e çmimeve të banesave dhe qirave, që po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë për familjet dhe të rinjtë sigurimin e një strehe të përballueshme.

Në Madrid, demonstruesit marshuan mes shiut të rrëmbyeshëm, duke mbajtur pankarta në formën e shtëpive dhe duke brohoritur “Nuk kemi shtëpi”.

“Punohet shumë, por nuk mjafton për të paguar qiranë apo për të blerë një shtëpi”, tha për AFP-në Paula Diaz, 25 vjeçe, teknike teatri, e cila jeton ende me prindërit.

Në Barcelonë, ku rreth 55 mijë persona marshuan përgjatë rrugës tregtare “Passeig de Gracia”, protestuesit kërkuan rregullimin e çmimeve të qirave.

“Ligji i ofertës dhe kërkesës nuk mund të zbatohet në këtë mënyrë për strehimin”, deklaroi Maria Pinana, 34 vjeçe, e cila jeton me tre miq në një apartament ku një pjesë e tavanit është dëmtuar.

Organizatat e qiramarrësve kërkojnë masa për kufizimin e dëbimeve të familjeve në vështirësi, ngrirjen e qirave dhe kontroll më të fortë të përdorimit të banesave për qira afatshkurtra turistike.

Pakënaqësia u rrit ndjeshëm në shtator, pas dëbimit nga banesa të një pensionisteje 87-vjeçare në Madrid, e cila kishte jetuar aty për më shumë se shtatë dekada.

Ngjarja nxiti një valë protestash dhe mobilizimi në të gjithë vendin.

Sipas të dhënave të cituara nga mediet, gjatë dekadës së fundit qiratë në Spanjë janë rritur me rreth 80%, ndërsa çmimet e banesave me 63%.

Përplasjet politike para zgjedhjeve

Greva zhvillohet vetëm disa javë përpara zgjedhjeve të parakohshme të 29 nëntorit, të shpallura nga kryeministri socialist Pedro Sánchez, pasi qeveria e tij nuk arriti të sigurojë mbështetjen parlamentare për një paketë masash që synonte përballimin e krizës së strehimit.

Çështja e banesave është kthyer në një nga temat kryesore të fushatës zgjedhore, ndërsa sondazhet parashikojnë një fitore të opozitës së djathtë.

Sánchez ka shprehur mbështetje për të drejtën e punonjësve për grevë dhe ka vlerësuar rolin historik të sindikatave në përmirësimin e kushteve të punës dhe shërbimeve publike.

Nga ana tjetër, partitë e djathta dhe grupet e biznesit e kanë kritikuar grevën, duke e cilësuar atë si një veprim me prapavijë politike përpara zgjedhjeve.

Sindikatat kanë këmbëngulur se protesta nuk drejtohet vetëm kundër një force politike, por ndaj të gjitha niveleve të qeverisjes, për shkak të mungesës së masave konkrete për të frenuar rritjen e kostos së strehimit.

Përveç krizës së banesave, qytetarët përballen edhe me rritjen e kostos së jetesës.

Inflacioni arriti në 4,9% në shtator dhe tetor, nivelin më të lartë në më shumë se tre vjet.

Greva dhe protestat e fundit kanë rikthyer në qendër të debatit politik një nga problemet më të ndjeshme sociale në Spanjë, ndërsa kriza e strehimit pritet të mbetet çështje vendimtare në zgjedhjet e ardhshme. //a.i/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha