Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Opinion

Zjarrfikësi polak mbron bashkëshorten me trupin e tij në Krakov

Zjarrfikësi polak mbron bashkëshorten me trupin e tij në Krakov
Foto: lajmifundit.al

Vetëm një muaj më parë kishin kurorëzuar dashurinë e tyre, ndërsa sot bashkëshortja qëndron pranë shtratit të tij në terapi intensive. Tomasz, një zjarrfikës vullnetar në Poloni, u plagos rëndë pasi mbuloi me trupin e tij bashkëshorten Kinga, për ta mbrojtur nga plumbat gjatë sulmit me armë që ndodhi në Krakov.

Udhëtimi që u kthye në tragjedi

Çifti po udhëtonte drejt repartit zjarrfikës në Olszowice, ku do të zhvillonte një aktivitet me të rinjtë e Brigadës Rinore të Zjarrfikësve. Por rrugëtimi i tyre u kthye në një ngjarje tragjike, pasi automjeti me të cilin po lëviznin u përplas nga makina e burrit të armatosur, i cili po tentonte t’i shpëtonte policisë, raporton Newsmax Poloni.

Në momentin kur nisën të shtënat, Tomasz reagoi menjëherë duke vendosur trupin e tij përpara bashkëshortes. Kinga arriti të shpëtonte, ndërsa ai mbeti i plagosur rëndë.

Apeli i kolegëve

Lajmin e bënë të ditur pjesëtarët e repartit zjarrfikës vullnetar OSP Olszowice, të cilët përmes një apeli prekës treguan sakrificën e kolegut të tyre. “Një muaj më parë qëndronin para altarit. Sot ajo qëndron pranë shtratit të tij në repartin e terapisë intensive”, shkruajnë zjarrfikësit.

Sipas tyre, aktualisht jeta e Tomasz nuk është në rrezik të drejtpërdrejtë, por ai përballet me një proces të gjatë trajtimi dhe rehabilitimi, ku mes ndërhyrjeve të nevojshme është edhe rindërtimi i strukturave të fytyrës.

Zjarrfikësi polak mbron bashkëshorten me trupin e tij në Krakov

Një jetë në shërbim të të tjerëve

Tomasz është pjesë e zjarrfikësve që prej moshës 12-vjeçare. Gjatë viteve është angazhuar në operacione shpëtimi dhe shuarjeje zjarresh, në aktivitetet e orkestrës së repartit, si dhe në edukimin e brezit të ri të zjarrfikësve.

Tashmë është ai që ka nevojë për ndihmë dhe kolegët e tij kanë hapur një fushatë për mbledhjen e fondeve, me qëllim përballimin e kostove të trajtimit, ndërhyrjeve kirurgjikale dhe rehabilitimit të specializuar.

“Le të kthehet me forcë të dyfishtë e gjithë e mira që Tomasz u ka dhënë të tjerëve ndër vite”, apeluan zjarrfikësit.

Burimi: lajmifundit.al

Të fundit Të gjitha