Redaksionale
Problemi nuk është vetëm plumbi i gomës që goditi sot edhe një deputet. Problemi është klima politike që po e bën dhunën gjithnjë e më të mundshme dhe papërgjegjshmërinë gjithnjë e më normale.
Sali Berisha, si zakonisht, e ka gjetur rastin për të kaluar nga një incident i rëndë te hiperbolizimet e tij të zakonshme. Nga një plagosje me plumb gome te pretendimi për një plan kriminal me qëllim vrasjen. Nuk ka nevojë për këtë lloj teatri. Nuk ka nevojë të shpallet një atentat për të dënuar një akt të papranueshëm policor. Nuk ka nevojë të bëhet sikur Shqipëria po përjeton një grusht shteti sa herë që ndodh një incident që i shërben propagandës së dikujt që vetë ka vrarë për të mbajtur pushtetin.
Por nga ana tjetër, fakti që Berisha ka kohë që ka humbur besueshmërinë, nuk e bën këtë që po ndodh më pak të rëndë. As nuk e lehtëson përgjegjësinë e Edi Ramës. Kryeministri duket se nuk e kupton, ose nuk dëshiron ta kuptojë, çfarë përgjegjësie ka për klimën që krijon.
Një kryeministër nuk mund të sillet çdo ditë sikur kundërshtarët e tij janë armiq, protestuesit janë njerëz të manipuluar, studentët janë instrumente të dikujt dhe çdo zë kritik është pjesë e një komploti. Nuk mund ta ushqesh shoqërinë me një narrativë të përditshme urrejtjeje e përçmimi dhe pastaj të habitesh kur tensioni zbret nga ekrani në rrugë. Nuk mund ta trajtosh protestën si një bezdi personale, qytetarët e paqtë njëlloj si dhunuesit, si një turmë që duhet rrahur, gjobitur e poshtëruar. Nuk mund të përdorësh arrogancën si metodë komunikimi dhe të presësh prej të gjithëve përulësi e qetësi.
Policia dhe klima e pushtetit
Edhe policia është pjesë e këtij shteti dhe e kësaj klime. Kur pushteti e paraqet veten si të paprekshëm, kur policia trajtohet si një strukturë që duhet të tregojë forcë përballë kundërshtarëve të qeverisë, kur shpërblimet dhe privilegjet ndërthuren me një kulturë bindjeje ndaj pushtetit, krijohen kushtet për abuzime dhe sjellje si ato që po shohim vazhdimisht këto ditë.
Sigurisht, çdo efektiv duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij. Por përgjegjësia politike për mënyrën se si funksionon shteti është e kryeministrit.
Standardi i dyfishtë i Edi Ramës
Këtu vjen një kujtesë që Edi Rama do të duhej ta kishte shumë të freskët: 21 Janari. Në vitin 2011, kur ai ishte në opozitë, thirri shqiptarët në protestë pas publikimit të përgjimit Meta-Prifti, ku flitej për një aferë korruptive me 700 mijë euro. Ilir Meta dha dorëheqjen nga posti i zëvendëskryeministrit dhe ministrit, ndërsa opozita, pra Rama, kërkoi me të drejtë përgjegjësi politike nga qeveria e Sali Berishës, deri në dorëheqjen e tij.
Sot, çfarë ka ndryshuar në standardin e Edi Ramës? Atëherë 700 mijë euro dhe një përgjim ishin arsye e mjaftueshme për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë së Berishës. Sot, kur ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë ngrihen akuza për afera që lidhen me dhjetëra miliona euro dhe përgjimet janë jo një, por të përditshme, dorëheqja quhet një kërkesë e tepruar?
Sigurisht, akuzat nuk janë vendime gjyqësore dhe askush nuk duhet të shpallet fajtor pa gjykim. Por kjo vlen për të gjithë, edhe për ata që Rama dikur i konsideronte arsye të mjaftueshme për t’u larguar nga qeveria. Apo standardi ndryshon sipas karriges ku je ulur?
Partia dhe kryetari
Pse është kaq e vështirë të japë dorëheqje? Tetëqind mijë apo një milion vota, PS-ja i ka marrë si parti, jo si pronë private të kryetarit të saj. Edi Rama nuk është Partia Socialiste. PS-ja është shumë më e madhe se ngushtësia që po demonstron sot kryetari i saj. Është një histori, një elektorat, një strukturë dhe një traditë politike që nuk mund të reduktohen në fatin personal të një njeriu.
As Kushtetuta nuk e ka bërë kryeministrin të pazëvendësueshëm. Neni 105 parashikon qartë mekanizmin e mocionit konstruktiv të mosbesimit. Një e pesta e deputetëve mund të propozojë një kryeministër të ri dhe Kuvendi mund ta zgjedhë atë me të paktën 71 vota. E njëjta shumicë e re parlamentare mund ta zgjidhë krizën lehtë, duke propozuar një emër tjetër, edhe nga e njëjta forcë politike.
Ku është katastrofa? Çfarë shembet nëse Edi Rama largohet dhe PS-ja propozon një kryeministër tjetër? Pse duhet të digjet Tirana? Pse duhet të përplasen qytetarët me policinë? Pse duhet të plagoset dikush, apo të shkojmë deri te një viktimë tjetër, që një kryeministër të pranojë se nuk është i pazëvendësueshëm? Çfarë është kjo tabu e dorëheqjes? Çfarë ka në atë karrige që nuk mund të zëvendësohet? Pesha e pushtetit, e privilegjeve apo e dosjeve e bën largimin kaq të pamundur?
Argumenti se Shqipëria nuk mund të ecë drejt Bashkimit Evropian pa Edi Ramën është një broçkull që fyen inteligjencën e një shoqërie të tërë. Shqipëria nuk është pronë e kryeministrit. Institucionet nuk janë pronë e tij. Procesi evropian nuk është një marrëdhënie personale mes Brukselit dhe Edi Ramës. Një shtet që nuk arrin të zëvendësojë kryeministrin pa u shembur, nuk është një shtet funksional.
Dy gjëra të ndryshme
Nuk është e nevojshme të duash Berishën për të kërkuar largimin e Ramës. Dhe nuk është e nevojshme të mbrosh Ramën për të refuzuar dhunën dhe vandalizmin në protesta. Këto janë dy gjëra të ndryshme, që disa përpiqen t’i ngatërrojnë me qëllim.
Dje Berisha dhe të vetët bënë atë që të gjithë e dimë. Sot, të njëjtat gjëra që dikur i denonconim te Berisha dhe qeveria e tij, i kemi shumëfishuar nën Ramën dhe të vetët. Arroganca, abuzimi me pushtetin, nepotizmi, emërimet klienteliste, korrupsioni dhe gjithë ato tipare të qeverisjes së Berishës jo vetëm që nuk u zhdukën, por u trashëguan, u zgjeruan dhe u bënë pjesë e një pushteti edhe më të përqendruar.
A do të presim derisa të përsëriten edhe vrasjet e 21 Janarit? Derisa të derdhet sërish gjak, që dikush të kuptojë se pushteti nuk është i përjetshëm?
DITA
Burimi: gazetadita.al










