Sytë blu të akullt të Alberto Núñez Feijóo-s më në fund janë bërë magnetikë. Dhe «burokrati» i qetë është shndërruar në një sulmues. Për shumë vite, i konsideruar si «njeriu në gri», i thirrur për të rikthyer rendin në partinë e qendrës së djathtë, presidenti i PP-së ka spikatur vërtet në debatet televizive të kësaj fushate zgjedhore. Në fund, madje edhe gafa e tij seksiste, kur iu drejtua kundërshtares së së majtës, Ada Colau, me fjalët «Po ju, heshtni pak!», mund t’i ketë sjellë disa vota më shumë.
Ai ka qenë gjithmonë në ofensivë gjatë përballjeve me Pedro Sánchez-in dhe, pikë pas pike, e ka vënë në vështirësi liderin socialist, duke u paraqitur si «njeriu i ndershëm që meriton Spanja» dhe që, sipas tij, «Pedro Sánchez nuk është». Virale u bë edhe deklarata e tij për krizën e strehimit: «Ka më shumë apartamente të përfshira në raste korrupsioni sesa apartamente të ndërtuara», tha ai gjatë përballjes së drejtpërdrejtë televizive.
Feijóo është «vrapuesi i distancave të gjata», ai që i përballon garat e gjata dhe që e ka shndërruar fjalën «sanchismo» në armën më të fuqishme kundër liderit socialist.
Galician i pastër, ashtu si themeluesi i Partisë Popullore, Manuel Fraga, ish-ministër në disa qeveri gjatë epokës së Frankos dhe më pas një prej etërve të Kushtetutës demokratike të vitit 1978. Fraga ishte një nga deputetët e paktë që, më 23 shkurt 1981, guxoi të sfidonte puçistin Tejero, duke bërtitur në mes të sallës së Parlamentit, me xhaketën e hapur dhe gjoksin përpara: «Më qëlloni!».
Feijóo, atëherë ende në të njëzetat, në fakt votonte për rivalin e Fraga-s, socialistin Felipe González. Karriera e tij në administratën shtetërore bëri që, me kalimin e kohës, të ndryshonte bindje politike.
Vetëm në fillim të shekullit XXI, tashmë në të dyzetat, Feijóo u anëtarësua në PP. Që nga ai moment nisi ngjitja e tij e suksesshme politike, e cila e çoi në drejtimin e rajonit të Galicisë për plot trembëdhjetë vjet, nga 18 prilli 2009 deri më 14 maj 2022, falë katër fitoreve radhazi me shumicë absolute.
Në vitin 2018, fillimisht ishte pikërisht ai i përzgjedhuri për të drejtuar «rindërtimin» e PP-së, pasi skandali i korrupsionit, i njohur si Gürtel, kishte dëmtuar rëndë reputacionin e partisë, duke zbuluar korrupsionin e përhapur rreth qeverisë së Mariano Rajoy-t. Por më 18 qershor të po atij viti, ai vendosi papritur të tërhiqej nga gara për të qëndruar në krye të Xunta-s. Me shumë gjasë, ishte vetë partia që i kërkoi t’ia linte vendin Pablo Casado-s, i cili më pas u tregua një figurë kalimtare në politikën spanjolle.
Karriera politike
Feijóo-s iu desh të priste edhe katër vite të tjera. Në vitin 2022 u zgjodh sekretar i përgjithshëm i PP-së. Një vit më pas, partia doli forcë e parë si në zgjedhjet bashkiake dhe rajonale, duke i marrë PSOE-së një pjesë të madhe të pushtetit territorial, ashtu edhe në zgjedhjet parlamentare të korrikut. Në këto të fundit, PP-ja mori 33,1% të votave, me një rritje prej 12,3 pikësh, kundrejt 31,7% të PSOE-së dhe 12,4% të Vox-it.
Në Spanjë, megjithatë, nuk qeveris domosdoshmërisht partia që fiton zgjedhjet, por ajo që arrin të formojë një koalicion të aftë për të qeverisur. Feijóo nuk ia doli. Sánchez-i, duke përfshirë në marrëveshje nacionalistët baskë dhe katalanas, pavarësisht bindjeve të tyre ideologjike, arriti ta bënte këtë.
Tani Feijóo po provon sërish. Të gjitha sondazhet, me përjashtim të atij të Qendrës për Kërkime Sociologjike (CIS), që konsiderohet pranë qeverisë, e nxjerrin atë bindshëm në krye dhe i japin mundësinë e një shumice absolute nëse PP-ja bashkon votat me ato të Vox-it.
Një koalicion i papëlqyer nga shumë votues të qendrës së djathtë, madje edhe nga vetë Feijóo, por që tashmë i ka mundësuar të djathtës të qeverisë në rreth tetëdhjetë bashki, përfshirë qytetet Valladolid, Burgos, Toledo dhe Guadalajara, si dhe në katër komunitete autonome: Andaluzia, Aragona, Kastilja dhe Leoni dhe Ekstremadura.
Jeta private
Për jetën private të Feijóo-s dihet pak, për shkak të rezervimit të tij të jashtëzakonshëm. Dihet se ai u bë baba në një moshë të vonë, në vitin 2017, me partneren e tij aktuale, Eva Cárdenas, ish-drejtoreshë e Zara Home. «Të bëhesha baba në moshën 55-vjeçare ka qenë gjëja më e bukur e jetës sime», ka pranuar ai.
Feijóo ka lindur në një familje me origjinë modeste, në një fshat me vetëm rreth njëqind banorë, Os Peares. Me dëshirën e gjyshes së tij, Eladia-s, ai u dërgua që në moshë të vogël për të studiuar në një shkollë me konvikt në León, 250 kilometra larg shtëpisë.
Ish-shokët e tij të shkollës e kujtojnë si një fëmijë të bindur, jo veçanërisht të shkëlqyer, i cili studionte shumë dhe me këmbëngulje deri në përfundimin e studimeve për drejtësi. Ai dëshironte të bëhej gjyqtar, por kur babai i tij humbi punën, Alberto hoqi dorë nga ëndrra për t’u bërë funksionar në administratën e sapokrijuar autonome të Galicisë. Pikërisht ky rajon u bë shkolla e tij e administrimit publik dhe e politikës.
Ai u dallua shpejt, deri në atë pikë sa qeveria e José María Aznar-it e emëroi në krye të Correos, shërbimit postar spanjoll. Pjesa tjetër është histori e kohëve të fundit.
Në vitin 2006 pasoi Fraga-n në drejtimin e PP-së në Galici, ndërsa tre vite më vonë u bë president i Xunta-s, post në të cilin u rizgjodh katër herë, duke barazuar rekordin e vetë Fraga-s.
Në jahtin e trafikantit të drogës
Për plot trembëdhjetë vite, Feijóo ndërtoi një mur të fuqishëm për të penguar ambiciet e Vox-it në Galici. Por ky ishte një mur që nuk arriti të ndalte ngjitjen e së djathtës ekstreme në nivel kombëtar. Derisa Feijóo u dorëzua dhe theu tabunë, duke u bashkuar për herë të parë me partinë e Santiago Abascal-it në komunitetin autonom të Kastiljes dhe Leonit.
Megjithatë, edhe lideri i papërlyer i Popullorëve, «njeriu i ndershëm», ka një skelet në dollap. Në vitin 2013 u publikua një fotografi ku ai shfaqej, tetë vite më parë, në jahtin e trafikantit galician të drogës, Marcial Dorado.
«Tani është më e lehtë të dish gjërat, sepse ekziston interneti, Google. Kur e njoha, ai nuk kishte çështje gjyqësore të lidhura me trafikun e drogës. Dihej vetëm se ishte kontrabandist», u përpoq të justifikohej Feijóo.
Një mbrojtje jo fort bindëse, por që mjaftoi për ta mbyllur këtë kapitull.
Burimi: shqiptarja.com










