Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Teknologji

BE nis zbatimin e Euro 7, kontrollohen edhe emetimet nga gomat dhe frenat

BE nis zbatimin e Euro 7, kontrollohen edhe emetimet nga gomat dhe frenat
Foto: gazetaexpress.com

Bashkimi Evropian ka filluar zbatimin e standardit të ri të emetimeve “Euro 7”, i cili vendos kërkesa të reja për automjetet e reja, duke përfshirë jo vetëm gazrat e shkarkimit, por edhe ndotjen e shkaktuar nga konsumimi i frenave dhe gomave.

Rregullat e reja, që fillojnë të zbatohen më 29 nëntor 2026 për modelet e reja të automjeteve, kanë për qëllim uljen e ndotjes nga grimcat e imëta dhe sigurimin e qëndrueshmërisë më të madhe të baterive në automjetet elektrike dhe hibride plug-in.

Frenat dhe gomat, nën kontroll më të rreptë

Një nga ndryshimet kryesore të standardit “Euro 7” është vendosja e kufijve për grimcat që lirohen nga konsumimi i frenave gjatë përdorimit të automjetit.

Sipas rregullave të reja, automjetet me sisteme konvencionale frenimi do të duhet të kufizojnë emetimin e grimcave të imëta në 7 miligramë për kilometër, ndërsa për automjetet plotësisht elektrike kufiri fillestar është 3 miligramë për kilometër.

Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe konsumimit të gomave, të cilat gjatë lëvizjes lirojnë grimca të vogla plastike dhe materiale të tjera që përfundojnë në mjedis.

Komisioni Evropian e konsideron konsumimin e gomave një burim të rëndësishëm të mikroplastikës, prandaj standardi i ri parashikon teste dhe kërkesa specifike për të nxitur prodhimin e gomave më të qëndrueshme.

Bateritë e makinave elektrike duhet të ruajnë kapacitetin

“Euro 7” sjell gjithashtu kërkesa të reja për jetëgjatësinë e baterive të automjeteve elektrike dhe hibride plug-in. Sipas standardit, bateritë duhet të ruajnë të paktën 80% të kapacitetit fillestar pas pesë vitesh përdorimi ose 100 mijë kilometrash.

Pas tetë vitesh ose 160 mijë kilometrash, kapaciteti i baterisë duhet të jetë të paktën 72% e vlerës fillestare. Këto kërkesa synojnë të garantojnë performancë më të qëndrueshme të automjeteve elektrike dhe të ofrojnë më shumë siguri për konsumatorët lidhur me jetëgjatësinë e baterive.

Çfarë ndryshon për blerësit e makinave?

Standardi i ri parashikon edhe krijimin e një dokumenti të posaçëm, të quajtur “Pasaporta Mjedisore e Automjetit”, ku do të përfshihen të dhëna për emetimet e CO₂, konsumin e karburantit dhe energjisë elektrike, jetëgjatësinë e baterisë dhe autonominë e automjeteve elektrike.

Prodhuesit e automjeteve pritet të përballen me kosto shtesë për përshtatjen me kërkesat e reja, përfshirë teknologjitë e monitorimit dhe komponentët që reduktojnë ndotjen.

Megjithatë, standardi Euro 7 nuk ndryshon në mënyrë thelbësore kufijtë ekzistues të emetimeve të CO₂ nga marmita për makinat e lehta, por zgjeron kontrollin drejt burimeve të tjera të ndotjes.

Rregullat do të zbatohen fillimisht për modelet e reja të makinave dhe furgonëve nga 29 nëntori 2026, ndërsa nga 29 nëntori 2027 do të bëhen të detyrueshme për të gjitha automjetet e reja të kategorive përkatëse që regjistrohen në Bashkimin Evropian.

Automjetet që janë tashmë në qarkullim nuk preken nga këto kërkesa të reja. Me “Euro 7”, Bashkimi Evropian synon të zgjerojë kontrollin e ndotjes në të gjithë ciklin e përdorimit të automjeteve, duke përfshirë edhe burimet që deri më tani nuk ishin pjesë e standardeve tradicionale të emetimeve.

Burimi: www.gazetaexpress.com

Të fundit Të gjitha