Shfaqja ndërkombëtare “UNRECOGNIZED”, me tekst të Jeton Nezirajt dhe Davit Gabunias, vazhdon rrugëtimin në skenat evropiane, këtë herë me një turne në Suedi gjatë muajit nëntor 2026.
Turneu në Suedi
Pas premierës botërore në Shkup dhe prezantimeve në Kosovë e Shqipëri, produksioni do të prezantohet në tri qytete suedeze: Malmö, Göteborg dhe Stokholm.
Turneu nis më 13 nëntor në Malmö Stadsteater, ku shfaqja do të qëndrojë deri më 15 nëntor. Më 18 nëntor do të prezantohet në Göteborgs Stadsteater, ndërsa më 21 dhe 22 nëntor do të ngjitet në skenën e teatrit të njohur Dramaten në Stokholm.
Regjia dhe kasti ndërkombëtar
Me regji të Data Tavadze, “UNRECOGNIZED” është një bashkëprodhim ndërkombëtar që bashkon gjashtë aktorë nga Ukraina, Gjeorgjia, Maqedonia e Veriut, Finlanda dhe Suedia.
E mbështetur në mitin e Ifigjenisë në Tauridë, shfaqja ndërthur dokumentarin, dëshmitë personale, fiksionin dhe humorin për të trajtuar tema si lufta, zhvendosja, kufijtë, përkatësia dhe njohja. Përmes këtyre temave, ajo vë në pikëpyetje fatin e njeriut kur shtëpia, historia apo edhe vetë ekzistenca e tij nuk njihen më.
Vazhdimi në Gjeorgji
Pas turneut në Suedi, “UNRECOGNIZED” do të vazhdojë rrugëtimin në Gjeorgji, ku do të jepen dy shfaqje, më 26 dhe 27 nëntor, në Royal District Theatre në Tbilisi.
Autorët, aktorët dhe bashkëprodhuesit
Produksioni është shkruar nga Davit Gabunia dhe Jeton Neziraj, ndërsa në kastin e aktorëve janë Ellen Jelinek, Kateryna Kisten, Kato Kalatozishvili, Maria Salomaa, Johannes Wanselow dhe Shkëlqim Islami. Producent është Anders Öhrn.
Bashkëprodhues të shfaqjes janë Qendra Multimedia, Royal District Theatre, Örnproduktion, Theatre on Pechersk, Teatri Shqiptar Shkup, Malmö Stadsteater, Dramaten dhe Göteborgs Stadsteater. Projekti mbështetet financiarisht nga Swedish Institute./KultPlus.com


Burimi: kultplus.com










