Shfaqja teatrore “Ata s’janë më”, me tekst të Doruntina Bashës dhe regji të Andrej Nosov, do të prezantohet më 7 nëntor, në orën 20:00, në Stacionin Kulturor në Prishtinë.
Pas prezantimit në Kosovo Theatre Showcase në Prizren, më 6 nëntor, shfaqja vjen në Prishtinë me një rrëfim intim mbi humbjen, kujtesën dhe pasojat e luftërave në ish-Jugosllavi.
Historia e Sadikës
Vepra trajton traumën e gjenocidit të Srebrenicës përmes historisë së Sadikës, e cila përballet me humbjen e njerëzve të dashur dhe frikën se kujtimet për ta mund të zhduken. E lidhur me sendet dhe kujtimet që i kanë mbetur nga të afërmit e saj, ajo përpiqet të ruajë praninë e tyre përballë harresës.
Një veçanti e kësaj shfaqjeje është përvoja e veçantë skenike: secili spektator e ndjek rrëfimin përmes një kufjeje personale, ndërsa tingulli zhytës e afron publikun me botën e brendshme të personazhit.
Çmimet dhe interpretuesit
Në tetor, “Ata s’janë më” u vlerësua me çmimin kryesor “Shfaqja më e mirë” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit SKUPI. Ndërkaq, aktorja Mirjana Karanović u nderua me çmimin “Luran Ahmeti” për interpretimin e rolit të Sadikës.
Krahas Karanovićit, në shfaqje interpretojnë edhe Svetozar Cvetković, Alban Ukaj, Maja Salkić, Davor Sabo, Kemal Rizvanović, Matea Mavrak, Hana Zrno, Sanin Milavić, Faruk Hajdarević, Alen Konjicija, Natalia Dmitrieva dhe Dino Hamidović.
Shfaqja është bashkëprodhim ndërkombëtar i Hartefakt, Teatrit të Luftës në Sarajevë (SARTR) dhe My Balkans, në bashkëpunim me Ibsen Scope në Norvegji dhe Allianz Foundation në Gjermani.
“Ata s’janë më” do të prezantohet më 7 nëntor, në orën 20:00, në Stacionin Kulturor në Prishtinë./KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










