Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Showbiz

Kristina Oroshi përshkruan lulet e diktaturës

Kristina Oroshi përshkruan lulet e diktaturës
Foto: bordo.al

Motivet dhe dhimbja e hulumtimit

Me librin “Vrasja e grave në diktaturë”, autorja Kristinë Oroshi sjell në vëmendje fatet tragjike të 11 grave shqiptare, të cilat u torturuan dhe u vranë nga regjimi komunist. Përmes dëshmive, dokumenteve dhe fotografive, ajo sfidon harresën dhe rikthen në kujtesë historitë e dhimbshme të disa prej grave që vuajtën përtej çdo përfytyrimi. Në këtë rrëfim për Bordo, Kristinë flet për motivet që e shtynë të shkruante këtë libër, dhimbjen e përjetuar gjatë hulumtimit dhe mesazhin që dëshiron t’u përcjellë brezave të rinj: liria, dinjiteti dhe jeta e njeriut nuk duhet të bëhen kurrë viktima të ideologjisë.

Kristinë, çfarë ju shtyu të trajtonit një temë kaq të dhimbshme siç është vrasja e grave gjatë diktaturës?

Ajo që më shtyu t’i qasesha kësaj teme të ndjeshme ishte fakti se shumë nga këto histori kanë mbetur në heshtje. Këto gra nuk duhet të harrohen, sepse regjimi komunist ua mohoi lirinë, dinjitetin dhe të ardhmen, duke i vrarë dhe masakruar në mënyrën më brutale.

Kriteret e përzgjedhjes

Në këtë libër keni zgjedhur të trajtoni historitë e 11 grave që ranë viktima të atij sistemi. Mbi bazën e cilave kritere e bëtë përzgjedhjen?

Kristina Oroshi përshkruan lulet e diktaturës

Kriteret kryesore ishin dëshmitë, dokumentet dhe fotografitë që mund të siguroheshin. Me pak fjalë, synimi im ishte që këto ngjarje të mos mbeteshin thjesht histori të ndodhura dikur, gjatë diktaturës, të mbuluara nga pluhuri i harresës.

Gratë si forcë dhe dinjitet

Në librin “Vrasja e grave në diktaturë”, gratë nuk shfaqen vetëm si viktima të një regjimi, por edhe si gra që ruajtën bindjet, dinjitetin dhe guximin e tyre. A mendoni se gra të tilla ka pasur dhe ka ende sot?

Mendoj se gra të tilla kanë ekzistuar gjithmonë. Edhe sot kemi gra dhe vajza të guximshme, të cilat përballen me padrejtësitë, mbrojnë të vërtetën dhe ngrihen kundër dhunës dhe diskriminimit.

Kujtesa kolektive

A mendoni se historitë e grave të persekutuara gjatë asaj kohe kanë marrë vëmendjen e merituar në kujtesën tonë kolektive, apo historitë e burrave i kanë lënë ato në hije?

Është fatkeqësi që historitë e këtyre grave nuk janë përfshirë sa duhet në kujtesën historike të popullit shqiptar. Mendoj se çështja nuk lidhet me aspektin gjinor, por me historiografinë komuniste, e cila qëllimisht është përpjekur t’i mbulojë me pluhurin e harresës historitë e këtyre grave heroinave. Si mund të shpjegohet fakti që, edhe pas 34 vjetësh demokraci, libri “Vrasja e grave në diktaturë” është libri i parë që trajton vrasjen dhe masakrimin e grave shqiptare?

Një bisedë e imagjinuar

Hipotetikisht, me cilën prej këtyre 11 grave do të dëshironit të zhvillonit një bisedë të gjatë? Çfarë do ta pyesnit?

Të them të drejtën, e kam të vështirë t’i veçoj këto njëmbëdhjetë heroina, pasi secila prej tyre ka një fat tragjik dhe të dhimbshëm. Jetën ua morën dhunshëm, në lule të rinisë.

Kristina Oroshi përshkruan lulet e diktaturës

Hipotetikisht, do të bisedoja me dy prej tyre, të cilat u torturuan dhe u masakruan në mënyrë barbare. E para do të ishte e Lumja Marije Tuci. Do ta pyesja se si ishte ndier në thes, së bashku me maçokun, dhe cilat kishin qenë plagët më të mëdha për të: rrahjet e xhelatëve komunistë jashtë thesit apo plagët që i shkaktonte maçokun brenda tij. Ndërsa Bardha Krosin do ta pyesja se sa të rënda kishin qenë dhimbjet nga kilogramët e kripës që e detyruan të hante dhe që ia vendosën më pas mbi plagët e hapura.

Ndikimi emocional i shkrimit

Gjatë shkrimit të këtyre historive rrëqethëse, a e keni kapur veten duke qarë?

Jo vetëm një herë, por shpesh. Jo vetëm që kam qarë, por kam kaluar edhe net pa gjumë, duke menduar se deri ku mund të arrijë barbaria e ideologjisë komuniste kundër gruas shqiptare. Është tragjike të lexosh për një nënë shtatzënë, e cila u gropos dhe u vendos në një varr gjysmë e vdekur, së bashku me fëmijën që mbante në bark, në një varr të përbashkët me nënën dhe gjyshen e saj, siç ishte rasti i Mrika dhe Prena Bajraktarit.

Mesazhi për lexuesin

Kur lexuesi ta përfundojë librin, çfarë do të dëshironit t’i mbetej në mendje?

Pas leximit të këtij libri, lexuesi duhet të reflektojë thellë mbi faktin se, pavarësisht ideologjisë, jeta dhe dinjiteti i gruas shqiptare nuk duhet të cenohen kurrë nga veprimet e shtetit. Uroj që lexuesit t’i kujtojnë këto histori dhe të punojnë që ngjarje të tilla të mos përsëriten kurrë. Gruaja shqiptare ka qenë dhe mbetet një forcë e rëndësishme e kombit, duke sjellë në jetë breza djemsh dhe vajzash që kanë çuar përpara çështjen shqiptare.

Libri si mjet edukimi

Ju keni formim në fushën e arsimit dhe keni punuar si mësuese në Kosovë dhe në Gjermani. A e shihni këtë libër edhe si një mjet edukimi, për t’i ndihmuar brezat e rinj të kuptojnë se sa e brishtë është liria?

Ky libër duhet të shërbejë edhe si mjet edukimi. Përveç lexuesve të tjerë, mendoj se duhet t’u jepet edhe nipërve dhe mbesave të ish-udhëheqësve komunistë, në mënyrë që të shohin se çfarë u kanë bërë baballarët dhe gjyshërit e tyre grave dhe nënave shqiptare. Pas leximit të këtij libri, ajo që mund të bëjnë është të reflektojnë dhe të kërkojnë falje.

Burimi: bordo.al

Të fundit Të gjitha