Shkrimtarja britanike Zadie Smith ka përzgjedhur dhjetë rekomandime letrare për lexuesit, duke përfshirë romane që i kanë lënë përshtypje, e kanë prekur dhe argëtuar kohët e fundit, nga klasikët e letërsisë amerikane deri te veprat bashkëkohore të autorëve të rinj.
Autorja e romanit të njohur “White Teeth”, botuar në vitin 2000, ishte ende në fillimet e karrierës kur kjo vepër e bëri të njohur në skenën letrare ndërkombëtare. Romani rrëfen historinë e dy miqve të kohës së luftës, Archie Jones dhe Samad Iqbal, si dhe të familjeve të tyre gjatë disa dekadave në veriperëndim të Londrës. Me humorin, personazhet dhe trajtimin e jetës shumëkulturore, libri vazhdon të konsiderohet një nga veprat më përfaqësuese të krijimtarisë së saj.
“White Teeth” është gjithashtu leximi i muajit nëntor në rubrikën Monthly Read të këngëtares Dua Lipa, në kuadër të klubit të saj të librit Service95. Në fund të tetorit, Dua Lipa zhvilloi një bisedë publike me Zadie Smith në Southbank Centre, si pjesë e programit të London Literature Festival, të kuruar nga këngëtarja dhe Service95 Book Club.
Në këtë rast, Smith ka zgjedhur dhjetë libra që, sipas saj, meritojnë vëmendjen e lexuesve.
Klasikët dhe romanet e rinj
Në krye të listës është “Lonesome Dove” i Larry McMurtry, një roman që autorja pranon se për vite me radhë e kishte refuzuar, duke menduar se një histori për kaubojët nuk do t’i pëlqente. Pasi e lexoi, megjithatë, e cilësoi si një nga romanet më të mëdha amerikane, duke vlerësuar mënyrën se si autori e paraqet Perëndimin amerikan pa idealizime.
Në listë përfshihet edhe “Black Bag” i Luke Kennard, të cilin Smith e përshkruan si një libër shumë humoristik dhe të goditur në trajtimin e burrave në krizë.
Një tjetër rekomandim është “Every Story Is A Love Story” i Imbolo Mbue, shkrimtare me prejardhje nga Kameruni, e njohur për romanet e saj mbi diasporën kamerunase. Libri trajton dashurinë dhe pasojat e një tragjedie, pas humbjes së një gruaje dhe binjakëve të saj të palindur në një aksident.
Smith veçon edhe “Murmurs From The Hills: Rwandan Tales” të Scholastique Mukasonga, duke vlerësuar fuqinë rrëfimtare dhe ndjeshmërinë e një tradite të përcjellë brez pas brezi në shkrimin e autores.
Ditarë, humor dhe ndjenja
Në mesin e rekomandimeve është edhe “How to End a Story” i Helen Garner. Smith shpreh admirim të veçantë për krijimtarinë e saj, sidomos për ditarët, të cilët i konsideron ndër më të mirët që nga koha e Virginia Woolf.
Një vëmendje të veçantë i kushton edhe romanit “Bonding” të Mariel Franklin, të cilin e përshkruan si një vepër të ndritshme, ironike, provokuese dhe plot humor, që trajton teknologjinë, seksin dhe industrinë farmaceutike. Sipas saj, ky debutim letrar nuk mori vlerësimin që meritonte.
Lista vazhdon me “Lost Lambs” të Madeline Cash, një roman që, sipas Smith, e ka gëzuar me humorin, stilin dhe aftësinë për të ndërtuar personazhe e ngjarje. Ky libër ishte gjithashtu leximi i muajit gusht 2026 në Service95 Book Club.
Ndërkohë, “The Things We Never Say” i Elizabeth Strout është një tjetër vepër që e ka prekur thellësisht shkrimtaren. Smith tregon se kishte filluar të qante që në faqen e dytë të librit.
Në përzgjedhje gjendet edhe “The Coin” i Yasmin Zaher, një roman i errët dhe njëkohësisht humoristik nga autorja palestineze, të cilin Smith e lidh në njëfarë mënyre me librin “Black Bag” të Luke Kennard.
Rekomandimin e fundit ia kushton “The Recovery House” të Derek Owusu, një vepër e shkurtër dhe delikate mbi krizën ekzistenciale dhe një përjetim të rëndë psikologjik, e rrëfyer nga këndvështrimi i brendshëm i personazhit dhe jo përmes përkufizimeve mjekësore.
Përmes kësaj liste, Zadie Smith sjell një panoramë të larmishme të letërsisë bashkëkohore dhe klasike, duke vënë në dukje autorë dhe vepra që meritojnë të zbulohen nga lexuesit. /KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










