Gjatë një udhëtimi me makinë nëpër Evropë, ngjyra e tabelave orientuese të autostradave mund të ndryshojë nga një shtet në tjetrin. Në Kosovë, Zvicër, Itali dhe Suedi ato janë të gjelbra; në Gjermani, Francë dhe Austri janë blu.
Ky ndryshim lejohet nga rregullat ndërkombëtare të komunikacionit, të cilat pranojnë përdorimin e të dyja ngjyrave.
Baza ligjore e sinjalistikës rrugore
Baza e këtyre rregullave është Konventa e Vjenës për Shenjat dhe Sinjalizimin Rrugor, e miratuar në vitin 1968 nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara. Konventa synon të harmonizojë sinjalistikën rrugore mes shteteve, që shoferët t’i dallojnë dhe t’i kuptojnë më lehtë shenjat, kudo që të udhëtojnë.
Sipas saj, tabelat orientuese të autostradave mund të kenë sfond të gjelbër ose blu dhe mbishkrime të bardha. Çdo shtet mund të zgjedhë njërën prej ngjyrave, me kusht që ta përdorë sistemin në mënyrë të njëtrajtshme.
Shtetet që përdorin secilën ngjyrë
Gjermania, Franca, Austria, Norvegjia, Spanja dhe Portugalia përdorin tabela blu.
Tabelat e gjelbra përdoren në Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci, Serbi, Zvicër, Itali, Suedi, Finlandë, Bullgari dhe vende të tjera.
Pra, ndryshimi i ngjyrave nuk tregon mosrespektim të standardeve ndërkombëtare: Konventa e Vjenës i parashikon të dyja mundësitë.
Burimi: www.albeu.com









