TIRANË, 6 nëntor/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, prezantoi projektbuxhetin e vitit 2027 në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, duke theksuar se fondet do të drejtohen drejt objektivave afatmesëm dhe afatgjatë për zhvillimin e mbrojtjes, si dhe forcimit të kapaciteteve të Forcave të Armatosura.
Buxheti dhe krahasimi me vitet e mëparshme
Gjatë prezantimit, Nufi bëri të ditur se buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2027 parashikohet në rreth 76,284 miliardë lekë, me një rritje prej 7,5 miliardë lekësh, ose 10%, krahasuar me vitin 2026.
Nufi theksoi se, “projektbuxheti i vitit 2027 për Ministrinë e Mbrojtjes parashikohet të jetë në masën 2,6% e PBB-së”.
“Projektbuxheti i vitit 2027 është konceptuar në funksion të objektivave afatmesme dhe afatgjata në zhvillimin e mbrojtjes”, u shpreh ministri.
Ai theksoi se gjatë hartimit të projektbuxhetit është synuar lidhja sa më e drejtpërdrejtë ndërmjet burimeve financiare të identifikuara dhe kapaciteteve që kërkohen të ndërtohen, duke u orientuar jo vetëm drejt sigurimit të fondeve, por edhe drejt nevojave konkrete dhe operacionale të Forcave të Armatosura.
Nufi nënvizoi se Shqipëria vijon të përmbushë angazhimet ndaj aleatëve, duke respektuar zotimet e Samitit të Hagës dhe të Ankarasë, si dhe duke forcuar shpenzimet e mbrojtjes për t’iu përgjigjur kërcënimeve dhe sfidave të sigurisë në kontinentin europian.
Sipas ministrit, projektbuxheti merr në konsideratë edhe ndryshimet në treguesit makrofinanciarë, ndërsa parashikohet që fondet për Mbrojtjen të vijojnë të rriten edhe në tre vitet e ardhshme, me afërsisht 1 miliard lekë.
Ndarja e shpenzimeve
Në ndarjen e buxhetit, shpenzimet korrente zënë rreth 42,8% të totalit, ose 32,6 miliardë lekë. Ato përfshijnë shpenzimet për personelin, mallrat dhe shërbimet, kompensimet dhe transfertat për kategori të ndryshme përfituese të Forcave të Armatosura.
Ndërsa shpenzimet kapitale parashikohen në rreth 57,2% të buxhetit, me afërsisht 43,6 miliardë lekë, ku përfshihen investimet me financim të brendshëm dhe të huaj.
“Struktura e këtij buxheti synon të garantojë financim të qëndrueshëm për shpenzimet e personelit, operimin dhe mirëmbajtjen e mjeteve dhe aparaturave të Forcave të Armatosura, si dhe të krijojë hapësirën e nevojshme financiare për realizimin e projekteve të modernizimit dhe investimeve strategjike”, deklaroi Nufi.
Investimet në infrastrukturë
Sa i përket investimeve në infrastrukturë, ministri bëri të ditur se janë parashikuar rreth 5,9 miliardë lekë për projekte që përfshijnë ndërtimin e infrastrukturës mbështetëse për Korridorin VIII, hangarët e Shkollës së Aviacionit, rikonstruksionin e godinës së Spitalit Ushtarak dhe projekte në kuadër të emergjencave civile e menaxhimit të fatkeqësive natyrore.
Në këtë paketë përfshihen gjithashtu ndërtimi i një strukture akomoduese në përputhje me masterplanin e Akademisë së Forcave të Armatosura, ndërtimi i pjesës ushtarake të portit të ri në Porto Romano dhe rivitalizimi i Bazës së Pashalimanit, në përputhje me angazhimet e Shqipërisë në NATO.
Modernizimi i Forcave të Armatosura
Për modernizimin e Forcave të Armatosura, Nufi përmendi projekte me vlerë rreth 23,1 miliardë lekë, ku përfshihen blerja e armatimit të lehtë dhe dronëve, sistemi i integruar i vëzhgimit të hapësirës ajrore, blerja e avionëve krahëfiks, ndërtimi i sistemit kundër dronëve (Counter-UAS), modernizimi i mjeteve të transportit dhe sistemet e komunikimit e informacionit të bazës së NATO-s në Kuçovë.
Në listën e investimeve është përfshirë edhe sistemi i mbrojtjes ajrore.
Ministri theksoi se projektbuxheti synon të sigurojë financimin e nevojshëm për funksionimin e Forcave të Armatosura dhe njëkohësisht të mbështesë projektet që lidhen me modernizimin dhe përmbushjen e angazhimeve të vendit në NATO.
/gj.m/r.e/a.f/
Burimi: ata.gov.al










