PRISHTINË, 6 nëntor/ATSH/ Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiç, ka akuzuar Serbinë për heshtje dhe shtrembërim të fakteve gjyqësore lidhur me krimet e luftës në Kosovë dhe gjenocidin në Srebrenicë.
Në një reagim në platformën X, Kandiç ka kritikuar mënyrën se si institucionet dhe shoqëria serbe e trajtojnë të kaluarën, duke theksuar se vendimet e gjykatave po zëvendësohen me të ashtuquajturën „e vërteta e popullit“.
Ajo iu referua deklaratës së ambasadorit të Bashkimit Evropian në Serbi, Andreas von Beckerath, i cili kishte paralajmëruar se glorifikimi i personave të dënuar për krime lufte bie ndesh me vlerat evropiane.
Sipas Kandiç, përfaqësuesi i BE-së duhej të ngrinte shqetësimin edhe për praktikën e heshtjes ndaj aktgjykimeve dhe fakteve të vërtetuara nga gjykatat ndërkombëtare.
Ajo vlerësoi se shtrembërimi i së kaluarës është veçanërisht i theksuar në rastin e gjenocidit në Srebrenicë dhe të viktimave të luftës në Kosovë.
Kërkesa për respektimin e vendimeve gjyqësore
Kandiç theksoi se përballja me të kaluarën kërkon respektimin e vendimeve gjyqësore dhe ndërprerjen e praktikave që mohojnë ose relativizojnë krimet e dokumentuara.
Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare rikujtoi se kjo organizatë disponon një bazë të gjerë të dhënash për viktimat e luftës në Kosovë, ku dokumentohet fati individual i tyre, pavarësisht përkatësisë etnike.
Sipas saj, Fondi ka dokumente gjyqësore, dëshmi të familjarëve dhe dëshmitarëve, si dhe video-incizime të dëshmive të dhëna para Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
Ajo vlerësoi se ky dokumentacion mund t’i shërbejë Prokurorisë për Krime Lufte në Serbi, nëse institucioni vepron në mënyrë të pavarur dhe i mbështet hetimet në prova, e jo në udhëzime politike.
„Pavarësia e gjyqësorit, për të cilën insiston BE-ja, duhet të shtrihet edhe në ndjekjen penale të krimeve të luftës“, deklaroi Kandiç.
Thirrje për përfshirjen e të rinjve
Kandiç i bëri thirrje Bashkimit Evropian të ofrojë mbështetje politike dhe financiare për përfshirjen e të rinjve në hulumtimin e luftërave të viteve 1990.
Ajo theksoi se studentët dhe të diplomuarit duhet të kenë mundësi të shqyrtojnë dokumentet, të analizojnë dëshmitë dhe të nxjerrin përfundime të pavarura për ngjarjet e së kaluarës.
Sipas saj, politikat e kujtesës po përdoren për thellimin e ndarjeve kombëtare, mohimin e krimeve dhe glorifikimin e autorëve të tyre.
Kandiç vlerësoi se dokumentimi i pavarur dhe respektimi i fakteve gjyqësore janë të domosdoshme për ndërtimin e një kulture të përgjegjshme të kujtesës dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të rajonit.
/KosovaPress/
Burimi: ata.gov.al









