Shqipëria po shndërrohet gradualisht në një destinacion për emigrantët e huaj, ndërsa bizneset shqiptare po mbështeten gjithnjë e më shumë te fuqia punëtore nga vende të tjera për të përballuar mungesën e punonjësve. Në fund të vitit 2025, numri i shtetasve të huaj me leje të vlefshme qëndrimi në vend arriti në 27,514 persona, duke shënuar një rritje prej 25.4% krahasuar me vitin 2024.
Paralelisht me këtë tendencë, është rritur ndjeshëm edhe numri i procedurave për Leje Unike qëndrimi dhe pune, i cili gjatë vitit 2025 arriti në 18,156 raste. Shifrat tregojnë se bizneset po kërkojnë gjithnjë e më shumë punonjës të huaj, veçanërisht në sektorët e turizmit, ndërtimit, tregtisë dhe shërbimeve.
Të dhënat e siguruara nga ekofin.al pranë Ministrisë së Brendshme dëshmojnë një ndryshim të rëndësishëm në strukturën e tregut shqiptar të punës. Një vend që historikisht është karakterizuar nga emigracioni i qytetarëve të tij, po kthehet gradualisht edhe në një destinacion për shtetasit e huaj që kërkojnë mundësi punësimi dhe qëndrimi afatgjatë.
Sipas të dhënave administrative të Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, numri i shtetasve të huaj me leje të vlefshme qëndrimi është rritur në mënyrë të vazhdueshme gjatë tre viteve të fundit. Nga 21,460 persona në vitin 2023, ky numër shkoi në 21,940 në vitin 2024, për të arritur në 27,514 në fund të vitit 2025.
Vetëm gjatë vitit të fundit, numri i të huajve me leje qëndrimi është shtuar me 5,574 persona. Në raport me popullsinë rezidente të Shqipërisë, shtetasit e huaj me leje qëndrimi përbënin rreth 1.16% të saj në fund të vitit 2025, nga 0.92% që përfaqësonin një vit më parë.
Kosova kryeson me mbi 6 mijë shtetas, shtohet prania e emigrantëve nga Azia
Sa i përket origjinës së shtetasve të huaj që jetojnë në Shqipëri, komuniteti më i madh përbëhet nga qytetarët e Kosovës, me 6,076 persona që disponojnë leje qëndrimi.
Në vendin e dytë renditen shtetasit italianë, me 3,776 persona, ndërsa pas tyre vijnë India me 2,399 shtetas, Filipinet me 2,213, Egjipti me 2,007 dhe Turqia me 1,862 persona.
Kjo shpërndarje tregon se prania e të huajve në Shqipëri nuk kufizohet më vetëm te vendet fqinje apo partnerët tradicionalë ekonomikë të vendit. Gjithnjë e më e dukshme është prania e shtetasve nga vende aziatike dhe të tjera, të cilët po vijnë në Shqipëri për mundësi punësimi.
Në veçanti, shtetasit nga India, Filipinet dhe Egjipti përbëjnë së bashku një komunitet prej 6,619 personash me leje qëndrimi. Kjo shifër dëshmon zgjerimin e burimeve nga të cilat bizneset shqiptare po kërkojnë të sigurojnë punonjës.
Kjo prirje lidhet edhe me orientimin e kompanive drejt tregjeve ndërkombëtare të rekrutimit të fuqisë punëtore, në kushtet kur emigrimi i shqiptarëve dhe mungesa e punonjësve në profesione të caktuara kanë krijuar vështirësi për një pjesë të konsiderueshme të sektorëve ekonomikë.
Mbi 18 mijë raste për Leje Unike, kërkesa për punonjës të huaj rritet me 61.8%
Një tjetër tregues i rëndësishëm i rritjes së emigracionit për arsye punësimi është numri i rasteve të trajtuara për Leje Unike qëndrimi dhe pune.
Sipas të dhënave të raportuara nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) dhe institucionet përgjegjëse për periudhën 2023–2025, numri i këtyre rasteve ka ardhur duke u rritur. Në vitin 2023 u regjistruan 9,825 raste, në vitin 2024 shifra arriti në 11,224, ndërsa gjatë vitit 2025 u ngjit në 18,156.
Krahasuar me vitin 2024, numri i rasteve të trajtuara është rritur me rreth 61.8%, ndërsa në raport me vitin 2023 zgjerimi arrin në rreth 84.8%.
Këto të dhëna tregojnë se kërkesa për punonjës të huaj është shtuar ndjeshëm brenda një periudhe relativisht të shkurtër. Rritja lidhet kryesisht me nevojat e bizneseve për të plotësuar vendet e lira të punës në sektorët ku oferta vendase nuk është e mjaftueshme.
Një tjetër faktor që ndikon në këtë tendencë është edhe formalizimi i punësimit të shtetasve të huaj dhe përmirësimi i procedurave administrative për pajisjen e tyre me leje qëndrimi dhe pune.
Turizmi, ndërtimi dhe tregtia, sektorët që mbështeten më shumë te punonjësit e huaj
Shpërndarja e Lejeve Unike sipas aktiviteteve ekonomike tregon se punësimi i shtetasve të huaj është përqendruar kryesisht në sektorët që kanë nevojë për një numër të madh punonjësish dhe ku bizneset po përballen me mungesa të vazhdueshme të fuqisë punëtore.
Sektori që kryeson për numrin e lejeve të miratuara është ai i aktiviteteve të tjera të shërbimit, me 3,210 punonjës, ose rreth 18% të totalit.
Në vendin e dytë renditet sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor, ku janë miratuar 2,789 leje, që përbëjnë rreth 15% të totalit. Ky aktivitet lidhet drejtpërdrejt me industrinë e turizmit, e cila gjatë viteve të fundit ka zgjeruar kapacitetet akomoduese dhe aktivitetin ekonomik, duke shtuar nevojën për punonjës në hotele, restorante dhe struktura të tjera të shërbimit.
Ndërtimi renditet si sektori i tretë më i rëndësishëm, me 2,635 leje të miratuara, ose rreth 15% të totalit.
Një peshë të konsiderueshme ka edhe tregtia me shumicë dhe pakicë, ku përfshihet gjithashtu riparimi i automjeteve dhe motoçikletave. Në këtë sektor janë miratuar 2,068 leje, që përfaqësojnë rreth 11% të totalit.
Të marrë së bashku, këta katër sektorë numërojnë 10,702 leje të miratuara, ose afërsisht 59% të të gjitha rasteve të trajtuara për Leje Unike gjatë vitit 2025. Kjo tregon se pjesa më e madhe e kërkesës për punonjës të huaj vjen pikërisht nga shërbimet, turizmi, ndërtimi dhe tregtia.
Tirana përqendron 43.8% të të huajve, Durrësi dhe Vlora kryesojnë për punësimin
Edhe shpërndarja gjeografike e shtetasve të huaj në Shqipëri tregon një përqendrim të lartë në disa qarqe të vendit. Tirana mbetet destinacioni kryesor, ku jetojnë 43.8% e të gjithë personave me leje qëndrimi.
Kryeqyteti kryeson gjithashtu për numrin e rasteve të trajtuara për Leje Unike gjatë vitit 2025, me 7,609 raste. Ky numër është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2023, kur ishin regjistruar 4,207 raste.
Pas Tiranës renditet Durrësi, me 3,415 raste të trajtuara gjatë vitit 2025, duke shënuar një rritje prej 78.9% krahasuar me një vit më parë.
Në vendin e tretë pozicionohet Vlora, me 2,652 raste dhe një rritje prej 121.9%. Zgjerimi i aktivitetit turistik dhe kërkesa për punonjës në sektorët që lidhen me këtë industri konsiderohen ndër faktorët që ndikojnë në këtë zhvillim.
Në qarqet e tjera, të dhënat tregojnë se Fieri ka regjistruar 1,003 raste, Lezha 872, Shkodra 836 dhe Elbasani 804 raste.
Ndërkohë, numrat më të ulët janë regjistruar në Gjirokastër, me 299 raste, Korçë me 219, Berat me 189, Kukës me 187 dhe Dibër me vetëm 71 raste.
Vlora, Gjirokastra dhe Kukësi shënojnë ritmet më të larta të rritjes
Edhe pse Tirana dhe Durrësi mbeten qarqet me numrin më të madh të rasteve në vlera absolute, ritmet më të larta të rritjes së Lejeve Unike gjatë vitit 2025 janë regjistruar në qarqe të tjera.
Kukësi kryeson listën me një rritje prej 128% krahasuar me vitin 2024. Pas tij renditet Gjirokastra, me 126.5%, ndërsa Vlora shënon një rritje prej 121.9%.
Në listë vijojnë Lezha me 100.5% dhe Korça me 84%. Edhe Elbasani ka regjistruar një zgjerim të konsiderueshëm prej 83.6%, ndërsa Fieri ka shënuar një rritje prej 75%.
Këto zhvillime tregojnë se kërkesa për punonjës të huaj nuk po kufizohet më vetëm në qendrat kryesore ekonomike dhe turistike të vendit, por po shtrihet gradualisht edhe në qarqe të tjera të Shqipërisë.
Në tërësi, rritja e numrit të shtetasve të huaj me leje qëndrimi dhe shtimi i kërkesave për Leje Unike dëshmojnë ndryshimin gradual të tregut shqiptar të punës, ku fuqia punëtore e huaj po merr një rol gjithnjë e më të rëndësishëm për funksionimin dhe zgjerimin e bizneseve.
Burimi: lajmifundit.al









